
Lexoni edhe:
E thotë analisti: Partia në pushtet duhet të pranojë se nuk mund të jetë më e vetme në rrugëtimin institucional
Shkruan: ANALISTI-Qani Shabani
Në vend që konstituimi i Kuvendit të shënojë një fillim të ri, ai po kthehet në një shfaqje të turpshme ku partitë politike, të zëna pas karrigeve dhe interesave klanore, po e përdhosin çdo ideal demokratik. Kuvendi po bëhet arenë pazari, jo tempull i demokracisë.
-Në vend të dialogut politik, qytetarët po përballen me bllokime të qëllimshme, marrëveshje të fshehta dhe një arrogancë që buron nga bindja se vota e popullit nuk ka më peshë. Partitë, që dikur premtonin ndryshim dhe drejtësi, sot sillen si kartelë pushteti, ku mbijetesa politike është më e rëndësishme se interesi publik.
Nëse Kuvendi nuk po konstituohet, kjo nuk është krizë, është strategji e fëlliqur për të vonuar përballjen me përgjegjësinë, për të ruajtur privilegjet dhe për të shtyrë llogaridhënien. Është një fyerje e drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve që u rreshtuan nëpër qendra votimi me shpresën për një ndryshim real.
Asnjë parti nuk mund të fshehet më pas justifikimeve. Faji është kolektiv – të gjithë janë bërë pjesë e lojës së çmendurisë klienteliste, por kësaj radhe me maska të reja. Populli nuk duhet të mbetet spektator në këtë teatër të kalbur politik. Koha e heshtjes ka përfunduar.
Ka ardhur momenti për një zgjim qytetar – një revoltë të ndërgjegjshme që e ndal këtë tallje me demokracinë. Kuvendi nuk është pronë private, as bankë për ndarjen e posteve. Është institucioni më i lartë i përfaqësimit, dhe çdo vonesë është grusht shteti i heshtur ndaj Republikës.
Nëse partitë nuk përfaqësojnë popullin, atëherë populli duhet ta marrë zërin mbrapsht dhe ta kthejë atë në veprim të drejtpërdrejtë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".