Kosova duhet të qëndrojë krah aleatëve, por jo në kurriz të sovranitetit të saj

Kosova duhet të qëndrojë krah aleatëve, por jo në kurriz të sovranitetit të saj
Kosova duhet të qëndrojë krah aleatëve, por jo në kurriz të sovranitetit të saj

Qani Shabani

  • 14 June 2025 - 09:00

Shkruan: ANALISTI-Qani Shabani

Në kuadër të një bashkëpunimi të drejtpërdrejtë me administratën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, qeveria e Kosovës ka miratuar një vendim që parasheh pranimin e 50 migrantëve nga vende të treta, të cilët janë në proces dëbimi nga territori amerikan. Kjo nismë është paraqitur si një masë e përkohshme humanitare, por përmban implikime të thella politike, juridike dhe të sigurisë që kërkojnë trajtim me seriozitet maksimal institucional.

 

-Duhet theksuar se këta individë nuk janë shtetas amerikanë, por migrantë pa status të rregullt, që vijnë nga shtete të tjera me instabilitet të theksuar politik dhe sigurie. Bëhet fjalë për persona që nuk kanë mundur të deportohen në vendet e tyre për shkak të mungesës së marrëveshjeve dypalëshe, refuzimit nga shtetet e origjinës apo pamundësisë së garantimit të kthimit të tyre në kushte të sigurisë dhe ligjshmërisë.

Ky vendim është marrë në mënyrë të njëanshme nga qeveria, pa përfshirje të Kuvendit të Kosovës, pa një proces të hapur transparence me publikun dhe jashtë një debati të nevojshëm shoqëror dhe parlamentar. Mungesa e qartësisë rreth statusit juridik të këtyre migrantëve, kritereve të përzgjedhjes, procedurave të monitorimit, dhe sidomos pa një kornizë të plotë ligjore dhe ndërkombëtare mbi kohëzgjatjen dhe garancitë për rikthimin e tyre në vendet e origjinës, përbën një precedencë të rrezikshme për funksionimin e shtetit të së drejtës në Kosovë.

Nga prizmi i sigurisë kombëtare, vendosja e 50 migrantëve të panjohur për agjencitë tona të inteligjencës dhe të sigurisë mbart rreziqe të natyrshme, përfshirë mundësinë e përfshirjes në veprimtari të paligjshme, radikalizim apo krijimin e një precedenti për flukse të ngjashme në të ardhmen. Kapacitetet administrative të Republikës së Kosovës, përfshirë ato të menaxhimit të migracionit, tashmë janë të kufizuara, dhe një barrë e tillë, edhe në dukje modeste numerikisht, mund të krijojë sfida të konsiderueshme në aspektin e mbikëqyrjes, kujdesit social dhe garantimit të rendit publik.

Në aspektin gjeopolitik dhe të politikës së jashtme, pranimi i këtij grupi migrantësh pa kushte të qarta dhe pa një marrëveshje gjithëpërfshirëse që garanton reciprocitet, përfitim strategjik dhe ruajtje të sovranitetit të Kosovës, mund të interpretohet si një akt nënshtrimi diplomatik që dëmton pozicionin ndërkombëtar të shtetit. Kosova nuk mund të trajtohet si një hapësirë e dytësuar për të amortizuar krizën migratore globale, veçanërisht kur vetë përballet me sfida të mëdha socio-ekonomike dhe emigrim masiv të të rinjve.

Në këtë kontekst, Republika e Kosovës duhet të ndërmarrë menjëherë hapa për të sqaruar opinionin publik lidhur me këtë marrëveshje, të kërkojë garanci të plota për sigurinë dhe përfitimet e saj, dhe paralelisht të intensifikojë përpjekjet diplomatike për riatdhesimin e këtyre personave në vendet e tyre të origjinës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën humanitare.

Në përfundim, ky vendim – edhe pse në dukje i kufizuar në numër dhe kohë – ka potencial të gërryejë themelet e një shteti funksional në ndërtim, duke kompromentuar sigurinë, pavarësinë e politikës së jashtme dhe besimin e qytetarëve në institucionet e tyre. Kosova duhet të qëndrojë krah aleatëve, por jo në kurriz të sovranitetit të saj, sigurisë kombëtare dhe interesit të qytetarëve që përbëjnë thelbin e çdo shteti demokratik.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".