Oroshi: Deputetët nuk janë të përgatitur politikisht, ata për pushtetin e japin edhe shtetin

Oroshi: Deputetët nuk janë të përgatitur politikisht, ata për pushtetin e japin edhe shtetin
Oroshi: Deputetët nuk janë të përgatitur politikisht, ata për pushtetin e japin edhe shtetin

Nue Oroshi

  • 17 June 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Nue Orsohi

Parlamenti i Kosovës dhe deputetët e kësaj legjislature i kaluan 33 seanca pa e konstituar vetveten. Vërtetë, kjo nuk është vetëm qesharake, por është edhe e dhimshme. Kjo vjen si një fryt i shumë faktorëve politikë. Faktori i parë është inatet personale në mes të politikanëve tanë, të cilët dëshirojnë ta tregojnë madhështinë me njëri-tjetrin duke e dëmtuar Kosovën dhe nuk e dinë, apo nuk dëshirojnë ta dinë, se sa të vegjël dhe sa qesharak dalin jo vetëm ndaj votuesve të tyre, popullit shqiptar kudo që gjendet, por dëmin më të madh po ia bëjnë Kosovës, si në aspektin ekonomik, po ashtu edhe në atë diplomatik.

 

-Kjo tregon se deputetët e Kosovës nuk janë të përgatitur politikisht që të kalojnë sfidat nëpër të cilat po kalon Kosova. Ata dhe ato, siç duket, për pushtetin e japin dhe e dorëzojnë edhe shtetin. Të luash me shtetin e Kosovës, që e krijuam me gjakun, mundin dhe përpjekjet shekullore, nuk është madhështi, por është ultësi. Kjo tregon se partitë tona politike në Kosovë nuk kanë ide politike se si ta nxjerrin Kosovën nga kriza, por vetëm se sillen e pshtillen rreth interesave të ngushta financiare, politike, rreth një grupi të vogël të politikanëve që gjenden në krye të partive politike.

Të kalojnë 30 seanca parlamentare dhe të mos jenë në gjendje të ulen deputetët dhe të bisedojnë në mes vete, kjo është një papërgjegjësi e paparë dhe një papjekuri politike. Thjesht, deputetët tanë shqiptarë janë duke u treguar amatorë të vërtetë të politikës. Por faji është te populli që i ka ulur veshët.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".