
Lexoni edhe:
SHBA ka mbështetur Kosovën fuqimisht, por ka qenë edhe kritike kur Prishtina ka vepruar njëanshmërisht
Shkruan: ANALISTI-Nue Oroshi
Formimi i Parlamentit është duke u bojkotuar nga 100 deputetët shqiptarë dhe 10 deputetët e minoriteteve joserbe. Të gjithë këta 110 deputetë me këtë veprim janë në përputhje të plotë deri më tani me idetë e Listës Serbe për bojkot. Me një fjalë, këta 110 deputetë deri më tani po i zbatojnë 100 përqind idetë e Listës Serbe për ta bojkotuar Republikën e Kosovës.
-Ne e dimë se deri më tani i kemi pasur 10 deputetë të Listës Serbe që kanë punuar në favor të politikës serbe dhe për interesat e Serbisë në Kosovë. Por kurrë nuk e kam menduar se edhe 100 deputetët shqiptarë dhe 10 deputetët e pakicave joserbe do ta luajnë vallën e Beogradit dhe do të vihen komplet në shërbim të politikës së Beogradit, qoftë me vetëdije, qoftë pa vetëdije.
Me këtë dua të them se faji nuk është vetëm i opozitës, por faji është i 100 deputetëve shqiptarë në Parlamentin e Republikës së Kosovës. Të dështosh 30 herë me një kandidat dhe të propozosh prapë të njëjtën për Kryetare të Parlamentit, vërtet kjo është për ta vajtuar VV-në dhe politikën e saj me shami në dorë. Por edhe në anën tjetër, si nuk dolën së paku nga tre apo katër deputetë nga tri partitë e opozitës, që së paku të ngriten mbi interesat e partive të tyre dhe ta bëjnë votimin e kryetarit të parlamentit, në mënyrë që së paku të themelohet Parlamenti i Kosovës në mënyrë që të fillojë lufta politike për qeverinë.
Këtu frikohen të gjithë deputetët. Frikohen për faktin se pas konstituimit të Parlamentit të Kosovës duhet të formohet qeveria. E formimi i qeverisë ka afate kushtetuese. Për këtë dua të them se as pozita e sotme dhe as opozita, si duket, nuk janë të gatshme të qeverisin në këto rrethana politike.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".