A PO BËN 'SEHIRE' GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS?!

A PO BËN 'SEHIRE' GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS?!
A PO BËN 'SEHIRE' GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS?!

Ismail Muçiqi

  • 25 June 2025 - 15:49

Shkruan: Gazetari Ismail Muçiqi

Derisa vendi po përballet me obstruksione, bllokada dhe grupacione të ndryshme politike që pengojnë funksionalizimin e organeve të Parlamentit të Kosovës, Gjykata Kushtetuese po bën "sehire", duke anashkaluar dhe sterzgjatur kërkesat e partive politike për interpretim kushtetues që do të mundësonte zhbllokimin e situatës aktuale në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Nuk ka dyshim se, në këtë moment kritik, nuk ka çështje më urgjente dhe prioritare për trajtim sesa zgjidhja e ngërçit parlamentar.

Është e pajustifikueshme që një problem që po rëndon mendjet e qytetarëve të Kosovës, po zvarritet për javë të tëra nga institucioni më i lartë juridik i vendit. Sjellja e Gjykatës Kushtetuese në këtë rast po dëmton rëndë funksionimin juridik dhe politik të Shtetit. Kjo situatë e konfirmon edhe një herë papërgjegjësinë e institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat, në vend se të veprojnë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën, shpesh ndjekin logjikën e interesave politike partiake, duke injoruar detyrën e tyre ndaj Shtetit dhe qytetarëve. Partitë politike i kanë shkelur të gjitha normat etike, morale dhe demokratike – për këtë shtet janë flijuar breza të tërë, dhe sot ai po bllokohet për interesa të ngushta personale dhe klanore.

Është turp, para qytetarëve dhe para botës, që një republikë e re, e dalë nga lufta për liri dhe demokraci, të funksionojë në këtë mënyrë të degraduar. Askush në këtë vend nuk është i paprekshëm – të gjithë kemi përgjegjësi për ta ndërtuar dhe mbrojtur Shtetin. As gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk janë engjëj, ata janë njerëz që e pine ujin dhe e thithin ajrin e këtij vendi, dhe duhet të jetojnë me hallet e qytetarëve të këtij vendi. Sistemi shtetëror i Kosovës, për vite me radhë, ka qenë i politizuar, ku politika i ka futur duart thellë në çdo institucion të rëndësishëm të Shtetit. Prandaj, ka ardhur koha që të ndalet kjo praktikë shkatërruese. Çdo individ që ka marrë përgjegjësi publike duhet të ndalet dhe ta pyesë veten: “Kah po shkon ky vend?”. Duhet të zgjohet ndërgjegjja institucionale dhe kombëtare për të ndryshuar qasjen dhe për të mbrojtur fatin e Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".