
Lexoni edhe:
E thotë analisti: Pushteti aktual, opozitën e ka pasur dhe vazhdon ta ketë palë me Serbinë
Shkruan: ANALISTI-Nue Oroshi
Fillimisht dua të them se politikanët shqiptarë janë treguar dhe po tregohen fëmijë të lazdruar. Po shihet qartë se ata dhe ato nuk marrin shumë vesh nga politika dhe politikën e kuptojnë si pronë të tyre ku mund të fitojnë milionat, dhe nuk janë të vetëdijshëm për përgjegjësitë që kanë marrë duke shkuar derë më derë dhe duke kërkuar votat e qytetarëve.
-Natyrisht që përgjegjësia më e madhe që 40 herë ka dështuar konstituimi i parlamentit të Republikës së Kosovës i takon kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Por pa përgjegjësi nuk janë as partitë e tjera politike. Përgjegjësinë e kanë të gjithë dhe përgjegjësia matet në bazë të votave që kanë fituar në popull. Ato parti që nuk e kanë kaluar pragun zgjedhor nuk kanë përgjegjësi, sepse nuk janë pjesë e parlamentit. Përgjegjësinë e kanë komplet partitë politike që janë pjesë e Parlamentit të Republikës së Kosovës. Të përbuzësh besimin që ta kanë dhënë qytetarët në zgjedhje është një lojë e pafytyrë që mund ta bëjnë vetëm deputetët shqiptarë të Parlamentit të Kosovës. Ta lësh një shtet të ri, që po e shikojnë shumë kush ta zhbëjnë nga faqja e dheut, ose duhet të jesh i shitur, ose duhet të mos kuptosh fare nga politika.
Nuk ka rrugë të tretë. E kam thënë edhe më herët dhe po e them edhe tash: faji i VV-së dhe i Albin Kurtit është betonizimi përmes një kandidature. Të dalësh 40 herë me një kandidat dhe ta refuzojnë 40 herë të njëjtën kandidate dhe të thuash se i kam votat për themelimin e institucioneve, këtë mund ta bëjnë vetëm ata të cilët janë mveshur politikës dhe nuk marrin shumë vesh nga politika. Në anën tjetër, as tri partitë tjera shqiptare nuk janë të vetëdijshëm për dëmin që po i shkaktojnë Republikës së Kosovës. Por unë mendoj se ilaçin e ka gjetur Gjykata Kushtetuese. Ajo iu ka dhënë afat 30 ditë dhe jam i bindur që në këtë afat kohor do të konstituohet Parlamenti i Republikës së Kosovës. Jo pse dëshirojnë deputetët që ta themelojnë për ta çuar Kosovën përpara, por atë do ta bëjnë nga frika e humbjes së mandatit të deputetit, ku shumica prej tyre nuk do të kenë shansa që të marrin një mandat të ri.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".