Verdikti që pritet të nxirret nga Dhomat e Specializuara mund ta vendosë Kosovën në një pozitë shumë delikate

Verdikti që pritet të nxirret nga Dhomat e Specializuara mund ta vendosë Kosovën në një pozitë shumë delikate
Verdikti që pritet të nxirret nga Dhomat e Specializuara mund ta vendosë Kosovën në një pozitë shumë delikate

Gani Qarri

  • 11 February 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Në fakt, drejtësia në shtetet demokratike evropiane nuk është hakmarrje, por verdikt përgjegjësie, akt qytetërimi dhe rast reflektimi, vendim i institucionit juridiko-ligjor që, me aktet e nxjerra, i jep kuptim shtetit të së drejtës dhe garanci mekanizmave shtetërorë për mbrojtjen e jetës së qytetarit nga padrejtësitë dhe veprimet arbitrare.

 

-Në anën tjetër, sipas shkrimeve në media, Thaçi, me të pranuar aktakuzën në dhjetorin e vitit 2020, do të mësonte se Prokuroria e Dhomave të Specializuara e akuzonte atë për 98 vrasje dhe abuzime me qindra të burgosur në kampet e UÇK-së, për të cilat ai mund të dënohet edhe me burgim të përjetshëm, por a thua do të mund t’i zbërthejnë plotësisht dënimet e rënda ndaj të akuzuarve, misterin e të gjitha vrasjeve të pazbardhura, pas 26–27 vitesh heshtjeje totale në Kosovë?!

Përfundimisht, në Gjykatën Speciale në Hagë, pas më se 6 vitesh nga arrestimi, po zhvillohen deklaratat përmbyllëse për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, me paditë penale se para dhe pas luftës kanë ndodhur qindra vrasje misterioze, me autor të pazbardhur, të paakuzuar, të pagjykuar dhe të padënuar asnjëherë, për më tepër se dy dekada me radhë. Ndaj, duke qenë se publiku di shumë pak për ngjarjet e zhvilluara, për të mësuar të vërtetën dhe njohur realitetin, duhet pritur edhe ndonjë muaj, deri në aktgjykimin përfundimtar të Dhomave të Specializuara.

Përgjigjja e Prokurorisë së Gjykatës Speciale se Dhomat e Specializuara nuk po gjykojnë UÇK-në si organizatë, por individët e akuzuar për krime në struktura, kampe dhe territore nën kontroll të UÇK-së, juridikisht është ndarje reale dhe jo vetëm formale, të cilat, bazuar në mbledhjen e provave dhe dëshmive të siguruara nga Gjykata Speciale, ka rezultuar se nuk kanë mundur të hidhen poshtë akuzat e ngritura, sepse vrasjet, keqtrajtimet, rrahjet, përndjekjet dhe kërcënimet është konfirmuar se kanë ekzistuar, kanë ndodhur vrasje dhe janë ekzekutuar njerëz, në kohën kur të akuzuarit aktualë ishin në pushtet, të veshur me fuqi vepruese dhe funksione ekzekutive.

Por duke qenë se, për më se 20 vjet, askush nuk është akuzuar, gjykuar as dënuar, shkaku i mosfunksionimit të drejtësisë së kapur në vend, nga faktori ndërkombëtar është marrë vendim që gjykata të transferohet në një shtet evropian, megjithëse ka vepruar dhe ende vijon të funksionojë nën juridiksionin dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

Sipas prokurores Kimberly West, akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit janë të rënda dhe nuk e kanë humbur peshën me kalimin e kohës. Sipas saj, 100 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë abuzuar në rreth 50 kampe ndalimi, me qëllimin e katër të akuzuarve për të fituar dhe ushtruar kontroll në gjithë Kosovën, të cilët kanë kryer krime ndaj kundërshtarëve të tyre të perceptuar, përfshirë Lidhjen Demokratike të Kosovës, një nga partitë më të vjetra në Kosovë, e themeluar në vitin 1989 nga Ibrahim Rugova, e cila ka luajtur rol kyç në periudhën e rezistencës paqësore dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike të vendit.

Pas përmbylljes së deklaratave, gjykatësit kanë tre muaj kohë për marrjen e vendimit, por rastin realisht e bën më problematik verdikti që pritet të nxirret nga Dhomat e Specializuara, i cili mund ta vendosë Kosovën në një pozitë shumë delikate, ngase, si shtet i pavarur, ka marrë përsipër detyrime ndërkombëtare dhe është e kushtëzuar të pranojë rregullat e funksionimit të shtetit ligjor, mbështetur në normat dhe parimet e drejtësisë ndërkombëtare, që nënkupton se rrjedhimisht duhet t’i respektojë vendimet gjyqësore të Dhomave të Specializuara ndaj të akuzuarve në Hagë. Përndryshe, në rast të shprehjes së hezitimit ndaj gjykimit për vrasjet e ndodhura nga vetë shqiptarët, nuk mund ta bindë Bashkimin Ndërkombëtar për trajtimin e padisë kundër gjenocidit dhe krimeve të luftës që Serbia ka kryer ndaj shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë!

Prokurorja Kimberly West ka theksuar se nuk kërkohet dënim për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së. Pranimi i dënimeve ligjore dhe vendimeve juridike që Gjykata Speciale pritet të nxjerrë për të akuzuarit nuk mund ta rishkruajë historinë e luftës, as t’i barazojë aktet e ndodhura me gjenocidin dhe krimet e kryera nga okupatori serb në Kosovë.

Ndërsa pretendimi për dënime kapitale me nga 45 vjet burgim për personat e akuzuar është akti dramatik që tregon se sa të rënda janë veprat me të cilat ngarkohen të arrestuarit dhe sa serioze ishin akuzat e ngritura kundër tyre nga “Zyra e Prokurorit të Specializuar”, që kërkon vendim dënimi për të gjitha pikat e aktakuzës, bazuar në veprimet individuale të krimeve të kryera nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi. Ndërsa, në momentet kur në Gjykatën Speciale në Hagë mbahen deklaratat përmbyllëse për krime lufte e krime kundër njerëzimit, Prokuroria ka kërkuar dënim prej 180 vjetësh burgim për të katërtit, por a thua do të mund t’i zbërthejnë plotësisht dënimet e rënda ndaj të akuzuarve, misterin e të gjitha vrasjeve të pazbardhura, pas 26–27 vitesh heshtjeje totale në Kosovë dhe kush do të përgjigjet e kujt do t’i bjerë barra e fajit për moszbardhjen e tyre?!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".