Bllokada institucionale mund të rikthehet nëse VV vazhdon të refuzojë çdo bashkëpunim me Listën Serbe

Bllokada institucionale mund të rikthehet nëse VV vazhdon të refuzojë çdo bashkëpunim me Listën Serbe
Bllokada institucionale mund të rikthehet nëse VV vazhdon të refuzojë çdo bashkëpunim me Listën Serbe

Florim Zeqa

  • 11 February 2026 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Ashtu siç e konfirmoi Gjykata Kushtetuese, e drejta për të propozuar kandidatin për nënkryetar të Kuvendit i takon partisë që ka fituar shumicën e vendeve të rezervuara për komunitetin serb, në këtë rast Listës Serbe, e cila i kishte nëntë nga dhjetë mandatet e rezervuara.

 

-Në këtë rast, bllokada institucionale mund të rikthehet nëse Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, e cila fitoi në zgjedhjet e fundit, vazhdon të refuzojë çdo bashkëpunim me Listën Serbe, ndërsa Lista Serbe refuzon të propozojë Rashiqin, serbin e përshtatshëm për kryeministrin!

Albin Kurti, duke e refuzuar qëllimisht Listën Serbe, rrezikon ta rikthejë monopolin e saj politik tek serbët e Kosovës, kurse në anën tjetër Lista Serbe po e përdor bllokadën e Kuvendit si instrument politik të Beogradit për të kushtëzuar funksionimin e shtetit të Kosovës, përkatësisht për ta sabotuar funksionalitetin e institucioneve shtetërore!

Përderisa Kushtetuta është shkelur një herë me shortin, nuk ka garanci se një zgjidhje e re politike nuk do të prodhojë sërish krizë ligjore dhe politike!

Kështu, Lëvizja Vetëvendosje po e rrezikon një bllokadë të re institucionale duke refuzuar bashkëpunimin me Listën Serbe, edhe pas vendimit të qartë të Gjykatës Kushtetuese!

Albin Kurti dhe kushdo tjetër që mendon ta refuzojë një “kategori kushtetuese” pa i ndryshuar amendamentet kushtetuese që i heqin dhjetë vendet e rezervuara për serbët, do të përballet me të njëjtën situatë paradoksale!

Mbetet e pajustifikueshme mospërpjekja e kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani që, për një mandat të plotë dhe me shumicë absolute të votave në Kuvend, nuk arritën të iniciojnë ndryshimet kushtetuese për heqjen e pengesave ligjore për krijimin e institucioneve, që në fakt janë vendet e rezervuara për serbët dhe zgjedhja e presidentit në Kuvend!

Pa heqjen e vendeve të rezervuara për serbët dhe pa zgjedhjen e presidentit nga populli, në vijimësi do të kemi përsëritje të situatës së njëjtë, të bllokadave për konstituimin e Kuvendit dhe postbllokadave për zgjedhjen e presidentit!

Aktualisht janë dy rrugë: njëra për pranimin e realitetit për krijimin e menjëhershëm të institucioneve shtetërore dhe tjetra, pas saj, për inicimin e menjëhershëm të ndryshimeve kushtetuese që krijojnë kushtet normale për mbarëvajtjen e punës së Kuvendit dhe mirëfunksionimin e institucioneve shtetërore.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".