
Lexoni edhe:
SHBA-ja dhe BE-ja kërkojnë kompromisin që Kosova të mos ngadalësohet në proceset euroatlantike
Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj
Pas një heshtjeje, relativisht të gjatë, janë shtuar zërat nga ndërkombëtarët për rifillimin e dialogut Kosovë–Serbi. Takimi i fundit, prej dy orësh, mes kryeministrit Albin Kurtit dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, u njoftua se trajtoi një sërë temash.
-Paraprakisht, nga kryeministri Kurti kishim kërkuar “t’i hapë letrat” me presidentin Macron, lidhur me Asociacionin dhe rrethanat e kushtet në të cilat është themeluar ai. Nuk e di nëse e ka përfillur kërkesën tonë? Sepse gjithçka ndërlidhet me agjentët e Shërbimit Informativ francez, lidhjet agjenturore me zyrtarët e lartë të Kosovës. Për rrjedhojë, kreu shtetëror i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, u rekrutua nga DGSE franceze, për llogari të Francës, përkatësisht Serbisë.
Për këtë flet në TV “Canal+”, kryeshefi i Shërbimit Qendror, Pierre Siramy, i cili thotë se “rekruti mjafton të dijë se për të ekziston një dosje”. Dhe këtë dosje e posedonte vartësi i Siramy-së, dhëndri i Serbisë, Danjear Arnaud. Shantazhimi me dosje faktike penalizuese ishte nismë e një sërë shërbimesh që kreu i Kosovës i bëri për Francën, përkatësisht për Serbinë. Në mesin e tyre është edhe nënshkrimi i Asociacionit për komunat me shumicë serbe.
Meqenëse Macron ka qenë bashkautor me kancelarin gjerman i një draft-statuti fatal të Asociacionit, të refuzuar nga pala kosovare, kryeministri Kurti, në takimin me Macron, duhej ta bisedonte dhe t’i kërkonte llogari atij: “Pse Franca nuk ka hequr dorë nga armiqësia e vjetër ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës, dikur në aleancë me Rusinë dhe Serbinë?!” Është obligim politik dhe moral që Macron ta dëmshpërblejë Kosovën për dëmin që i shkaktuan asaj shtetarët francezë dje dhe sot.
Dr. Vjosa Osmani, në cilësinë e presidentes së Kosovës, ua bëri të qartë BE-së dhe ndërkombëtarëve të tjerë se “dialogu me Serbinë ka dështuar i tëri, ishte bjerrje kohe e qëllimshme nga ana e Serbisë. Prandaj kërkojmë që dialogu të vazhdojë nën udhëheqjen e Amerikës”. Këtë deklaratë presidenciale e mirëpritën shqiptarët.
Ndërkohë mësohet se komisioni dialogues qeveritar kishte vazhduar bisedimet pa zhurmë. Bisedimet personale të Kurtit në Bruksel dhe Ohër, të mbetura si marrëveshje pa nënshkrime reciproke, BE-ja po i konsideron incizimet të mjaftueshme. Qeveria ngulmon se nuk do të ketë asnjë lloj Asociacioni! Por ka shpikur termin “vetëmenaxhim”, të cilin opozita e konsideron më të keq se Asociacionin e 2013-ës, diçka si autonomi! Në çarshi flitet se kjo marrëveshje e biseduar, më saktë e pranuar nga Kurti, është shkak i mospajtimeve mes presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti.
Përtej një dekade e gjysmë ka filluar dialogu Kosovë–Serbi, i proklamuar si “dialog politik” nga Hashim Thaçi dhe Edita Tahiri!? Por rezultoi i tëri jo “dialog politik”! Serbia kishte punuar shumë që pazaret t’i bëjë me zyrtarët e shantazhuar me dosje penalizuese.
Ishte boshnjakja Sabina Čudić, e cila në një mbledhje në OKB “e zuri me pelë për dore” ambasadoren Vlora Çitaku, duke lobuar për ndarjen e Kosovës. Në Kosovë gjithçka ishte uzurpuar, e kapur. Edhe AKI, edhe pse i dinte të gjitha pazaret e pista të Hashimit me PAN-in e tij, e heshti tradhtinë e madhe që i bëhej Kosovës. Dhe ishin shërbimet informative të SHBA-së, Gjermanisë dhe Anglisë, të cilat reaguan kundër konspiracionit fatal Thaçi–Vuçiq për ndarjen e Kosovës. Që andej u lëshua edhe urdhër arresti për Hashimin me shokë.
Kthimi i presidentit Donald Trump në “Shtëpinë e Bardhë”, me një strategji ndryshe, synon rregullimin e ri të rendit botëror, me ndërhyrje efikase, duke luftuar krimin dhe korrupsionin në shkallë botërore.
“E ndalova luftën në Kosovë”, deklaroi Trump, në mesin e vatrave të tjera të luftërave në botë. Së fundi foli për këtë edhe presidentja Osmani, por zuzarët e maskarenjtë, gjithçka që thotë Vjosa, nga smira e zilia, e quajnë “vetëlavdërim”!
Deklarata e fundit e SHBA-së në Këshillin e Sigurimit në OKB, nga përfaqësuesja amerikane Tammy Bruce, në seancën për Kosovën, ka dhënë mesazhe të veçanta për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vučić.
Bruce, si përçuese e drejtpërdrejtë e politikës amerikane, tha se presidenti Trump dhe populli amerikan vëzhgojnë me kujdes se si do të ecin përpara Kosova dhe Serbia. Është një moment politik dhe diplomatik i angazhimit aktiv të SHBA-së për dialogun, tashmë të zvarritur ndër vite. Është një sinjalizim i qartë, i ngutshëm, që synon fundin e paqartësive në dialogun Kosovë–Serbi. Dhe kërkon rezultate konkrete, shtytje për marrëveshje, të punojnë së bashku për ta arritur atë.
Deklarata e SHBA-së është sinjal pa ekuivok ndaj Albin Kurtit dhe Aleksandar Vučić për të ndryshuar qasjen e tyre ndaj dialogut, me mekanizma konkretë detyrues, dhe jo përsëritje diplomatike me retorikë boshe.
Në rast të plotësimit të kërkesave që i sugjeron Amerika, përfaqësuesja amerikane Bruce jep sinjal të fortë strategjik dhe zhvillim për rajonin e Evropës Juglindore.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".