E konstaton analisti: Nëse Albin Kurti do t’i ofronte LDK-së postin e Presidentit, ja çfarë do të ndodhte

E konstaton analisti: Nëse Albin Kurti do t’i ofronte LDK-së postin e Presidentit, ja çfarë do të ndodhte
E konstaton analisti: Nëse Albin Kurti do t’i ofronte LDK-së postin e Presidentit, ja çfarë do të ndodhte

Nue Oroshi

  • 28 April 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Nue Oroshi

Ofertat nënçmuese nuk mund të pranohen jo vetëm nga LDK, por nga asnjë parti politike. Nëse Albin Kurti do t’i ofronte LDK-së postin e Presidentit, si dhe disa ministri, dhe kjo e fundit nuk do të pranonte, atëherë faji do të bjerë mbi LDK-në. Por, meqenëse oferta e Albin Kurtit ka qenë sa për të marrë poenë politikë në zgjedhje, kësaj radhe populli nuk do të mashtrohet.

 

- Nuk do të mashtrohet, sepse Albin Kurti e humbi edhe gjysmën tjetër që patën ardhur bashkërisht në pushtet. E humbi ish Presidenten dr. Vjosa Osmani dhe, me gjasë, edhe kjo do të jetë në garë politike, qoftë me një parti të vetën, qoftë si bartëse e listës së LDK-së. Por ajo çka është e dhimbshme dhe që vërtet është për t’u vajtuar me lot gjaku është Republika e Kosovës. Ajo ka mbetur pa zot shtëpie, ku në livadhet e saj kullot një ideologji që ka gati një shekull që po na djeg tokën dhe po e lë gjithmonë në vuajtje, vaj e lot nanëlokën.

E ajo ideologji është komunizmi, prej të cilit janë themeluar shumë parti në Republikën e Kosovës dhe ku bijtë dhe bijat e komunistëve të djeshëm po e shkatërrojnë Kosovën edhe në ditët e sotme. Po e shkatërrojnë Kosovën për faktin se 80% të pushtetarëve në Republikën e Kosovës kanë rrënjë dhe vijnë nga familje me ideologji të majtë që kanë luftuar për Beogradin dhe kanë qenë në luftë të drejtpërdrejtë në vitin 1945 për t’ia rikthyer Serbisë edhe një herë Kosovën dhe ia kanë arritur qëllimit. Frika është se bijtë e tyre janë duke shkuar në të njëjtën rrugë të etërve të tyre për humbjen e shtetësisë së Republikës së Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".