Uashingtoni konstaton se procesi aktual mes Kosovës dhe Serbisë është joserioz

Uashingtoni konstaton se procesi aktual mes Kosovës dhe Serbisë është joserioz
Uashingtoni konstaton se procesi aktual mes Kosovës dhe Serbisë është joserioz

Idriz Zeqiraj

  • 28 April 2026 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj

Uashingtoni zyrtar konstaton se procesi aktual mes Kosovës dhe Serbisë është joserioz, madje i instrumentalizuar politikisht. Derisa kreu i shtetit serb, Vuçiq, me ekipin e tij, zotohet se "kurrë nuk do ta njohin shtetin e Kosovës", i gjithë dialogu burokratik relativizon suksesin e bisedimeve. Ai, edhe pse pranon të bisedojë, edhe kur dakordohet gojarisht për ndonjë çështje, nuk pranon të nënshkruajë, duke lënë hapur mundësinë e mohimit dhe refuzimit.

 

-Mesazhi më domethënës strategjik është se koha për paqartësi i përket së kaluarës. Ka munguar serioziteti dhe vullneti për t’i çuar proceset përpara. SHBA-të duan pak fjalë dhe shumë punë. Ka pasur një qasje joserioze dhe aspak fisnike, deri në relativizimin e rolit vendimtar të Amerikës për lirinë e Kosovës. Ndërkohë, është dëshmuar se angazhimi i SHBA-së ka peshë dhe zgjidh probleme edhe nga më të ndërlikuarat.

Serbia është toleruar deri në tepri. Ajo përfiton nga lidhja ortodokse me Rusinë dhe balancimi me shtetet e Perëndimit. Kjo ka ndikuar në rolin sabotues të përfaqësuesve të BE-së në dialogun Kosovë–Serbi, duke dëshmuar njëanshmëri të dukshme në favor të Serbisë.

Mospajtimet partiake brenda klasës politike të Kosovës, përçarjet e vazhdueshme të brendshme, intrigimet e argatëve të shantazhuar të Serbisë, të infiltruar në organet drejtuese pushtetare dhe shtetërore, kanë nxitur përçarjen, deri në bashkëpunimin me ish-pushtuesin serb. Kjo gjendje amullie e brendshme në Kosovë ka reflektuar në dyshimet për mosmbështetjen, në masën e duhur, të Kosovës, edhe pse në raport me Serbinë e meritonte përkrahjen.

Kosova ka nevojë për një klasë politike që interesin shtetëror e vë mbi atë personal. Rast qartazi i dëshmuar se klasa politike po bën të kundërtën është mosvazhdimi i mandatit të dytë presidencial të Dr. Vjosë Osmanit, e cila krijoi lidhje të veçanta me "Shtëpinë e Bardhë", duke e zhbllokuar ngërçin për disa procese vitale të Kosovës. Këtë nuk kishte arritur ta bënte asnjëri nga pararendësit e saj pas pavarësisë së Kosovës.

Stabiliteti i brendshëm ka ndikim dhe favorizon pozitën e shqiptarëve në rajon dhe më gjerë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".