Anlaisti: Për shkuarjen në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme mban përgjegjësi kryekëput opozita

Anlaisti: Për shkuarjen në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme mban përgjegjësi kryekëput opozita
Anlaisti: Për shkuarjen në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme mban përgjegjësi kryekëput opozita

Gani Qarri

  • 01 May 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Duke qenë se Kuvendi i Kosovës as në minutat e fundit të afatit kushtetues nuk arriti të zgjedhë presidentin e vendit, ky zhvillim i imponuar misterioz opozitar detyroi shkuarjen në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, akt bizar për të cilin mban përgjegjësi kryekëput opozita e turpit, e cila është mësuar të bashkëqeverisë Kosovën me Vuçiqin dhe të ashtuquajturën "Listë Serbe", apo dorën e zgjatur të Serbisë në vendin tonë, akt konspirativ i cili nuk mund, as nuk guxon më, për hatër të askujt, të shihet vetëm si krizë politike, por si një veprim shumë i rrezikshëm dubioz, që kërcënon publikisht shtetin e Kosovës.

 

-Edhe deklarata e mërzitshme e manekenit prepotent preshevar Lumir Abdixhikut për mundësinë që Vjosa Osmani të jetë kandidate e LDK-së për presidente, pas zgjedhjeve, duhet nënkuptuar si lojë tepër naive e mafies politike, e cila, pas shkatërrimit të strofullit në veri të Kosovës, ka gjetur vend në Prishtinë dhe po vepron, përsëri sipas direktivave të Aleksandër Vuçiqit, për prishjen e stabilitetit politik, pengimin e Kosovës në forcimin e faktorizimit ndërkombëtar të shtetit tonë të ri dhe stagnimin e ecjes përpara në rrugën e integrimeve euroatlantike të Republikës së Kosovës, si strategji turpi dhe egoizmi të paprecedent, për forcimin e pozicionit personal dhe dëmtimin edhe më të rëndë të LDK-së, si ish parti e mirënjohur institucionale, që nën tutelën e Lumir Abdixhikut vepron me këmbë e duar për ngërçe politike, bllokada institucionale dhe pengimin e mbarëvajtjes së shtetit të Kosovës në këto momente vendimtare.

Një zhvillim i trishtë, i cili nuk është retorikë e Albin Kurtit në Kuvend, as strategji e qëllimshme për ta kapitalizuar politikisht dështimin për zgjedhjen e presidentit, por fakt i mungesës së kompromisit institucional, përpjekje fatale për prishjen e çdo fillimi të mbarë, shkaktimin e destabilitetit politik dhe krijimin e problemeve sociale në vend, për inate personale, që ka filluar qysh nga 6 marsi i këtij viti, kur ish presidentja Osmani, ende pa zbardhur mirë mëngjesi, pa larë as sytë e vet dhe akoma pa u ngritur qytetarët nga gjumi, në koketim me tezakun e burrit të saj, oportunistin më primitiv në vend, Lumir Abdixhikun, shpalli shpërndarjen e Kuvendit dhe shkuarjen në zgjedhje të reja parlamentare, gjë që në këtë mënyrë dhe format veprimi antikushtetuese nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e pasluftës, gjatë 27 viteve të Kosovës në liri.

Ndaj nuk do shumë mend se një enigmë e tillë e stërlodhur alla preshevarçe do të vazhdojë edhe pas shpërndarjes së Kuvendit dhe çuarjes së Kosovës në zgjedhjet e pesta brenda 16 muajve, pa asnjë nevojë, gjë që do të kthehet në bumerang për opozitën e inkriminuar dhe narrativë se ajo sërish do të vazhdojë me rënie të lirë, edhe me rezultatin e zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Duke qenë se Parlamenti ka dështuar të zgjedhë Presidentin, pavarësisht afatit kushtetues 34-ditor, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës shpërndahet automatikisht dhe zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda afatit prej 45 ditësh, kështu që kryeministri i Kosovës, me të drejtë, ka hedhur akuza të rënda ndaj opozitës, e cila çoi vendin, pa asnjë arsye bindëse, në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, duke i mbingarkuar dhe vënë në siklet të jashtëzakonshëm edhe qytetarët e Kosovës me përsëritjen kaq të shpeshtë të votimeve, gjë që, siç u shpreh edhe vetë kryeministri Kurti, pa një opozitë të re, tanimë edhe pas zgjedhjeve të parakohshme, është gati e pamundur të kemi edhe presidente apo president të ri.

Habit shumë fakti se si politikani më naiv i Kosovës, tezaku i burrit të ish presidentes dhe kreu shumëfish i dështuar i LDK-së, prepotenti i paprecedent Lumir Abdixhiku, derisa nuk e di as për vete se me çfarë rezultati do të dalë nga zgjedhjet e reja, ka filluar t’i shesë popullit të Kosovës “profeci” të pjerrëta, “shqipërim arifqesh”, se si Vjosa Osmani, apo nusja e Preshevës, “me siguri” mund të jetë kandidatja e partisë për presidente, gjë që, pas zgjedhjeve të reja, e bën edhe më të pasigurt mundësinë e kandidimit të saj për të parën e vendit.

Kryeministri Albin Kurti, veçanërisht kësaj radhe, në seancën e dështuar për zgjedhjen e presidentit, kishte arsye të pamohueshme që ta sulmonte sa më ashpër opozitën e inkriminuar, një opozitë e vjetër, e cila, edhe nëse sjell ndonjë fytyrë të re, ajo pa ndryshuar vetë rrënjësisht, nuk i ndryshon as zanatin dhe karakterin e vet të vjetër, prandaj janë në rënie të lirë dhe do të bien vazhdimisht; madje, sa më shpesh që mbahen zgjedhje, ata aq më poshtë do të shkojnë, derisa të vazhdojnë të mos nxjerrin asnjë mësim nga imponimi i zgjedhjeve të panevojshme, me të cilat i kanë lodhur së tepërmi edhe qytetarët e pafajshëm të Kosovës.

E gjithë loja e opozitës, veçanërisht e politikanit më prepotent dhe tepër naiv e mashtrues publik, Lumir Abdixhikut, nuk ka të bëjë më as me profilizimin pozitiv të Vjosa Osmanit, as me rritjen elektorale të LDK-së, por me pengimin e shtetit të Kosovës, denigrimin dhe vendosjen në pozitë sa më qesharake të ish presidentes Osmani, si dhe uljen sa më poshtë të reitingut politik të saj nga frika se, po u kthye Vjosa edhe njëherë në LDK, mund t’ia marrë edhe postin e kryetarit të partisë; e për aq më tepër, prepotenti preshevar ka për qëllim edhe rënien elektorale të ish segmentit dikur mbarëkombëtar, LDK-së së madhe të Ibrahim Rugovës, që tanimë duket publikisht se do t’ia shohë sherrin Abdixhikut edhe më keq se sa Isa Mustafës, gjë që do ta dëshmojë vetë koha dhe zhvillimet spektakolare në vazhdim.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".