
Lexoni edhe:
Premtimet e Albin Kurtit kërkojnë kohë sepse Kosova është shtet i ri
Shkruan: ANALISTI-Qani Shabani
Deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me krijimin e xhandarmërisë dhe zvarritjen praktike të idesë për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, hapin një debat të rëndësishëm politik, juridik dhe strategjik për besueshmërinë e premtimeve qeveritare në fushën e sigurisë.
Premtimet e Albin Kurtit kërkojnë kohë sepse Kosova është shtet i ri
Lexoni edhe:
-Pyetja e parë që shtrohet është se çfarë garancie kanë qytetarët se projekti për xhandarmërinë do të realizohet, kur një prej premtimeve më të zëshme të vitit 2019, shërbimi i detyrueshëm ushtarak, ende nuk ka marrë formë konkrete. Nga pikëpamja e llogaridhënies demokratike, çdo premtim i ri matet në raport me realizimin e premtimeve të mëparshme. Përderisa shërbimi i detyrueshëm ushtarak u promovua për vite me radhë si nevojë strategjike për sigurinë kombëtare, ndryshimi i narrativës pa një raport të detajuar publik mbi arsyet e mosrealizimit lë hapësirë për dyshime se kemi të bëjmë më shumë me riformulim politik sesa me një transformim të mirëfilltë strategjik.
Natyrisht, modeli i mbrojtjes gjithëpërfshirëse që përmend Kurti nuk është i panjohur në teorinë moderne të sigurisë. Shembulli i Finlandës konsiderohet ndër modelet më të avancuara të rezistencës kombëtare, ku siguria nuk mbështetet vetëm te ushtria, por edhe te institucionet civile, infrastruktura kritike dhe mobilizimi shoqëror. Megjithatë, duhet theksuar se Finlanda e ka ndërtuar këtë sistem për dekada të tëra, mbi institucione të konsoliduara, kapacitete të mëdha financiare dhe një traditë të gjatë të mbrojtjes territoriale. Krahasimi i drejtpërdrejtë me Kosovën kërkon kujdes, sepse kushtet institucionale dhe burimet njerëzore e financiare janë dukshëm të ndryshme.
Prandaj, mbetet e paqartë nëse ky orientim i ri është rezultat i një analize të thellë profesionale apo një mënyrë për të justifikuar mosrealizimin e një premtimi që rezultoi më i vështirë për t’u zbatuar sesa ishte paraqitur fillimisht. Në mungesë të dokumenteve strategjike të publikuara dhe debateve të gjera profesionale, opinioni publik nuk ka mundësi ta vlerësojë plotësisht bazueshmërinë e këtij ndryshimi.
Sa i përket xhandarmërisë, sfidat janë edhe më konkrete. Krijimi i një strukture të tillë kërkon bazë të re ligjore, përcaktim të kompetencave, ndarje të qartë të përgjegjësive me Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe sigurimin e burimeve të konsiderueshme financiare. Për më tepër, procesi kërkon miratim parlamentar dhe konsensus të gjerë politik për të shmangur mbivendosjen institucionale dhe konfliktet e kompetencave.
Në rrethanat aktuale politike, ku Kosova përballet me polarizim të theksuar dhe sfida të shumta buxhetore, ekziston rreziku real që projekti i xhandarmërisë të mbetet për një kohë të gjatë në fazën e konceptit. Historia institucionale e Kosovës njeh mjaft iniciativa që janë prezantuar me entuziazëm politik, por që janë zvarritur për vite të tëra për shkak të mungesës së konsensusit, planifikimit financiar ose prioriteteve të ndryshuara qeveritare.
Për këtë arsye, suksesi i projektit nuk do të matet nga deklaratat politike apo konceptet teorike, por nga afatet konkrete, projektligjet e miratuara, burimet e ndara në buxhet dhe kapacitetet reale për zbatim. Deri atëherë, skepticizmi i publikut mbetet i kuptueshëm, veçanërisht kur përballet me një premtim të ri në një fushë ku një premtim i rëndësishëm i mëhershëm ende pret realizimin e tij.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".