Zeqa: Me xhandarmërinë po bëhet vetëm një ‘manovër politike’ e Albin Kurtit në fushatë zgjedhore!

Zeqa: Me xhandarmërinë po bëhet vetëm një ‘manovër politike’ e Albin Kurtit në fushatë zgjedhore!
Zeqa: Me xhandarmërinë po bëhet vetëm një ‘manovër politike’ e Albin Kurtit në fushatë zgjedhore!

Florim Zeqa

  • 04 June 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Përderisa shërbimin e detyrueshëm ushtarak, të premtuar që nga viti 2019, ende nuk e ka realizuar Albin Kurti, edhe xhandarmëria do ta ketë të njëjtin fat! Për shkak se nuk ka afat të qartë të realizimit, andaj nuk ka asnjë lloj garancie dhe rrezikon të mbetet vetëm një tjetër premtim politik i parealizuar në rrafshin praktik!

-Nuk duhet harruar fakti se krijimi i xhandarmërisë kërkon ligj të ri, buxhet dhe konsensus politik në Kuvendin e Kosovës, si dhe dakordim të plotë me bashkësinë ndërkombëtare, përkatësisht mit KFOR-in dhe NATO-n, si garantues të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit tonë!

Në anën tjetër, Kosova nuk ka kapacitete për ta funksionalizuar këtë strukturë të armatosur të përzier mbrojtëse të vendit.

Andaj, me xhandarmërinë po bëhet vetëm një ‘manovër politike’ e Albin Kurtit në fushatë zgjedhore! Ndryshe, ky është një proces që mund të zgjasë me vite pa rezultate konkrete, siç ishte ai për shërbimin e detyrueshëm ushtarak apo ai i Fondit të Sigurisë, i cili jo vetëm që nuk është funksional, por nuk është bërë asnjë transparencë e aspekteve financiare të atij fondi të përvetësuar nga mërgata!

Kurti po mundohet ta paraqesë modelin e ‘mbrojtjes gjithëpërfshirëse’ si më të mirë se shërbimi i detyrueshëm ushtarak.

Ky, përveçse nuk është ndryshim i argumentuar strategjik nga ekspertët, është një mënyrë për të justifikuar mosrealizimin e një premtimi të vjetër, siç ishte ai për shërbimin e detyrueshëm ushtarak!

Kosova, për ta funksionalizuar këtë strukturë të përzier ‘policore-ushtarake’, përveç lëkundjes së raporteve me ndërkombëtarët, mund të hyjë në një proces që mund të zgjasë me vite dhe dekada pa rezultate konkrete!

Kësisoj, shumë lehtë ‘Xhandarmëria e Kurtit’ mund të kthehet në një batutë popullore “sikurse xhandarët e Kurtit”, të cilëve nuk u dihet se ku e kanë kokën dhe as këmbët në Republikën e Kosovës.

Përderisa sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit sigurohen nga KFOR-i dhe përderisa FSK-ja nuk arrin të zbarkojë në Veri, edhe xhandarmëria mund të mbetet një iluzion i pambarim i Albin Kurtit dhe të tjerëve që bëjnë parashikime pa miratimin e Kuvendit të Kosovës, pa pëlqimin e NATO-s dhe BE-së!

Prandaj, koncept-dokumenti për krijimin e xhandarmërisë është më kompleks sesa shërbimi i detyrueshëm ushtarak, për të cilin nuk ka nevojë për ndryshim të amandamenteve kushtetuese, por do të mjaftonte miratimi i projektligjit në Parlament dhe aspektet financiare nga Qeveria e Kosovës!

Në çdo rrethanë, loja me fjalë në fushatë zgjedhore është më e lehtë se çdo realizim në praktikë i një premtimi të vogël elektoral!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".