Johnny Depp dekorohet me medalje nga Presidenti serb

  • G.G /
  • 17 February 2022 - 10:21
Johnny Depp dekorohet me medalje nga Presidenti serb

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i ka dorëzuar aktorit të famshëm Johnny Depp, medalje për “meritat në aktivitetet publike dhe kulturore, veçanërisht në fushën e artit filmik dhe promovimin e Serbisë në botë”.

Me ta pranuar medaljen e tij, Depp e shfrytëzoi rastin ta nderojë regjisorin serb të lindur në Bosnjë-Hercegovinë, Emir Kusturica, dhe tha që po ndihet shumë i nderuar.

Depp ka qenë i përfshirë në disa projekte përfshirë xhirimet e skenave në Beograd për filmin artistik “Minamata” dhe në serialin e animuar të prodhuar nga Serbia “Puffins Unlimited”.

“Unë sinqerisht ju falënderoj, President Vuçiç. Ju falënderoj që jeni kaq i sjellshëm për të ma dhuruar këtë medalje”, ka thënë Depp.

Kujtojmë që vjetëve të fundit reputacioni i Deppit është dëmtuar dukshëm në Hollywood. Ai i ka humbur disa role të rëndësishme filmike pas humbjes së rastit gjyqësor të ngritur nga ish-gruaja e tij, Amber Heard, e cila e akuzoi aktorin për dhunë fizike dhe emocionale

Nga atëherë, Depp ka qëndruar larg projekteve kinematografike me buxhet të lartë për të cilat shquhej gjatë gjithë karrierës së tij.

Megjithatë, në disa intervista të fundit, aktori deklaroi se pavarësisht se ka njerëz që po mundohen t’ia dëmtojnë reputacionin, ai premton se do të rikthehet më fuqishëm se kurrë në Hollywood. Se si apo kur do të ndodhë kjo gjë, mbetet të shihet.

(Kosova Sot Online)