Një vit pa aktorin Selatin Ademin

  • A.P /
  • 27 January 2021 - 15:35
Një vit pa aktorin Selatin Ademin

Jeta po vazhdon, njerzimi po kryen ritualin e zakonshëm: zgjimi nga gjumi, dalja në punë, takim me njëri tjetrin, kthimi në shtëpi dhe sërish gjumi. Kështu çdo ditë kjo rutinë e njëjtë. Vdekja e një aktori është vdekje e veçantë dhe nuk përngjason me asnjë vdekje tjetër. Është vdekje vetanake, por edhe kolektive, aq sa është i vetvetes aq shpirti i tij shndërrit për të tjerët. Selatin Ademi, ishte aktor emblematik i kinemasë si dhe i teatrit. Sot është një vjetori i vdekjes së tij.

Ishte mëngjes i ftohtë, atë natë nuk bëra gjumë të rahatshëm, disi në gjumë shihja plot ëndrra të errëta e pak të frikshme. U zgjova nga gjumi më flokë të ngatërruar, kisha një dhimbje të lehtë trupi, disi në vesh më vinte një zhurmë e shurdhër e kur hoqa pasëordin nga telefoni dhe po vërtitja sytë në facebook, morra lajmin e kobshëm për shokun, mikun dhe aktorin Selatin Ademin. Ai tashmë ishte ngjitur në shkallët e parajsës duke lënë trupin e tij me kujtime të ëmbla. Lëkura e fytyrs sime morri një ngjyrë të verdhë, ritmi i zemrës pomponte, dhe thellë në shpirt ndjeja një dëshpërim një vuajtje të errët dhe ende nuk mund të besoja se Selin nuk do ta shohë më kurrë në këtë botë.

Në varim ishin mbledhur, familjarë, miq, kolegë dhe shokë të ngushtë të Selatinit. Teksa ngjitej arkivoli me trupin e pajetë të Selit, dëgjoja hapat që shkelnin zhavorin, dhe zëra që ngjiteshin lart, si zogj të padukshëm, e dielli atë ditë janari nuk lëshonte rreze të shdritshme dhe të ngrohta, ishte fshehur prapa ngjyrës gri të qiellit. Familjarët qanin të cilët ishin në radhën e parë, të tjerët i hidhnin nga një sy arkivolit i cili qëndronte poshtë një fushe në varreza. Thosha në vete “Nuk po mund të besoj që Seli tashmë një milion vjet do të pushoj poshtë kësaj balte ngjyrë kafe”. Unë isha afër dhe thithja aromën e freskët të tokës dhe ajri i ftohtë atë ditë ma skuqte lëkurën e fytyra ime ishte shumë e ngrirë, e hija e zezë më kishte zbritur poshtë syve dhe buzët i kafshoja nga stresi, nervoza dhe dhimbja që ndjeja. Eh! Selatin, kush do të thoshte se sot është një vjetori i vdekjes tënde i roleve tua të skalitura që tashmë po nguliten vetëm në kujtesë të kohës. Ngadalë poshtë membranës së trurit aty te kujtesa më del ai imazhi ku luanim bashkë në shfaqjen “Nata e 12” e Ëilliam Shekspare. Roli yt ishte i fuqishëm, pothujase trup e shpirt ishe i krujar për atë rol që falte buzëqeshje të lehtë nga skena në egon e publikut. Asnjë fjali nuk e kishe në këtë rol, por lëvizjet dhe veprimet tua bën që publiku të të pëlqejë. Selatin, ishe simbol i mishërimit të karaktereve dhe personazheve. Ëmblemë e filmit dhe galeria e karakterve teatrale e skenike mbetet gjithmonë e fuqishme dhe rrezellëtiësë. Shpirtin dhe mendjen ja fale skenës, ndonëse mishërove vetveten, pa kursim hoqe ato zingjirë dhe u zhyte poshtë thellë në një lumnajë karakteresh, e pastaj me një magji i mbushe personazhet si në film ashtu edhe në teatër. “Mashtruesit”. Skenaristi i flmit ishte ti Selatin. Ky njëherësh është edhe filmi i parë në të cilin ka punuar skenarin Ademi. Filmi trajtonë një temë reale në Kosovë, që pak skenaristë pothuajse hiç nuk e kanë prekuar kurse ekziston dukshëm në mesin tonë. Dy gangster kërkojnë nga fëmijët që ata ta shtrijnë dorën nëpër rrugët e Prishtinës, që këtyre t’iu sigurojnë shumë të majme parash. Ata i mashtrojnë fëmijët, që kinse do ti dërgojnë në Itali për një jetë më të mirë. Pastaj vazhdove te filmat “Gomarët e kufirit”, “Dhurata e Zotit”, e shumë filma të tjerë.

Ikja e parakoshme e jote ka ngrirë rrëkaja të strehëve shpirtërore, duket sikur, stinët dhe gjethet trishtueshëm valëviten kah kortezhi që thyen atë dritën e fortë. Hija e dal nga trupi dhe shpirti yt po na ndjek me pëshpërima dhe sikur po e dëgjoj “Do të pasurohet teatri dhe filmi në Kosovë, varfëria profesionale po zhduket”. Teksa vështroj hijen tënde këshilluese e vërej se ajo tashmë u bë pjalmë dhe po shndërrohet në ajër.

Është e vështirë të shkruash për shokun tënd të ngushtë.

Ilir Muharremi, kritik arti


(Kosova Sot Online)