Jo llafe të kota, të veprohet me unitet kundër formulës së kompromisit të imponuar për marrëveshjen me Serbinë

Jo llafe të kota, të veprohet me unitet kundër formulës së kompromisit të imponuar për marrëveshjen me Serbinë

Gani Qarri

  • 24 October 2020 - 17:16

Shkruan: Gani Qarri

Pikërisht tani, është momenti vendimtar dhe më kritik, kur medoemos kërkohet unitet i njëmendtë politik i shqiptarëve, sidomos për ballafaqim me ideatorin e shpifur të ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës Mirosllav Lajcak, i cili edhe në Forumin e Sigurisë të mbajtur virtuelisht në Beograd, pa fije turpi, guxoi të deklaronte njëjtë si Hashim Thaçi pak kohë më parë, se zgjidhja mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë e dhimbshme dhe palët duhet të përgatiten për këtë.

Bisedimet me Serbinë, kohët e fundit, kanë hyrë në një fazë delikate dhe situatë të atillë të pa rrugëdalje,sa që, ose duhet të plotësohen të gjitha teket e Serbisë, ose nuk ka zhvillim të mëtejmë të bisedimeve dhe ecje përpara në drejtim të një marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare me këtë president kriminel e manipulator, ndaj dhe është koha e fundit, që këto qëndrime të padurueshme për Kosovën, të ndryshojnë urgjentisht.

Madje dikush duhet ta thotë hapur, bëjë publikisht të ditur dhe t`ia thyej hundët Aleksandër Vuçiqit, sidomos para ndërmjetësuesve të BE-së, se ky kriminel ishte dora e djathë dhe ministër i informatave në qeverinë e Millosheviqit, është bashkëpërgjegjës për të gjitha vrasjet, djegiet, përdhunimet dhe gjenocidin ç`njerëzor të Serbisë që ka kryer në mënyrë të organizuar shtetërore,ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Kosovë. Për aq më tepër, habit fakti se si kundër bëmave të tij gjenocidiale,ky kriminel është hapur e zgjeruar aq shumë dhe shkon deri atje, sa që me gjithë vrasjen e mese 14 mijë civilëve shqiptar, në mesin e tyre mbi 1432 fëmijë të pafajshëm të moshës vetëm ndonjë muajsh, 20 mijë femrave të përdhunuara, mbi 1643 trupave të shqiptarëve të kidnapuar të cilët ende i mbanë peng në Serbi, dëmeve disa-miliardësh të luftës dhe të gjitha krimeve e gjenocidit monstruoz të shkaktuar nga Serbia ndaj shqiptarëve në Kosovë, sikur të gjitha këto të kishin qenë vetëm numra të thatë dhe aq të pavlerë, Vuçiqi ende kërkon kompromise të reja nga Kosova, para të cilit çuditërisht, përveç Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, heshtin jo vetëm emisarët ndërmjetësues, por në të shumtën e rasteve edhe vet shqiptarët si dhe BE komplet.

Qeveritarët e Kosovës edhe kur reagojnë, ose reagojnë shumë ngathët ose heshtin fare, sikur të ndiheshin fajtor para një krimineli si Vuçiqi dhe shteti okupator e gjenocidial si Serbia, ndaj është koha e fundit që këto qëndrime të ndryshojnë urgjentisht dhe klasa politike e Kosovës, të bashkohet sa më parë, për t`ju kundërvënë në mënyrë të suksesshme dhe sa më efektive paralajmërimeve serioze të Serbisë dhe lobit pro-serb evropian që mbështetin hapur një marrëveshje kompromisi në dëm të Kosovës. Sikur mos të mjaftonte as kjo, edhe dora e djathtë e kriminelit Millosheviç në qeverinë e Serbisë,gjatë kohës së okupimit të Kosovës, Aleksandër Vuçiq u shpreh se sa i përket marrëveshjes me Kosovën nëse palët duan zgjidhje ajo duhet të jetë me kompromis me të cilin do të jenë të kënaqura njësoj të dyja anët. Ndaj lind pyetja e patejkalueshme, se ku fillon dhe mbaron kënaqësia e Serbisë, si dhe edhe sa kompromise tjera duhet ti bëjë Kosova dhe cilat janë ato, nëse Vuçiq nuk e quan kënaqje për Serbinë, riokupimin e serishëm të Kosovës dhe me kompromis nuk e nënkupton ndarjen apo ri futjen e tërësishme të Kosovës edhe 21 vjet pas çlirimit, nën ombrellën e shtetit okupator si Serbia.

Kështu që ne si shqiptar, përfundimisht duhet të vetëdijesohemi një herë e mirë, se nuk ka asnjë arsye të vetme që pos Mirosllav Lajçakut edhe nga ne si Kosovë, të kuptohet vetëm pozicioni i Serbisë a pozita e serbëve në Kosovë e cila jo vetëm se është e kuptueshme por edhe mijëra herë më e mirë se e çdo pakice tjetër në Ballkan dhe Evropë, e lëre më të krahasohet me gjendjen e mjerueshme të mbi 100 mijë shqiptarëve nën Serbi, nëse nga Serbia ende nuk akceptohet shteti i pavarur i Kosovës as nuk dëshiron të kuptohet paprekshmëria territoriale dhe shenjtëria e lirisë dhe pavarësisë të Republikës së Kosovës. Pra është koha e fundit që të kuptohet dhe pranohet edhe pozicioni i Kosovës dhe pozita e shqiptarëve të Kosovës Lindore, përderisa Aleksandër Vuçiqi edhe me diskutim substancial, shihet qartë se nënkupton vetëm përmbushjen e agjendës serbe, plotësimin e egos personale dhe tekeve të tij, duke bërë lëshime vetëm Kosova, deri në ndarjen apo ri futjen komplete të saj nën okupimin serb, që është edhe ëndrra e Vuçiqit dhe qëllimi final i Serbisë okupatore, të cilën nuk duhet ta lejojnë me asnjë çmim Kosova dhe shqiptarët.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".