Pozitë dhe opozitë në Kuvendin e Kosovës në lidhje të fuqishme me oligarkët Devolli

Pozitë dhe opozitë në Kuvendin e Kosovës në  lidhje të fuqishme  me oligarkët Devolli

Gani Qarri

  • 03 November 2020 - 07:13

Shkruan: Gani Qarri

Duke parë zhvillimet gjithnjë e më çoroditëse në vend nuk mund të kuptohet më se edhe çka duhet të ndodhë tjetër në këtë shtet, për tu dëshmuar se institucionet kryesore, Qeveria dhe Kuvendi, janë të kapura këmbë e krye dhe vënë tërësisht në shërbim të mafies dhe oligarkëve Devolli. Madje edhe vet Kuvendi i Kosovës në dy seancat e fundit ka dështuar ta votojë ndryshimin e ligjit për regjistrimin e automjeteve, një ligj i cili do ta eliminonte monopolin që tash e sa vite vazhdojnë ta mbajnë padrejtësisht Devollët, si kompania e vetme për homologimin e automjeteve në Kosovë. Ndaj para se të votohej ligji për regjistrimin e automjeteve, pikësëpari, do duhej të nxirrej ligji për dekriminalizim, të personave dhe partive participuese në krim, me të cilin do të luftohej korrupsioni dhe krimi i organizuar, i cili falë partive që ishin në pushtet tash e dy-trembëdhjetë vite me radhë dhe personave që ndër vite kanë favorizuar dhe krijuar terren të përshtatshëm për to, përfshi edhe këta që sot janë në Qeveri, me aminin e tyre, serish ka dështuar votimi i ligjit me ndryshimet përkatëse dhe heqja e homologimit të veturave që i lë pa monopol Devollët.

-Mjerisht në Kosovë tash e më se një dekadë e gjysmë, vazhdon rritja dhe thellimi i strukturave të organizuara kriminale, të cilat po bëhen gjithnjë e më kërcënuese për vendin ku politika, biznesi, korrupsioni, krimi i organizuar dhe kompanitë mafio oligarkike, janë shndërruar në sfidë të rëndë për sigurisë publike dhe paraqesin rrezik permanent për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës.

Ndërsa përkundër të gjithave sa ndodhin, vëmendja është përqendruar vetëm tek pasojat, por jo edhe te iniciuesit dhe shkaktarët e këtyre të këqijave, për jetëgjatësinë e të cilëve po kujdesen në vijimësi, partitë aktuale politike, deputetët dhe vet Kuvendi i Kosovës.

Veprimi i kriminelëve lirshëm dhe kooketimi i politikës në vazhdimësi me ta, është bërë tradicional dhe nuk përbënë më risi për Kosovën, madje vetë kryeministri aktual është kujdesur që ta shuaj edhe Task Forcën Ant-Korrupsion, levën e vetme , tek e cila shpresohej se do ti luftonte sadopak këto dukuri kaq negative për vendin dhe shoqërinë.

Me këtë propozim ndryshimi, do të hiqej detyrimi i shpifur dhe tërësisht i panevojshëm për homologimin e veturave që vijnë nga jashtë Kosovës, për çka secila parti që ngjitet në pushtet, deri më tash, licencën për kontrollimin e veturave që vijnë nga jashtë shtetit, i kanë dhënë gjithmonë vetëm kompanisë QAK – Eurolab, në pronësi të Shkëlqim Devollit. Kështu që rrjetet e nëntokës kriminale, të mbështetura edhe nga partitë në pushtet dhe qeveri, kanë vepruar lirshëm në formën e bandave të mirë organizuara mafioze për plaçkitjen sistematike të qytetarëve, formë që është kritikuar dhe konsideruar jo ligjore dhe e paarsyeshme edhe nga vet Bashkimi Evropian.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".