Tandemi Thaçi - Mustafa e kanë futur shtetin e Kosovës në rrugë pa krye, e pranuan Asociacionin e Komunave Serbe

Tandemi Thaçi - Mustafa e kanë futur shtetin e Kosovës në rrugë pa krye, e pranuan Asociacionin e Komunave Serbe

Gani Qarri

  • 12 December 2020 - 13:12

Shkruan: Gani Qarri

Për të nisur një fillim i mbarë dhe i ligjshëm ndërkombëtar, duhet të mblidhet urgjentisht parlamenti i Kosovës dhe ti shpall të pavlefshme të gjitha marrëveshjet e dëmshme, të kundërligjshme dhe antikushtetuese të kuislingut Hashim Thaçi, dhe të nisë përdorimi i praktikave ligjore ndërkombëtare për marrëveshjet e pasluftës, ndërmjet shtetit të çliruar me luftë nga okupimi dhe agresorit klasik, gjegjësisht shtetit okupator siç ishte Serbia.

-Nuk ka asnjë ligj ndërkombëtar, të njohur kudo qoftë në botë, që shteti okupator të shpërblehet për dhjetëra mijëra vrasje, përdhunime, krim dhe gjenocid të organizuar qeveritar e ushtarako-policor edhe me pasuri e territor autokton shtetëror, nga vendi i çliruar prej okupimit, siç e ngarkuan tradhtisht kuislingu Hashim Thaçi dhe jugo-komunisti Isa Mustafa, Kosovën pa kërkuar Asociacion reciprok edhe për shqiptarët e mbetur nën Serbi në Kosovën Lindore. Për herë të parë në historinë më të re, kjo po ndodhë me Kosovën dhe atë mbi 21 vite pas lufte, e cila mjerisht ka mbi 13 vite që sundohet nga kuisling e kalamaj politik, që jo vetëm nuk ditën asnjëherë si duhet ta udhëheqin shtetin por edhe plaçkitjen e pasurive jetike dhe shitjen e territoreve të vendit, vazhdojnë ta konsiderojnë "politikë"! Madje është vërtetë tepër e dhembshme që përderisa edhe pas më tepër se dy dekadave ende vazhdojnë të zbulohen varreza të reja masive anë e mbanë Serbisë me trupat e viktimave të pafajshme shqiptare nga gjenocidi i organizuar shtetëror sebo-millosheviqian, kriminelët serb, njëjtë si në Bosnje, në vend të dënimit, për krejt krimet që kanë bërë, të marrin si shpërblim, serish një Republika Sprapska tani edhe në Kosovë.

Kështu që është nevojë urgjente që të mblidhet sa më parë Kuvendi i Kosovës, dhe si organi më i lartë legjislativ i shtetit tonë të brishtë, të gjitha marrëveshjet e dëmshme e antiligjore të nënshkruara nga Hashim Thaçi e Isa Mustafa, të cilat i ka shpall në kundërshtim me rregullimin e brendshëm dhe Kushtetutën e vendit edhe Gjykata Kushtetuese, të shfuqizohen dhe hidhen poshtë menjëherë. Përndryshe nëse Enti më i lart legjislativ i vendit, si Parlamenti, vazhdon të heshtë edhe para këtyre akteve kuislinge e antishtetërore, tema e të ashtuquajturit Asociacion, jo vetëm që do kërkohet me zë tejet të ngritur nga Serbia, kinse shqiptarët qenkan fajtorë edhe për lirinë e tyre të fituar me gjak dhe i paskan mbetur borxh Serbisë, por do të kërkojë shpërblim edhe për robërinë shekullore dhe dhjetëra mijëra viktimat e shkaktuara mbi shqiptarët e pafajshëm, nga okupatorët serb, sa tu japin atyre edhe një Republika Srpska brenda territorit të Kosovës, si parapërgatitje për ndarjen e saj. Për aq më keq, tradhtia e kuislingut Hashim Thaçi me nënshkrimin e Asociacionit për të shpëtuar veten e tij nga Specialja si dhe përsëritja e nënshkrimit të këtij Asociacioni edhe nga jugokomunisti Isa Mustafa, jo vetëm që po shkakton probleme por edhe po i hakmerret në mënyrën më të vrazhdët dhe në vijimësi shtetit të Kosovës.

Marrëveshje e pështirë renegate e kontroverse, si dhe tërësisht kundër kushtetuese, e që duke qenë e kundërligjshme, vazhdon të mbetet edhe e pa zbatueshme, të cilën, përderisa shqiptarët e strukur vazhdojnë të heshtin edhe për moskthimin e trupave të kidnapuar që ende i mbanë peng Serbia, nëse Asociacioni i Thaçit e Isa Mustafës, nuk shfuqizohet sa më parë nga Kuvendi, Vuçiqi dhe përfaqësuesit e delegacionit serb do të vijojnë ta keqpërdorin si arsyetim për ta bllokuar serish vazhdimin e dialogut dhe penguar arritjen e marrëveshjes finale, për njohjen e Republikës së Kosovës. Për aq më tepër, pas bisedimeve të pasuksesshme të ditës së enjte edhe drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq u shpreh se si në takimin e dy delegacioneve që u zhvillua më 10 dhjetor në Bruksel, ka ngritur serish çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke numëruar sipas tij, edhe ditët që paskan kaluar nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit, por duke harruar tërësisht se ka mbi 21 vite, që Serbia ende mbanë peng edhe për së vdekuri mijëra kufoma të shqiptarëve të vrarë në mënyrën më mizore, dhe nuk lejon as të vdekur tu kthehen trupat e tyre, familjeve në Kosovë.

Ndaj, jam plotësisht i sigurte, se nëse nuk vepron shpejtë dhe si duhet, as në këto momente, për të gjitha këto, herët a vonë, do të mbahet përgjegjës për mosveprim edhe vet Kuvendi i Kosovës, si organi më i lartë legjislativ i vendit. Ndërsa autoritetet shtetërore të Kosovës, pas nënshkrimeve renegate të Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, për ta zhbërë këtë trashëgimi të mbrapsht dhe të rrezikshme të Asociacionit kundër kushtetues, që po e bartin si pasojë e veprimeve të pa përgjegjshme e antikombëtare nga kuislingu Hashim Thaçi dhe jugo-komunisti e bashkëpunëtori i Rrahman Morinës Isa Mustafa, pas shfuqizimit nga Kuvendi, kanë zgjidhje tejet të lehta e komode me dhjetëra për të mos thënë edhe qindra shembuj fare të thjeshtë e praktik dhe krejt lehtësisht të zbatueshëm, kudo në botë.

Kjo për vet faktin e thjeshtë se po të nisemi nga cilido kënd i botës, nuk gjen kund asnjë shembull, qoftë edhe të një shteti të vetëm agresor, që mund të jetë shpërblyer dhe dhënë tokë e pasuri për robërinë dhe pushtimin qoftë ai edhe vetëm disa vjeçar se lëre më të ishte edhe okupim shekullor, siç ka mbajtur Serbia të okupuar për gati 100 vite me dhunë Kosovën dhe shqiptarët. Madje pas luftës së dytë botërore, shtetet e pushtuara prej Gjermanisë, vetëm për 5-6 vite, jo vetëm që nuk i kanë dhënë asnjë shpërblim, por e kanë tkurrë e marrë edhe territore prej saj, duke dëbuar edhe pjesëtarët e popullsisë gjermane nga shtetet e tyre. Le të përmendim me këtë rast sa për ilustrim, vetëm Çekinë apo ish shtetin çekosllovak, i cili pas lufte me Dekretin nr.108 të Eduard Beneshit, të nxjerrë më 25 tetor të vitit 1945, jo që u ka konfiskuar pasurinë, por edhe i ka dëbuar në mënyrë kolektive të gjithë gjermanët sudetë dhe ata përreth kufirit me Gjermaninë, nën akuzën për bashkëpunim me nazistët, njëjtë siç kanë vepruar edhe kriminelët vendor serb bashkë me forcat kriminale të Millosheviqit duke shkaktuar gjenocid dhe krimet më të rënda mbi shqiptarët e pafajshëm në Kosovë.

Por çuditërisht, Republika jonë e vetmja në gjithë hapësirat nën ish Jugosllavi, sipas nënshkrimeve renegate të kuislingut Hashim Thaçi, përveçse do tu ofrojë shtet në shtet, serbëve lokal, me vetëm rreth 10 mijë kilometra katrorë dhe sipërfaqen më të vogël territoriale në rajon, po tenton për ta rritur e zgjeruar edhe më tepër Serbinë, megjithëse ajo posedon hiq më pak se mese 89 mijë kilometra katror, me tokat dhe pasuritë më jetike autoktone shqiptare të Kosovës, të cilat nuk i ka të mjaftueshme as për banorët e vet. Ky është shembulli jo vetëm më "sui-generisë", por edhe më tipik e më i padëgjuari kudo qoftë në botë, kur një shtet i okupuar si Kosova, turret ta shpërblejë me territor të vetin autokton, ish shtetin okupator, si Serbinë shoviniste të Aleksandër Vuçiqit.

E me ligjet dhe praktikat ndërkombëtare të marrëveshjeve të palëve ndërluftuese, Serbia jo vetëm që nuk do të shpërblehet por do të detyrohet edhe të shpaguaj të gjitha dëmet materiale dhe krimet e gjenocidin e pashembullt që ka shkaktuar për gati një shekull mbi shqiptarët deri në luftën e fundit çlirimtare, kur Kosova me kryengritjen e popullit të saj dhe ndihmën e miqve ndërkombëtar, u çlirua nga okupimi serb dhe doli përfundimisht ngadhënjimtare.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".