Turpi e po e mbulon gjyqësorin e Kosovës, shkatërruesit dhe zhvatësit e shtetit të paprekshëm, prokurorët e gjyqtarët me paga koti

Turpi e po e mbulon gjyqësorin e Kosovës, shkatërruesit dhe  zhvatësit e shtetit të paprekshëm, prokurorët e gjyqtarët me paga koti
Turpi e po e mbulon gjyqësorin e Kosovës, shkatërruesit dhe  zhvatësit e shtetit të paprekshëm, prokurorët e gjyqtarët me paga koti

Muhamet Kelmendi

  • 02 January 2021 - 08:24

Shkruan: Muhamet Kelmendi

Le të pyeten pushtetarët ku ishin dhe ku janë me pasuri? Çfarë pasurie kanë anëtarët e KGJK-së dhe te KPK-së, ose prokurorët dhe gjyqtarët. Të gjithë janë të pasur. Si u bënë? Mos vallë në Kosovën e varfër mundë të bëhesh milionere pa vjedhur? Jo. Kjo tash dihet. Po dihen edhe milionerët në Kosovë. Pse po flenë prokuroria dhe pse gjykatat nuk i dënojnë edhe ato pak raste që u vijnë në gjykim. Marri. Kosova po shkon në zgjedhje. Të shpresojmë që qytetarët do të dinë të votojnë. Vota duhet të jetë për VETTING. Këtu qëndron e ardhmja e shtetit juridik.

-Sistemi gjyqësor dhe prokurorial, i udhëhequr nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, është fusha me c‘rregullime dhe shkeljet më të mëdha të ligjit në Kosovë. Të udhëhequr nga KGJK dhe nga KPK ato organe të gjoja drejtësisë janë bërë të pa kapshme për pushtetin në Kosovë. Janë pavarësuar në fushën e keqpërdorimit shumë, sa që kemi raste jashtëzakonisht të rënda të shkeljeve ligjore. Edhe drogë po iu gjendet të afërmve nga prokurorët e gjyqtarët, nga udhëheqja e policisë e nga KGJK-ja dhe nga KPK-ja.

Ata nuk kapen dhe nuk dënohen. Po në këtë mënyrë po veprojnë edhe ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj pushtetit. Nuk ka logjikë që në këto organe të kemi subjekte që nuk dënohen fare dhe që nuk kontrollohen kurrë nga Kuvendi si themelues i tyre dhe Presidenti si vendosës në këto pozita të pushtetit juridik. Anëtarët e këshillave sillen si autoritar që nuk kontrollohen fare. Gjyqtarët dhe prokuroret e vazhdojnë rrugën e konsumimit të kohës pa suksese dhe kjo po reflektohet në drejtësi. Le të marrin shembull vëllezërit Devolli.

Thirren në Komisionin e Kuvendit dhe nuk shkojnë! Ose ndërtimet nëpër qendrat e Kosovës me ryshfet dhe nuk hetohen nga prokuroria! Ose Telekomi që është buzë shkatërrimit dhe likuidimit dhe nuk hetohen ish përgjegjësit nga ish Qeveria Thaçi dhe Isa Mustafës, dhe nuk përgjigjet askush! Shkohet deri me shkatërrimin e shtetit, sikundër ishte Marrëveshja për Asociacionin e vitit 2015, që e anuloj Gjykata Kushtetuese dhe as Isa Mustafa dhe askush tjetër nuk përgjigjet.

Turpi bëhet më i rëndë kur dihet se anëtarët e KGJK-së dhe të KPK-së, prokurorët dhe gjyqtarët, paguhen me të ardhura të popullit dhe me shuma deri në 3500 Euro. Çdo anëtare i ka nga 2500 deri në 3000 Euro të ardhura. Gjyqtarët dhe prokurorët mbi 2000 Euro Po çka punojnë? Asgjë! Vendi po rrezikohet ditë e më shumë nga krimi dhe nga korrupsioni. Rrëmbimet dhe plaçkitjet janë shpeshtuar. Në administratë askush nuk mundë të kryej asnjë punë pa ryshfet. Gjykatat dhe prokuroritë e vazhdojnë avazin sikur me qenë tamam shtet juridik. Edhe rastet më të rënda që vijnë dhe që hetohen, keqbërësit nga partitë pas dy a tri ditëve lëshohen në liri për tu mbrojtur, dhe partia del e kritikon se me qëllim po bëhen. Ju epen tenderë milionëshe ministrave dhe nuk hetohen! Po këtu nuk ka turp.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".