Ja si do të dizajnohet dialogu final me Serbinë pas krijimit të qeverisë së re nga zgjedhjet e 14 shkurtit

Ja si do të dizajnohet dialogu final me Serbinë pas krijimit të qeverisë së re nga zgjedhjet e 14 shkurtit

Gani Qarri

  • 10 January 2021 - 13:16

Shkruan: Gani Qarri

E vetmja shpresë për sukses mbetet vendimi i prerë i arkitektëve amerikan dhe atyre evropian të këtij dialogu, për heqjen e të gjitha varianteve tjera nga tryeza e bisedimeve, si çështja e këmbimeve territoriale dhe ajo e ndryshimit të kufijve, të cilat nëse vërtetë lejohet të hapen vetëm si tema, nuk e di kush më, se ku do të nisin as se si, e ku do të përfundojnë, dhe vendosjen e njohjes reciproke si kusht përfundimtar për integrimin në BE, akte pozitive që mund të rritnin gjasat reale për arritje të marrëveshjes finale gjithëpërfshirëse, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

-Pikësëpari, para se të flitet për marrëveshje dhe negociata me Serbinë, duhet diskutuar mbi marrëveshjet e partive politike në Kosovë dhe pritur rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit, për të parë, paraprakisht se a do të funksionojë fare, dashuria ndërmjet partive fituese për të hy së bashku në koalicion dhe krijuar një qeveri me legjitimitet për të vazhduar pastaj me dialogun, apo do të kërkohen flirte me afate të zgjatura për arritjen e marrëveshjeve të brendshme dhe krijimin e qeverisë së re, që para së gjithash, kësaj radhe shpresojmë të jetë e ligjshme dhe stabile. Në anën tjetër, nëse ndodhë që Albin Kurti të përjashtohet nga Kushtetuesja për deputet dhe udhëheqjen e listës së partisë së tij, dhe LVV nuk i fiton mbi 51 % të votave siç pretendon tash e sa kohë ajo vet, serish pritet të ketë komplikime të mëdha në vend, manipulime partiake, trazira masive dhe zvarritje të gjata për krijimin e institucioneve të reja.

Kështu që, vetëm pas formimit të qeverisë së re, varësisht prej përmbajtjes dhe pjesëmarrësve në koalicionin e ardhshëm qeverisës mund të flitet serish-jo apriori me siguri, por të spekulohet nëse Qeveria e re e dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit, ka mundësi të jetë qeveria vendimtare e Kosovës me të cilën do të përmbyllet edhe procesi i dialogut dhe arritja e marrëveshjes finale me Serbinë, po qe se ekziston vullneti i dy anshëm politik dhe nuk mungon ndihma e faktorëve relevant ndërkombëtar, veçanërisht e atyre amerikan dhe evropian, për përfundimin e drejtë të dialogut.

Përndryshe sado që Qeveria e re mund të jetë nën ndikimin e diplomacisë amerikane dhe asaj të BE-së, njëjtë si qeveritë e mëparshme, të cilat edhe ato, nuk ishin të liruara nga ndikimet e faktorit ndërkombëtar, e vetme nuk mund të bëjë asgjë, më shumë se sa të mos i thotë jo dialogut dhe të shkojë formalisht në takime sa për të dëshmuar se ka vullnet për dialog, ngase për të arritur një marrëveshje duhen të paktën dy partner apo dy palët kryesore, të përfshira në procesin e dialogimit, nëse jo edhe më tepër faktor.

Vetëm kjo formë veprimi do të ishte rruga një-kahesh dhe e pa kthim, për ta përmbyllur këtë proces të tej zgjatur ndër vite, nga kjo qeveri, nëse vërtetë siç thotë eksperti gjerman dhe anëtari i “Democratization Policy Council”, Bodo Ëeber, pritjet e faktorit ndërkombëtar për përfundimin e shpejtë të negociatave Kosovë-Serbi, janë të sinqerta dhe reale, siç ishin ato të kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila tanimë ka muajt e fundit para largimit nga pozita e kancelares, e që mund ta përshpejtoj apo "detyrojë" zgjidhjen me njohjen reciproke Kosovë-Serbi, pasi që tashmë edhe në Amerikë, në vend të Trumpit e Grenellit, fatmirësisht do të vendoset një administratë e re, e drejtuar nga z. Joe Biden, i cili është i njohur si mbështetës i vjetër i vendosjes së drejtësisë edhe për Kosovën dhe shqiptarët në rajon.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".