Goditet ashpër lidhja e krimit të organizuar me sistemin e drejtësisë në Kosovë!

Goditet ashpër lidhja e krimit të organizuar me sistemin e drejtësisë në Kosovë!

Gani Qarri

  • 27 January 2021 - 13:35

Shkruan: Gani Qarri

Kritikat e ambasadorit Kosnett dhe shefit të Zyrës së BE-së, në vend, përfundimisht vërtetojnë dhe konstatojnë edhe njëherë më tepër, se sa e ulët është dhe vazhdon të mbetet përgjegjësia e prokurorëve të kapur të shtetit të Kosovës, të cilët ende nuk e kane guximin ti shkëputin lidhjet e veta me krimin e organizuar dhe as të ndërpresin kooketimin me politikanët e inkriminuar, bosët të cilët kontrolluan dhe vazhdojnë ta kontrollojnë tere sistemin e drejtësisë, megjithëse dy prej tyre, janë “aziluar” në Hagë, për tu gjykuar nga Dhomat e Specializuara edhe për krime kundër njerëzimit.

-Se prokuroria dhe sistemi gjyqësor i Kosovës, jo vetëm që janë tërësisht të kapur nga mafio-politika vendore, por edhe gati inekzistente, u pa edhe një herë, gjatë punimeve të fundit të Konferencës vjetore të prokurorëve formal, të cilët bashkë me shefin e tyre, kryeprokurorin e katapultuar përmes telefonatave të Kadri Veselit, për fatin e keq të vendit dhe popullit të Kosovës, mund të jenë gjithçka tjetër, por vetëm prokurore te mirëfilltë kurrsesi nuk janë, fakt që vërtetua edhe nga diskutimi i ambasadorit Kossnet dhe shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë Tomas Szunyog. Madje si nga ambasadori amerikan, ashtu edhe nga shefi i zyrës së BE-së, (pa)drejtësia Kosovare, e mori edhe një dekonspirim shumë të rëndë dhe denoncim tepër të fuqishëm për lidhjet e pandërprera të saj me korrupsionin dhe krimin e organizuar, që pikërisht për shkak të mosveprimit të të ashtuquajturit sistem i drejtësisë, kanë metastazuar ne gjithë Prokurorinë e shtetit dhe Gjyqësorin inekzistent të Kosovës.

Për aq më tepër, ambasadori Kossnet dhe shefi i Zyrës së BE-së, këto vërejtje i shpalosën publikisht mu gjatë punimeve të fundit të Konferencës vjetore të prokurorëve formal, të organizuar nga i vetëquajturi "Këshill Prokurorial i Kosovës", të cilët përkundër kritikave të vazhdueshme, ende vazhdojnë të tregohen vesh shurdhër e sy mbyllur dhe tepër te pacipë, duke mos respektuar jo vetëm denoncimet e qytetarëve për lidhjet e gjyqtareve dhe prokuroreve me krimin e organizuar, por as kritikat e ashpra dhe plotësisht me vend të faktorit ndërkombëtar.

Ndaj, menjëherë pas formimit të Qeverisë së re, e cila do të dal nga zgjedhjet e 14 shkurtit, është momenti i fundit që të shkarkohet urgjentisht kryeprokurori dhe prokurorët e inkriminuar si dhe të spastrohet rrënjësisht drejtësia Kosovare, në mënyrë që ajo, përfundimisht të vihet në funksion të interesit publik dhe shtetit të së drejtës, duke u shkëputur njëherë e përgjithmonë nga lidhja me krimin e organizuar dhe krimo-politika e institucionalizuar në të gjitha poret e shtetit!

Mesazhin më të qartë dhe më të fuqishëm para prokurorëve të shtetit, e dha pikërisht ambasadori amerikan në Prishtinë z. Kossnet i cili në konferencën vjetore të Prokurorëve porositi hapur ata që të mos i frikësohen llogaridhënies, por të veprojnë vet dhe kërkojnë nga prijësit e tyre, që t’i përmbahen në mënyrë rigoroze standardit më të lartë ligjor dhe etik, si dhe të mbrojnë me forcë të drejtat e viktimave dhe sigurojnë dinjitetin njerëzor për të akuzuarit, duke vendosur drejtësi të barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh pozitat e tyre në shoqëri”.

Edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, u shpreh publikisht para prokurorëve, se efikasiteti dhe llogaridhënia nga prokurorët, shihet nga rastet e fituara në Gjykatë dhe jo në aktakuzat e ngritura sa për numra statistikor që dështojnë, për shkak të mungesës së fakteve, të cilat çdo prokuror duhet ti mbledhë me kohë dhe dëshmojë në procesin e gjykimit.

Ndërsa matja e rezultatit të punës së tyre, kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar bëhet me dënimin e autorëve dhe konfiskimin e pasurisë së fituar kundërligjshëm nga kushdo qoftë, përfshi edhe politikan të inkriminuar me pozita të larta shtetërore.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".