Qytetarët e Kosovës të pashpresë me këtë kastë politike, edhe dy dekada në pritje për ta mundur krimin dhe korrupsionin

Qytetarët e Kosovës të pashpresë me këtë kastë politike, edhe dy dekada në pritje për ta mundur krimin dhe korrupsionin
Qytetarët e Kosovës të pashpresë me këtë kastë politike, edhe dy dekada në pritje për ta mundur krimin dhe korrupsionin

Gani Qarri

  • 01 shkurt 2021 - 07:34

Shkruan: Gani Qarri

Përfundimisht, mjerimi arrin kulmin, jo vetëm kur qytetari dëgjon këtë gjuhë të ashpër, të ish pushtetarëve të kriminalizuar dhe të korruptuar deri në fyt, por edhe vetëm kur paramendon se po arritën po këta kapës brutal të shtetit, ti mashtrojnë serish qytetarët, apo ti blejnë përsëri votat e qytetarëve të varfëruar dhe ta ripërtërijnë edhe një herë marrjen e pushtetit, me siguri të plotë edhe vitet e ardhshme do të shkojnë për faqe të zezë, njëjtë siç kanë shkuar këto 22 të deritanishmet, me plot korrupsion e krim të organizuar dhe kapjen totale të shtetit, duke bllokuar çdo perspektivë për qytetarët dhe mbyllur të gjitha rrugët e mundshme të progresit dhe integrimeve evropiane, shtetit të kapur të Kosovës.

-Liria e shprehjes është një ndër të drejtat më themelore të njeriut, e garantuar edhe për qytetarët e Kosovës, me ligjet vendore dhe ato ndërkombëtare. Por një gjë duhet përfundimisht të kuptohet pikësëpari nga vet udhëheqësit e segmenteve të kriminalizuara politike në vend, se edhe vet liria e shprehjes u nënshtrohet kufizimeve të caktuara dhe mund të shtrihet vetëm deri atje, sa nuk cenon lirinë dhe të drejtat e tjetrit.



Kufizimi i lirisë së shprehjes bëhet pikërisht për parandalimin e gjuhës së urrejtjes, në të kundërtën, çdo tejkalim i këtyre parimeve, jo vetëm ndalohet por konsiderohet nga shkelje e të drejtës së tjetrit, deri në kundërvajtje, gjë që në rastet më të rënda mund të klasifikohet edhe si akt i dënueshëm dhe sanksionohet me koncesione ligjore.

Por për ndryshim nga Kosova, ku e drejta e shprehjes së lirë nuk njeh kufij madje jo vetëm nga individ por edhe nga segmente të caktuara, ajo keqpërdoret edhe për të fyer e ofenduar të tjerët, në shtetet me demokraci të zhvilluar, jo vetëm që është e rregulluar me nene të veçanta dhe mbrohet me ligj, por respektohet rigorozisht edhe nga vet qytetarët dhe sidomos partitë politike, të cilat parim parësor partiak kanë etablimin si gardian të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut si dhe të rendit dhe ligjit para votuesit dhe publikut vendor.

Kështu që në shtetin tonë të brishtë e të kapur nga krimi i organizuar, varfërimi i skajshëm i vendit, nepotizmi, mostrajtimi i barabartë i qytetarëve, shkatërrimi i sistemit arsimor, gjyqësor dhe prokurorial, padrejtësitë në punësim, korrupsioni galopant, kapja e organeve të ruajtjes së rendit dhe të ligjit, krimi i organizuar, dhe keqqeverisja tradicionale e partive të inkriminuara të cilat e mbollën, përhapën dhe zgjeruan korrupsionin dhe krimin e organizuar në gjithë Republikën e Kosovës, kanë bërë që qytetarët e vendit, pas dy dekadave, përfundimisht t`ua kthejnë shpinën partive të kriminalizuara dhe të votojnë për ndryshime.



Ndaj, të mësuara nga përvoja e egër e së kaluarës, se ndikimi i gjuhës së urrejtjes sidomos tek të rinjtë dhe një pjese të votuesve të frustruar të Kosovës, është mjeti politik më me ndikim për të krijuar bindje triumfaliste dhe partizim klanesh dhe votuesish euforik, për përfitimin e votave, ish pushtetarët e kriminalizuar dhe segmentet e përhapjes së korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend, duke pasur të kapur dhe nën dirigjimin e vet, çdo institucion shtetëror, kanë filluar ta përdorin pa asnjë ndrojtje dhe kufizim moral a etik, gjuhën më brutale dhe më të ashpër e tepër denigruese, ndaj rivalëve në fushatën parazgjedhore, sidomos ndaj LVV-së dhe partnerit të saj, Listës së prof. dr. Vjosa Osmanit të cilët në vend, shihen si fituesit potencial të zgjedhjeve që do të mbahen me 14 shkurt.

Dhe për të gjithë pjesëtarët e kriminalizuar të mafies politike në vend, ky fakt sinjifikant, është treguesi më i mirë për rrezikun që po e shohin, para hundëve të tyre, të inkriminuarit dhe shkatërruesit e shtetit për këto dy dekada, nga ndëshkimi popullor, që në zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme parlamentare, po i pretë, kjo formë e referendumit popullor për ndryshime.



Por, fatkeqësisht duke pasur parasysh se praktikat e deritanishme jo vetëm në zgjedhjet e Kosovës, por edhe në vendet me zhvillime të ngjashme të rajonit, kanë dëshmuar se gjuha e ashpër dhe denigruese përdoret gjithmonë nga politikanët që nuk kanë alternativë bindëse për ta joshur votuesin, siç janë politikanët e degjeneruar të Kosovës, ata kanë filluar serish ti nxitin klanet e veta dhe grupet e militantëve partiak që të bëjnë propagandë denigruese dhe fushatë të egër, deri tek ofendimet e pa argumentuara me shpifje të ndyra, e pa asnjë arsye të bazuar, kundër rivalëve politik.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".