Populli para provimit, a do të shemben bastionet e krimit me 14 shkurt?

Populli para provimit, a do të shemben bastionet e krimit me 14 shkurt?

Gani Qarri

  • 02 February 2021 - 07:52

Shkruan: Gani Qarri

Shembja e bastioneve kriminale dhe shkërmoçja përfundimtare e partive të krimit të organizuar në vend, të cilat tash e mbi dy dekada po e mbajnë të kapur të gjithë shtetin e Kosovës, janë shpresa më e madhe momentale e qytetarëve dhe aktualisht shansi më real për ndryshimin e shumëpritur pozitiv, me shkëputjen definitive të votuesve ne masë nga lidhjet fisnore e klienteliste të partive të krimit të organizuar. Vetëm përcaktimi i votës së qytetarëve të vetëdijesuar dhe të lodhur nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, për vlerat demokratike programore dhe profesionale, bënë shpëtimin përfundimtar të Kosovës nga klanet e inkriminuara dhe lidhjet e rrjetëzuara të politikës së inkriminuar me nëntokën kriminale, të cilat për mbi dy dekada, e kanë mbajtur të izoluar gjithë vendin, kanë penguar demokracinë dhe bllokuar tërësisht perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës.

-Lidhjet e forta të politikës me krimin e organizuar në Kosovë, siç është dëshmuar tanimë edhe publikisht, asnjëherë nuk kanë qenë vetëm raste të izoluara, por format më ekstreme të sundimit arbitrar dhe qeverisjes brutale në partneritet me nëntokën kriminale dhe krimin e organizuar, për gati 22 vite me radhë. Lidhje të pa shkëputura, mbi dy dekada, të partive më të degjeneruara në rajon e më gjerë, të cilat siç u vërtetua serish edhe me raportin më të ri të organizatës Transparency International, me shkronja të mëdha e të theksuara, korrupsioni dhe krimi i organizuar edhe më tej, vijon të mbetet problemi më madhor në Kosovë, i cili përveç pengimit të prosperitetit dhe bllokadës totale të shtetit tonë të brishtë, dëmton rëndë edhe aspiratat e rinisë dhe të qytetarëve për zhvillim dhe jetë normale në Kosovë.

Madje, pikërisht për fajin e partive të inkriminuara me udhëheqësit më të kriminalizuar në rajon e më gjerë, krimi dhe korrupsioni jo vetëm që nuk kanë rënë, por përveç faktit se tash e sa kohë gjendet në grupin e vendeve me krimin dhe korrupsionin më të lartë, për shkak të mos luftimit të këtyre dukurive kriminale, Kosova këtë vit është kategorizuar edhe për tri vende, më keq se vitin e kaluar në ranglistën e shteteve më të korruptuara dhe me masën më të madhe të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndaj partitë e shpenzuara e te inkriminuara deri në fyt, të cilat gjatë gjithë këtyre mbi 21 viteve, qëndruan me forcë në pushtet dhe e zhytën gjithë vendin në korrupsion dhe krim te organizuar, të tmerruara nga shembja përfundimtare e klaneve të veta kriminale dhe bastioneve fisnore, si dhe fillimi i ngritjes së vetëdijes qytetare për ndryshim me ndëshkimin e tyre të merituar, kohët e fundit, nga frika e madhe e humbjes, përfliten se kanë përgatitur plane për joshjen e votuesve edhe me para të pista për të blerë serish zgjedhjet dhe mbajtur edhe më tej në duart e veta pushtetin.

PDK-ja e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, e cila edhe dy dekada pas çlirimit, vazhdon ta quaj veten-si parti e krahut të luftës, siç dihet tanimë publikisht, është ndarë e përçarë dhe bërë pikë e pesë, sidomos në bastionin e Drenicës, nga e cila kohë më parë ishte ndarë edhe NISMA e Fatmir Limajt, kurse bastionet e LDK-së në Dukagjin, Anadrini dhe Anamoravë ka kohë që, jo vetëm janë dobësuar si s`ka më keq, por dhe kanë humbur tërësisht ndikimin politik dhe autoritetin partiak e organizativ, njëjtë siç ka ndodhur edhe me Prishtinën.

Ndaj vet forma më ekstreme e partneritet me krimin e organizuar, i cili u vinte në ndihmë po-këtyre partive të inkriminuara për ta sundua vendin dhe blerë votat me paratë e krimit në zgjedhje, për ta mbajtur për gjithë këto vite në duart e tyre pushtetin, përfundimisht ka bërë që përveç përçarjeve brenda PDK-së edhe shkërmoqja e LDK-së, partisë partnere të PDK-së, në korrupsion dhe krim të organizuar, të shkoi deri atje, sa që në zgjedhjet e paradokohëshme lokale u shemb tërësisht edhe bastioni i fundit i saj, si Podujeva. Kështu që sidomos pas përjashtimit të Vjosa Osmanit nga LDK, prej pleqve të matufosur të kësaj partie, ndëshkimi i elektoratit të frustruar në mbarë Kosovën, veçanërisht kësaj radhe, pritet të jetë tepër i ashpër dhe i rëndë për LDK-në, partinë e deformësuar, e të kthyer në eskortë private të jugo-komunistit nostalgjik Isa Mustafa.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".