Dënimet me kusht për krim e korrupsion të papranueshëm nga BE-ja, ky gjyqësor i ndikuar nga krimo politika po e bllokon edhe liberalizimin e vizave

Dënimet me kusht për krim e korrupsion të papranueshëm nga BE-ja, ky gjyqësor i ndikuar nga krimo politika po e bllokon edhe liberalizimin e vizave

Hajrullah Tërnava

  • 23 February 2021 - 07:36

Shkruan: Hajrullah Tërnava

Tani prapë po vazhdohet ashiqare lidhja e fuqishme kriminale e drejtësisë me politikën, ashiqare po dalin në shesh gjykimet e ndikuara nga politika, duke dhënë dënime me kusht për të fortit e pushtetit, edhe kur ata kapen në flagrancë dhe me fakte për abuzimin me detyrën zyrtare. Një skandal i tillë ka ndodhur gjatë fundjavës kur gjykatat themelore dënuan dy zyrtare te larte publik për vepra penale korruptive, njeri nga PDK dhe tjetri nga AAK. Në të dy rastet, gjykatat shqiptuan dënime me kusht, sepse definitivisht Gjykatat nuk kanë dhe nuk patën guxim dhe kurajë të shpallin dënime me burgim efektiv.

-Situata në të cilën gjendet Kosova, sa ju përket krimeve dhe korrupsionit, tani e kemi të gjithë të qartë se si rezultat i kësaj gjendje kemi mbet i vetmi shtet në Evropë pa Liberalizim të vizave, për shkak të mos luftimit të krimit në përgjithësi, sepse deri më tash të gjithë të mëdhenjtë e shtetit që e kanë udhëhequr Kosovën, pas vdekjes së Rugovës, nga ata që ishin në poste më të larta si kryetar ministra etj, e deri te shefat e institucioneve që iu ka dhënë shansa, janë zhytur në krim e korrupsion. Kjo është bërë për të vetmin qëllim, që të pasurohen, prandaj edhe janë pasurua në mënyrë enorme dhe nga skamnorët tani janë multi milionerë.

Për këtë shkak të mos luftimit të krimit, e sidomos të vrasjeve të shumta të pasluftës të qindra aktivistëve që ishin njerëz me emër e që shumica ishin aktivistë të LDK-së, deri më tani asnjë vrasje nuk është zbuluar-zbardhur. Faktori ndërkombëtar, sikur që ishin më parë UNMIK dhe EULEX-i, edhe që kishin të dhëna për vrasjet dhe ekzekutorët e tyre, ata e dinin se në Kosovë të atyre kohërave, askush nuk mund ti gjykoj ata vepër kryerës, sepse ekzistonte lidhja mes dorë vrasësve dhe të mëdhenjve të shtetit që kanë dhënë urdhra për vrasjen e tyre. Për këtë shkak u gjet mënyra dhe tani u krijua Gjykata Specialë me seli në Hagë, që e krijoj Parlamenti i Kosovës si gjykatë e shtetit të Kosovës, me iniciativën e vetë atyre që tani gjenden në Hagë.

Me që deri më tani ata të “mëdhenjtë” që kishin gisht në ato krime të ndryshme dhe vrasje, zaptim të objekteve industriale të ndryshme të atij sistemi, tokave të kooperativave bujqësore që ishin pronë e Kosovës e shumë tjera vepra kriminale për përfitime, i përvetësuan dhe askush kurrë nuk është dënuar, përkundrazi kur u bënë pronar të atyre pasurive të patundshme, edhe kur u ndërtuan autostrada, e planifikuan që autostrada të kaloj nëpër tokat e tyre, kështu që tani atyre iu paguhej ajo tokë në shuma të madhe dhe nga kjo shumë, ata u bënë multimilionerë.

Tani në pamundësi që të dënohen kriminelët me dënime meritore, sikur që i parashohin ligjet e Kosovës, nga gjyqtarët të cilët janë në shërbim po të tyre të mëdhenjve, të cilët i kanë emëruar në ato poste, është shpik një metodë e dënimeve me kusht, e që kjo mënyrë e luftimit të krimit për BE-në, nuk është ai luftim për të cilin ata po na kërkojnë. Është absurde se si po lejohet të shkelen ashiqare Kodi penal, Kodi i Procedurës Penale, por edhe udhëzuesi i Gjykatës Supreme lidhur me politiken ndëshkimore në Kosovë, që nuk respektohen dhe as zbatohen nga ana e gjykatësve në rastet e profilit të lartë. Krejt ajo që po mungon te nënshtrimi dhe servilizmi I gjykatësve në rastet e tilla është që në seancat e tilla, kur shqiptohen dënimet me kusht, është se mungon vetëm akti I kërkim faljes së gjykatësit ndaj të dënuarit me kusht, për ti thënë se këtë së pakut nuk mundi ta anashkalon.

Prandaj Qeveria Kurti në ardhje duhet ti ketë parasysh këto krime në tërësi, dhe të përgatitet për reforma nëpër institucionet në tërësi, që në poste të rëndësishme ti emëroj njerëz të shkolluar e të pastër dhe trima në të gjitha institucionet kosovare, e sidomos në gjyqësi, prokurori, polici, AKI, edhe në të tjerat institucione, e sidomos aty ku janë trashëgua dhe falur pasurit e patundshme pushtetarëve të deritashëm, dhe t’iu konfiskohet e tërë ajo pasuri e fituar kundërligjshëm deri me tani. Nëse luftohet krimi në përgjithësi në këto përmasa, shpejte edhe Kosovës do i mundësohet Liberalizimi i vizave si dhe rrugëtimi më i shpejtë për në BE.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".