Isa Mustafa po e përgatitë një lojë tepër meskine në LDK, me projekt për grusht shtet brenda partiak dhe kundër reformimit

Isa Mustafa po e përgatitë një lojë tepër meskine në LDK, me projekt për grusht shtet brenda partiak dhe kundër reformimit

Gani Qarri

  • 23 February 2021 - 13:37

Shkruan: Gani Qarri

Denoncimi publik i Naser Rugovës e zbulon në tërësi lojën meskine të Isa Mustafës dhe një plan sekret të para hartuar nga kryesia në detyrë, në mënyrë që përmes improvizimit urgjent të reformës në parti dhe zgjedhjeve të reja farsë, ta ri legjitimojnë edhe një strukturë të inkriminuar edhe më të fuqishme mafioze, e cila nuk do ta ketë në interes votuesin as shtetin e Kosovës, por planin për shkatërrimin total edhe të 13 %- të mbetur nga tërësia e ish LDK-së së madhe të Dr. Ibrahim Rugovës.

-Votimi i orientuar kaq pozitivisht dhe masiv i qytetarëve të vetëdijesuar të Kosovës, kundër krimit të organizuar dhe partive e personave të inkriminuar,në zgjedhjet e fundit, si asnjëherë më parë, ishte goditja më e rëndë e deritanishme ndaj korrupsionit galopant, politikës mafioze dhe krimit të organizuar në vend, që për simbolikë dhe idol kishin kuislingun Hashim Thaçi dhe jugo-komunistin me damkë Isa Mustafën.

Ishte dënimi i shumëpritur dhe i merituar i drejtuar drejtpërsëdrejti ndaj personave dhe partive të inkriminuara si PDK, e veçanërisht ndaj LDK-së së uzurpuar para më tepër se një dekade nga ish zyrtari i LKJ-së dhe LKS-së, Isa Mustafa. Ishte një referendum për ndryshime, kushtrim për goditjen e krimit dhe votë e ndëshkimit ndaj mafio-politikës dhe nëntokës kriminale, që mbi dy dekada me radhë, ia zunë frymën këtij vendi, shkatërruan të tashmen dhe të ardhmen e popullit, vranë shpresën e qytetarëve për prosperitet e jetë më të mirë, si dhe mbytën perspektivën e shtetit të brishtë të Kosovës. Madje më tepër se votim, kjo mënyrë votimi ishte edhe protestë e hapur e qytetarëve të lodhur nga politikanët e degjeneruar si Isa Mustafa e Hashim Thaçi dhe politikanëve të tjerë të inkriminuar të cilët për gjithë këto vite të rënda për vendin, kapën kryesitë e partive politike, të gjitha institucionet e vendit dhe vet shtetin e Kosovës.

Kështu që, pas debaklit katastrofal që pësoi LDK, e keqpërdorur përmbi një dekadë nga jugokomunisti Isa Mustafa për të mbetur ai vet, gjithmonë i pari i saj dhe deri në vdekje prezent në politikën vendore, kaosi që ndodhi brenda LDK-së, pas "dorëheqjes" së detyruar të Mustafës & Co, për shkak të humbjes historike të kësaj partie, ishte jo vetëm i ditur por edhe shumë i mirëpritur për këndelljen e LDK-së në minutat e fundit të saj, para se të shkatërrohet tërësisht si parti më vete.

Zgjedhjet e 14 shkurtit ishin debakël i vërtetë dhe dështim katastrofal për LDK-në dhe gjithë kryesinë e saj të degjeneruar, të vjetërsuar e të pa-reformuar asnjëherë, tash e mbi një dekadë. Ndikim të madh në grumbullimin kaq masiv të votave për Lëvizjen Vetëvendosje dhe humbjen tmerruese të LDK-së, pa asnjë dyshim, pati pikërisht dëbimi i zonjës Dr. Vjosa Osmani, prej Isa Mustafës me shokë, nga LDK dhe bashkimi i saj me LVV-në. Pra pas humbjes epokale të LDK-së dhe gjendjes së kaosit të plotë të shkaktuar brenda saj, me dorëheqjen e detyruar të kryesisë dhe të kryetarit, si pasojë e humbjes së zgjedhjeve, në ish partinë e madhe të Dr. Ibrahim Rugovës, me keqpërdorimin sistematik të Isa Mustafës, ka eskaluar gjendja deri aty, sa që këndellja e saj dhe qëndrueshmëria si parti, mund të sigurohet vetëm nëse strukturat e reja reformatore, do ti shkëputin automatikisht dhe njëherë e përgjithmonë të gjitha lidhjet me oportunistin jugokomunist Isa Mustafën dhe grupet klienteliste të tij.

Humbja e thellë e LDK-së, dëshmon më së miri se jugonostalgjiku komunist Isa Mustafa,për gjithë këto vite e ka zhgënjyer aq shumë këtë popull, votuesit besnik të LDK-së dhe gjithë elektoratin në vend, sa që vetëm pas këtyre zgjedhjeve po shihet plotësisht se në çfarë përmasash të mëdha dhe katastrofale e kanë dëmtuar këtë parti Isa Mustafa, Agim Veli, Lutfi Haziri, Haki Rugova, Skënder Hyseni etj. Madje pikërisht për shkak të po këtyre matrapazëve, LDK ka ra në këto përmasa të tilla katastrofale të dështimit, duke humbur rëndë në votim, si në garën për pushtet lokal ashtu edhe në atë qendror, parlament dhe Qeveri. LDK si asnjëherë më parë humbi keq edhe në të gjitha bastionet ku udhëhiqnin kryetarët e degëve të saj, ndaj dhe disa nga figurat me ndikim dhe besim të madh në elektorat, me të drejtë kanë shfaqur së fundi dilemën dhe frikën e tyre të arsyeshme, për një skenar të përgatitur nga vet Isa Mustafa dhe klanet e krijuara nga ai, brenda partisë, për shkatërrimin total dhe çuarjen drejt shuarjes së përgjithshme të LDK-së si parti.

Këtë e vërtetojnë edhe përpjekjet e fundit të Isa Mustafës dhe klanit që ai dirigjon, që përmes manipulimit të dorëheqjeve të porositura dhe të ashtuquajturave zgjedhje brenda partiake që ai, përkundër dorëheqjes serish tenton ti organizojë vet, ti rikthejë dhe ri pozicionojë të njëjtat klane të përbërjes së kryesisë së kaluar e cila i humbi me rezultat kaq të thellë negativ zgjedhjet e 14 shkurtit, por me një formacion vetëm pak më tjetër, që donë të thotë, këtë herë pa Isa Mustafën timonier të partisë. Ndaj që duke nuhatur seriozitetin e gjendjes dhe fatkeqësinë që po i përgatitet serish nga matrapazi politik Isa Mustafa, anëtari më i heshtur i LDK-së, i cili shkonte si muça pas daive, pa pasur asnjë rol në këtë parti, Naser Rugova, ka filluar ta ndjejë veten gjallë dhe ka nisur ti akuzojë hapur kryesinë në dorëheqje të LDK-së, se janë duke përgatitur përsëri planin për manipulimin e zgjedhjeve brenda partisë, për të mos u drejtuar LDK nga forca të reja, por për tu dominuar, serish edhe në të ardhmen nga klanet e Isa Mustafës duke mbytur votën e lirë në bazën e gjer të anëtarësisë.

Për aq më tepër edhe në njoftimin zyrtar të LDK-së, thuhet se kryetari i ri dhe kryesia që do të zgjidhen së shpejti, si pasojë e dorëheqjes së Isa Mustafës, do të ketë vetëm mandat gjysmak, dhe vazhdim për dy vjetët e mbetura nga mandati i Isa Mustafës, deri në gusht të vitit 2023, gjë që tregon qartë se kryesia në dorëheqje po përpiqet publikisht, ta imponojë kandidatin e vet për kryetar të ardhshëm dhe përkundër katastrofës zgjedhore, të vazhdohet me idetë e klaneve dhe dallavereve të deritanishme të sponsorizuara nga Isa Mustafa me shokë. Shkatërrimin total të LDK-së së mbetur nga zgjedhjet e 14 shkurtit, për përmbushjen e egove personale të Isa Mustafës dhe përfitimeve individuale e grupore, qoftë edhe me çmimin e qarjeve të reja e shkatërrimtare brenda partiake dhe të një debakli të ri total edhe në procesin e zgjedhjeve lokale, që duhet të mbahen deri në tetor të këtij viti.

E gjithë kjo "hallakam" e shkaktuar brenda LDK-së, pas humbjes më të madhe që ka pësuar ndonjëherë kjo parti, që nga themelimi i saj, tregon katërçipërisht se Isa Mustafa dhe kasta e vjetër e kryesisë së degjeneruar të saj, është duke ju frikësuar tmerrësisht shumë humbjes së pushtetit, privilegjeve ekonomike dhe të përfitimeve të mëdha nga lidhjet me krimin e organizuar, si dhe dënimeve që mund të presin pas krijimit të Qeverisë së re, nga "armiqtë" e tyre Albin Kurti e Vjosa Osmani, për involvimet në korrupsion dhe krim të organizuar të Isa Mustafës dhe bashkëpunëtorëve të tij të dëgjueshëm e ordiner, tash e mbi 10 vjet me radhë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".