Qeveria Kurti e ka seriozisht, do të zbardhen dosjet e privatizimit me korrupsion nga grupet klienteliste e mafioze, të hetohen dhe ndëshkohen menjëherë!

Qeveria Kurti e ka seriozisht, do të zbardhen dosjet e privatizimit me korrupsion nga grupet klienteliste e mafioze, të hetohen dhe ndëshkohen menjëherë!

Gani Qarri

  • 26 February 2021 - 13:07

Shkruan: Gani Qarri

Gjatë mandatit të Qeverisë Kurti-1, në Kuvendin e Kosovës ishte ngritur edhe një komision hetimor enkas për mënyrat e paligjshme të privatizimit nga AKP dhe në intervistim ishin ftuar disa nga përfituesit më të mëdhenj të privatizimit të ish ndërmarrjeve më të mëdha në vend, si dhe gjigantëve të dikurshëm industrial të Kosovës, të dyshuar për lidhje e abuzime me politikën dhe krimin e organizuar, ku është raportuar edhe për shitje formale të ndërmarrjeve të shtetit, sa që një ari tokë është shitur vetëm për 1 euro. Kjo çështje serioze duhet të vazhdohet dhe të shkon deri në fund.

Nëse Albin Kurti i cili qysh në fushatën parazgjedhore është zotuar se një nga shtyllat kryesore të programit të qeverisë së re do të mbetet lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ,vërtetë ka vendosur që luftës kundër këtyre dukuri negative në vend, tu shkojë deri në fund, si dhe të konfiskojë të gjitha pasuritë kundërligjore që politikanët mafioz dhe partitë e inkriminuara kanë grabitur, gjatë 21 viteve të kaluara në Kosovë, ai dhe Qeveria e re, fillimisht duhet ta shkarkojnë kryeprokurorin e shtetit të katapultuara nga Kadri Veseli dhe të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët e emëruar politikisht nëpër pozitat që mbajnë, për të ngritur një gjyqësi të reformuar, të pavarur nga politika dhe të pa korruptuar.

Vetëm në këtë mënyrë është e pritshme që më në fund, nga Qeveria e re, ashtu siç paralajmëroi edhe Albin Kurti, fillimisht të hapen dosjet e privatizimit të pasurisë së shtetit të Kosovës nga grupet e lidhjeve mafioze me ish pushtetarët, që shkatërruan çdo gjë dhe nuk prodhuan asnjë efekt pozitiv për zhvillimin e vendit, ku përfituan vetëm grupet e interesave kriminale përmes mafio-oligarkëve te lidhur me nëntokën politike vendore të cilat e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje të mjerueshme.

Madje kandidati për kryeministër nga LVV që tani ka paralajmëruar rishikimin e privatizimit si proces tepër të inkriminuar në masën më të madhe duke kërkuar nga AKP që të ndalojë menjëherë të gjitha veprimet dhe tendencat për vazhdimin e hapjes së valëve të reja të privatizimit.

Për aq më tepër Kurti ka sqaruar se më programin qeverisës, edhe në mandatin e kaluar kishin paraparë ndryshimin rrënjësor të statusit të Agjencisë Kosovare të Privatizmit (AKP),si dhe rishikimin e gjithë procesit të privatizimit, si të pronës publike ashtu edhe të asaj shtetërore, duke paralajmëruar AKP-në dhe këtë bord të paligjshëm i cili po synon keqpërdorimin e vakumit institucional që të fillojë valë të reja të likuidimit në kundërshtim me vendimet e Qeverisë, e cila brenda kornizës së saj, pritet ta përfshijë edhe sfidimin e bordit të AKP-së me faktet e privatizimeve të paligjshme.

Me gjithë vullnetin e mirë, zbardhja e krimit dhe korrupsionit në fushën e privatizimit, me drejtësinë aktuale tërësisht të kapur dhe pothuajse inekzistente të trashëguar nga partitë e inkriminuara, do të jetë jo vetëm një betejë serioze por ndoshta edhe e pamundur të realizohet shpejtë edhe për qeverinë e re, nëse Qeveria Kurti nuk arrin ta ngritë dhe ndërtojë një drejtësi vërtetë të pavarur e të pa korruptuar, duke filluar që nga kryeprokurori i shtetit , e deri te gjyqtarët nëpër komuna, që e kontrolloheshin dhe dirigjoheshin nga qeveritë e deritanishme të inkriminuara.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".