Jo deformim me mbyllje të listave, por reformim të plotë sistemit zgjedhor, ndarje në zona zgjedhore

Jo deformim me mbyllje të listave, por reformim të plotë sistemit zgjedhor, ndarje në zona zgjedhore

Gani Qarri

  • 13 March 2021 - 09:04

Shkruan: ANALIST - Gani Qarri

Pas plebishitit të 14 shkurtit, ka ardhur koha që pikësëpari të ndryshohet ligji i zgjedhjeve dhe zgjedhjet e ardhshme ose të mbahen me lista të hapura dhe të ndara në pjesë zonale, ose në votime të mos marrë pjesë më populli, por vetëm anëtarësia dhe shërbëtorët e devotshëm të partive të kriminalizuara politike.

-Partitë e kriminalizuara në vend, të cilat më 14 shkurt, humbën tërësisht, jo vetëm dominimin politik por edhe përkrahjen e qytetarëve, për të kamufluar dështimin katastrofal dhe rënien më të trishtë historike, gjatë gjithë ekzistencës së tyre partiake, në mungesë të mbështetjes së elektoratit, kanë filluar vet, ti katapultojnë shërbëtorët e partisë dhe personat e dëshirueshëm nga liderët e inkriminuar, në postet e deputetëve, edhe pa votën e sovranit. Por për ndryshim nga Kosova, në të gjitha vendet me demokraci të avancuar, deputet dhe përfaqësues të popullit në Kuvend, zgjidhen vetëm figurat më të njohura dhe emrat e dëshmuar për kontribute të veçanta në dobi të popullit dhe shtetit që i takojnë, e jo siç ndodhë tash e mbi dy dekada në Kosovë, të katapultohen vetëm shërbëtor të forcave të kriminalizuara politike, me dhe pa vota, në poste deputetësh, të cilët në fakt, do duhej të ishin përfaqësues të popullit të përzgjedhur vetëm me votat e qytetarit.

Madje edhe në Kosovë, njëjtë si në shtetet perëndimore, zgjedhjet do duhej tu përshtaten kushteve të vendit, nivelit të jetesës dhe gjendjes shoqërore, me sjelljen e emrave të përzgjedhur si kandidatë për deputet, të cilët do ta dëshmonin veten dhe bindnin qytetarët se meritojnë votën e tyre, duke promovuar ideve të reja, për luftë të vendosur kundër korrupsionit e krimit të organizuar, ç ‘kapjen e shtetit, vendosjen e rendit e të ligjit dhe prosperitetin e Kosovës në rrugën e integrimeve euroatlantike. Përndryshe, vendi ynë, nuk do të mund të mbijetojë gjatë si shtet i pavarur, nëse edhe kësaj radhe nuk e zë hapin dhe ecë krahas shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të rajonit, sipas ligjeve të demokracisë dhe rregulloreve të BE-së.

Pas plebishitit të 14 shkurtit, ka ardhur koha që pikësëpari të ndryshohet ligji i zgjedhjeve dhe zgjedhjet e ardhshme ose të mbahen me lista të hapura dhe të ndara në pjesë zonale, ose në votime të mos marrë pjesë më populli, por vetëm anëtarësia dhe shërbëtorët e devotshëm të partive të kriminalizuara politike. Vetëm një bojkotim i tillë masiv i partive të kriminalizuar, do ti sillte para aktit të kryer, udhëheqësit e tyre të pandreqshëm, për të hequr dorë përfundimisht nga vendimi, që kinse në emër të parandalimit dhe shpërdorimit të votës nga ana e komisionarëve, vjedhjen dhe kontrabandimin e votës së qytetarit, nga vet ata, ta dirigjojnë dhe japin kahe ashtu siç dëshirojnë brenda partive të veta politike, për katapultimin e emrave të dëgjueshëm e të preferuarit e të parëve të partisë, në postet e deputetit të vendit.

Për aq më tepër, qëllimi i liderëve të inkriminuar politik, është që me akte të tilla, ta shembin edhe këtë pak demokraci të brishtë që ende ka mbetur në vendin tonë. Dhe sikur të mos mjaftonin, as të gjitha këto, së fundi ata po planifikojnë opsionin e vendosjes së kontrollit të plotë mbi “ deputetin e kriminalizuar” te tyre, duke bërë me shpejtësi marrëveshje të fshehta, në mënyrë krejt konspirative, për amendamentimin e ligjit të zgjedhjeve me lista të mbyllura zgjedhore. Kështu që për t`ua mundësuar të fitojnë postin e deputetit, ata që vërtetë meritojnë dhe marrin votën nga populli dhe jo vetëm të katapultuarit nga partitë e kriminalizuara me keqpërdorimin e vullnetit të qytetarëve duke ndryshuar e kahen e vullnetit të tyre, është mese e nevojshme që në kuadër të reformës zgjedhore, përfundimisht të ndryshohet Kodi Elektoral, dhe zgjedhjet të mbahen me ndarje zonale.

Vetëm në këtë mënyrë deputeti do të zgjidhej drejtpërsëdrejti nga votuesit e zonës dhe jo më, të katapultohet si deri më tani nga kryetari dhe kryesia e partive të kriminalizuara, që në Kosovë, fatkeqësisht është bërë praktikë shumëvjeçare, duke lënë në të shumtën e rasteve, jashtë parlamentit, ata të cilët nuk pranojnë të vendosen në rolin e shërbëtorit të partisë dhe liderit. Dhe pikërisht për këto arsye, nuk duhet të lejohet më praktikimi i listave të mbyllura, që është zgjidhja më e keqe e mundshme dhe akt perfid për ta mbuluar dështimin e institucioneve në ruajtjen e pastërtisë së votës së qytetarëve, derisa në demokracitë e përparuara, zgjedhjet gjithkund mbahen me lista të hapura dhe me ndarje zonale, ku deputeti i përgjigjet drejtpërsëdrejti votuesit dhe jo liderit politik te vet-kriminalizuar, siç po ndodhë tash e gati mbi dy dekada edhe në Kosovën e pasluftës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".