Të spastrohet i tërë rrjeti i kalbur diplomatik!

Të spastrohet i tërë rrjeti i kalbur diplomatik!

Gani Qarri

  • 20 April 2021 - 07:44

Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri

Njerëz të tillë të dërguar nga pushtetarë të kriminalizuar dhe partitë e inkriminuara, ku dalloheshin veçanërisht PDK dhe LDK,qe te dyja SHIK-iste, i kanë shfrytëzuar deri në nënçmim banditesk, ambasadat dhe konsullatat e Kosovës si objekte biznesi e mundësi përfitimi monetar, përmes punësimit të parelinjëve, familjarëve dhe bashkë-partiakëve, që asnjëherë nuk e kanë kryer një misionin diplomatik dhe jo vetëm që nuk kanë ditur, por as nuk janë munduar kurrë, të përfaqësojnë vendin me dinjitet apo të bëjnë promovimin e interesave kombëtare të Shtetit të Kosovës, siç e parashohin të gjitha rregullat diplomatike e konsullore të secilit shtet në botë, sado i vogël dhe i pazhvilluar qoftë ai.

Në Qeverinë e re, të dal nga referendumi i 14 shkurtit, bija e heroit të kombit Jusuf Gërvalla, Donika, ka marrë të udhëheq një nga ministritë më të rëndësishme, por edhe më të vështira, si ajo e Punëve të Jashtme pasi që siç dihet tanimë nga të gjithë, fushata e egër e Serbisë në politikën e jashtme kundër shtetësisë dhe për çnjohje të Kosovës, është shumë e fuqishme dhe e koordinuar ngushtë me Rusinë e Putinit dhe jo vetëm. Madje Kosova, përveç njohjes nga Izraeli, të sponsorizuar drejtpërsëdrejti prej SHBA-ve, po bëhen gati katër vite, qysh kur nuk e ka marrë më asnjë njohje të re të shtetësisë së saj, ani pse gjatë gjithë kësaj periudhe në postin e ministrit të Jashtëm janë ndërruar tre-katër figura të ndryshme partiako-politike dhe asnjëri prej tyre, nuk ka treguar asnjë efekt pozitiv, përveç zhvatjes së buxhetit të shtetit për shëtitje kuasi- diplomatike dhe aranzhime biznesoro-turistike me para të shtetit.

Për aq më tepër edhe emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, në njoftimin që bëri këto ditë, se si ka zhvilluar një takim virtual me zv/kryeministrin Besnik Bislimi, siç vëren me të drejtë edhe ambasadorja e Republikës tonë në SHBA Vlora Çitaku, ai as që e përmendi fare Kosovën qoftë edhe si emër. Në gjithë këtë zallamahi korruptivo-kriminal dhe përhumbje totale diplomatike, të shkaktuar nga partitë e kriminalizuara, të cilat izoluan Kosovën nga e gjithë bota dhe sot kërcejnë ngul përpjetë, pse përmendet krimi dhe korrupsioni i tyre, që ka mbyllur si në burg qytetarët dhe ka lënë Kosovën si të vetmin vend në Ballkan dhe rajon, pa liberalizim vizash, vetëm paraqitja e Ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, zonjës Donika Gërvalla, ishte një përfaqësim i denjë dhe i njëmendtë diplomatik, siç i ka hije një udhëheqëse të dëshmuar të këtij misioni me shumë rëndësi nacionale dhe shtetërore.

Paraqitja e saj para KS të OKB-së, ishte përfaqësimi më brilant i deritanishëm i një Minstreje të Jashtme, qysh kur Kosova u shpall shtet i lirë dhe i pavarur, ndaj shembulli i Ministres së Jashtme Donika Gërvalla, duhet ti shërbejë edhe vet kryeministrit Kurti për model të fillimit urgjent të ristrukturimit dhe të spastrimit të tërësishëm, të mbarë rrjetit të kalbur diplomatik të Kosovës nga personeli puro-klientelist, i pa ditur dhe tërësisht militantë, i partive të kriminalizuara politike.

Një sistem komplet i mykur dhe i mbytur tërësisht nga njerëz të pa shkollë dhe pa asnjë ditë përvoje diplomatike, të sistemuar aty në mënyrë kriminalo-korruptive, vetëm për para, interesa personale dhe përfitime biznesore, e jo për fuqizimin e sovranitetit të shtetit dhe lobimin për lidhje të reja miqësie ndërkombëtare, e të mos flasim, këtu edhe për njohjet e shtetit të Kosovës që për gjithë këto vite i mungojnë vendit tonë, aq sa gati pothuajse edhe janë harruar tërësisht. Për aq më tepër, deri në këtë mandat qeverisës, në të gjitha legjislaturat e kaluara, Ministritë e Jashtme, ambasadat e konsullatat e Republikës së Kosovës, në çdo vend të botës, ku ka përfaqësi konsulore-diplomatike, që të gjitha kanë qenë dhe ende janë të mbushura plot me individë që jo vetëm se janë tërësisht të pa shkolluar dhe të pa përgatitur fare për lëmi të tilla, por as kuptimin nuk ia dinë termit diplomaci; stërmbushur vetëm me persona që kanë para, lidhje politiko-klanore dhe familjare me pushtetarët e kriminalizuar dhe pushtetet e inkriminuara, tash e 21 vite, në vend.

Mjerisht jo vetëm ambasadat dhe konsullatat, por edhe vet Ministria e Jashtme e vendit, gjatë gjithë kësaj kohe, kanë shërbyer si strehë militantësh e injorantësh, le të përmend me këtë rast se vetëm konsullatën e Cyrihut, ku për vite të tëra, persona të punësuar si teknik, apo shofer e mekanik automjetesh, gjysmë analfabet, të paarsimuar as për punë administrativë dhe arrogant të trishtë, shiteshin si kompetent dhe merreshin, sistemimin e dokumentacionit të palëve për letërnjoftime dhe pasaporta, duke shkaktuar irritime e nervozitet të pafund, me mosdijen, arrogancën, amatorizmin e skajshëm dhe jo profesionalitetin puro-banal të tyre.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".