Vazhdimi i dialogut me Serbinë nga kryeministri, zbulon të gjitha tentativat për marrëveshjet sekrete Thaçi & Vuçiq

Vazhdimi i dialogut me Serbinë nga kryeministri, zbulon të gjitha tentativat për marrëveshjet sekrete Thaçi & Vuçiq

Gani Qarri

  • 28 April 2021 - 07:34

Shkruan:ANALISTI-Gani Qarri

Sa më shumë që po afrohet momenti për rifillimin e bisedimeve me Serbinë okupatore, duke pasur parasysh sfidën e rëndë, si asociacioni kundër kushtetues një etnik serb, nënshkruar që me 2013 nga vet kuislingu Thaçi dhe me 2015 nga jugokomunisti Isa Mustafa në Bruksel, si dhe kërkesa publike e Thaçit me 2018, drejtuar ndërkombëtarëve për ndarjen e Kosovës, aq më shumë po përpiqet edhe kryesia e katapultuar aktuale në krye të PDK-së, që ti ikë përgjegjësisë për këto akte kuislinge dhe të tradhtisë së lartë, kundër popullit dhe shtetit të Kosovës.

Sikur që kemi vërejtur së fundi, PDK tani më po mundohet që ta largojë nga vetja çfarëdo përgjegjësie politike dhe ligjore, për të bëmat kamikaze që i ka shkaktuar shtetit, vet ish lideri i këtij subjekti politik Hashim Thaçi në dialog me Serbinë, për kompromiset e rrezikshme të bosnjëzimit të Kosovës dhe ato për ndarjen e vendit, të mbetura në tentativë dhe gjysmë të rrugës vetëm pas burgosjes së tij nga Gjykata Speciale.

Kompromiset e tilla të rrezikshme, Thaçi i pati filluar, qysh nga pozita e kryeministrit e deri në atë të Presidentit, duke tentuar që nga secila pozitë, të bëjë pazare sa më të dhembshme në kurriz të Kosovës, për ti shpëtuar Gjykatës Speciale, qoftë edhe duke dhuruar territor, prandaj tash kur LVV-ja është në pushtet, PDK-ja thotë se nuk do të shkojë as në ekip të bisedimeve me Serbinë për të arritur marrëveshjen finale.

Vet refuzimi i PDK-së për të bashkëpunuar me Qeverinë Kurti në procesin e dialogut, është treguesi më pikant, i cili flet hapur, se pazaret e nisura të kuislingut Hashim Thaçi me kriminelin Vuçiq kanë qenë shumë të rrezikshme, të cilat pa vonuar, do të zbulohen e nxirren, njëra pas tjetrës në tavolinë të bisedimeve, që me rifillimin e dialogut, prandaj duke e refuzuar pjesëmarrjen në ekip të përbashkët të gjithë spektrit politik, PDK-ja e Thaçit dhe e Veselit tash mendon t`ia lë përfundimisht në dorë pataten e nxehtë dhe kompromiset e kurdisura nga vet kuislingu Thaçi, Qeverisë së sapoformuar Kurti-2.

Për aq më tepër, ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, pa pikë turpi, nga frika e bartjes së përgjegjësisë për aktet e Thaçit, këto ditë deklaroi se ai dhe partia e tij do ta refuzonin pjesëmarrjen në dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel, edhe nëse për një gjë të tillë do ti ftonte Albin Kurti, duke u shprehur se ata si PDK nuk kanë se çka të lypin më në Bruksel, pasi që tanimë ndarja e Kosovës, nuk do të jetë në tavolinë dhe Thaçi ndodhet në burg i akuzuar bashkë me shokë, për krime lufte dhe vrasjen e qindra shqiptarëve.

Faza e re e fillimit të dialogut nga Qeveria Kurti, do të jetë momenti i fundit kur dhe do të zbulohen të gjitha prapaskenat e lojës së pistë të Hashim Thaçit & Co me skenarët e kompromiseve katastrofale në dëm të Kosovës të cilat ai i ka dakorduar paraprakisht me Vuçiqin, por rënia e Qeverisë Haradinaj dhe aktakuzat e ngritura nga Gjykata Speciale, bënë që të pamundësohet avancimi i agjendës së tij kuislinge në këto kompromise të rrezikshme që po e rrezikonin vendin hapur me ri copëtim dhe ndarje përfundimtare, të cilat tanimë, pritet që përfundimisht të zbulohen dhe të dalin të gjitha në sipërfaqe.

Madje edhe ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas gjatë vizitës së tij në Prishtinë, tha decidivisht se sa i takon dialogut mes dy vendeve njohja e Kosovës do të jetë një nga elementet e zgjidhjes përfundimtare dhe kjo është normale, përndryshe në bisedimet për normalizim të marrëdhënieve, as nuk do të kishte kuptim dialogu ndërmjet dy vendeve.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".