“Diplomacia e ariut dhe e mizës”

“Diplomacia e ariut dhe e mizës”
“Diplomacia e ariut dhe e mizës”

Prof. Dr. Mehdi Hyseni

  • 20 May 2021 - 09:32

Barometri diplomatik

Shkruan: Prof.Dr.Mehdi HYSENI

*** Kush është këtu “ariu”? -Serbia kolonialiste, të cilën Evropa dhe OKB-ja kurrënjëherë në historinë e tyre  të derisotme nuk  e kanë denoncuar as për kolonizlimin e as për gjenocidet e saj ndaj shqiptarëve dhe Shqipëris Etnike (1878-2021).

E, kush është “miza”? –Kosova , viktima e kolonizuar, jo më pak se 100 vjet nga “ariu” gjenocidal (1912-1999). Mirëpo, këtë histori të dhembshme dhe tragjike të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike, politika zyrtare shqiptare e boshtit Tiranë-Prishtinë (1990-2021) ende nuk ka guximin dhe, nuk është e gatshme, që në mënyrë të dokumentuar t’ia thotë Beogradit zyrtar, BE-së, Amerikës dhe OKB-së.

Ndërkaq, jashtë kësaj kornize absurde politike të gabuar dhe të pajustifikueshme, dolën ish-ambasadorja e Kosovës në Amerikë, Vlora Çitaku, e cila  nga foltorja e KS-së së OKB-së, më 2019, këtë të vërtetë të dhembshme, ia tha Ivica Daçiqit (minister i Jashtëm i Serbisë) dhe mbarë bashkësisë ndërkombëtare, se Serbia është shtet kolonialist ndaj shqiptarëve dhe territoreve të tyre etnike, e cila duhet dekolonizuar sipas së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Po në këtë frymë, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani (është e dyta), që në samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor në Bërdo afër Kranjit të Sllovenisë, presidentit të Serbisë, Alekandër Vuçiqit ia përplasi  në fytyrë këtë  të vërtetë  në praninë e liderëve të tjerë të Ballkanit Perëndimor, më 17 maj 2021.

Ja, kjo është e vërteta, se Serbia përveç miteve, përrallave dhe pushtimeve koloniale, nuk ka tjetër se çfarë t’u japë rajonit ballkanik dhe Evropës Perëndimore.

Këtë e dëshmon edhe parulla më e re propagandistike e presidentit serb Aleksandër Vuçiq,  i cili përmes një proverbi banal serb u mundua që ta dekradojë diskutimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila e paditi Serbinë për kryerjen e gjenocidit të saj në Kosovë, si dhe hodhi poshtë përpjekjet e presidentit Vuçiq për ndryshimin e kufijve të Kosovës etj.

Duke u shtirur para të pranishmëve, se gjoja Vjosa Osmani “nuk tha asgjë të vërtetë dhe me peshë”, presidenti serb A.Vuçiq ( i nevrikosur dhe i goditur në skajshmëri nga argumentet dhe nga faktet e pakundërshtueshme të  “temave” të shpaluara nga Vjosa Osmani), në vend të përgjigjes së ekuilibruar politike, përdori këtë proverb përçmues serb :  “ Pala muva na medveda”, që shqip i bie “Një mizë ra mbi një ari” ! Si metaforë politike, kjo do të thotë se “Serbia është e fuqishme si ariu, kurse Kosova është dobët si një mizë” !?

Kështu presidenti i Serbisë, Aleksandar  Vuçiq  para masmediave e karakterizoi polemikën me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë seancës së parë plenare në samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Bërdo afër Kranjit të Sllovenisë, më 17 maj 2021.

Me gjithë faktin se debati verbal mes Vjosës dhe Vuçiqit ishte shumë   i ashpër dhe i nxehtë, Presidentja e Kosovës,  pa asnjë hezitim, pa asnjë ngurrim dhe pa iu dridhur fare qepalla e syrit, në mënyrë “taksative” ia numëroi në fytyrë Vuçiqit të gjitha krimet e gjenocidit serb në Kosovë, duke kërkuar, që këtë ta pranojë Serbia,  dhe të gjithë kriminelët t’i nxjerrë në bangën e zezë të gjykimit, si dhe t’i zbulojë varrezat masive të mbi 1647 viktimave shqiptare, të cilat, edhe sot evidencohen si persona të zhdukur. Gjithashtu, Presidentja Vjosa Osmani kërkoi që,  Vuçiqi me Serbinë e tij, ta njohin sa më parë Republikën e Kosovës, nëse duan përshpejtimin e proceseve integruese për të hyrë në Evropë, si dhe për t’i normalizuar marrëdhëniet me Republikën e Kosovës.

Mirëpo, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në vend se t’i merrte seriozisht dhe në konsideratë argumenetet dhe faktet e qëndrueshme të presidentes V.Osmani, lidhur me kryerjen e krimeve të gjenocidit serb në Kosovë (1989-1999), ai egërsohet dhe e humbas durimin-sensin dhe taktin  diplomatik (duke harruar se ndodhej në një konferencë rajonale me liderët e tjerë të shteteve të Ballkanit), dhe, në vend të përgjigjes adekuate  argumenteve dhe fakteve të shtruara të Vjosa Osmanit, ai shërbehet me një thënie  banale të zhargonit popullor serb “Pala muva na medveda”;  në shqip: “Një mizë ra mbi një ari” dhe, në anglisht: “A fly fell on a bear”, që figurativisht, në kuptimin e përgjithshëm do të thotë se Vjosa nuk kishte thënë asgjë të rëndësishme, saqë nuk ia vlen  t’i jepet kurrfarë  përgjigjeje në “paditë skandaloze” të saj.

Ipso facto, mesazhi i kundërshtimit të Vuçiqit ishte një lloj  “banalizimi” i zhbalancuar ndaj kritikave dhe kërkesave  objektive dhe të faktuara, që përbënin të  vërtetën se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. Mirëpo, Vuçiqi  i quajti kërcënuese dhe të pavërteta, duke theksuar se “neve nuk na frikësojnë dhe, nuk na çorientojnë fare, sepse “drejtësia është në anën e Serbisë”!?

-Çfarë logjike destruktive deh antihumane kjo, çfarë ndërrimi i tezës ky, “drejtësia qenka në anën e Serbisë”, kur kjo ka kryer tre  (3) gjenocide kundër Kroacisë, Bonjës dhe Kosovës (1990-1999)?!

-E tmerrshme kjo, si mund të dialogohet me lidershipin e Serbisë, kur në sy të Evropës dhe të gjithë botës nuk pranon   se shteti i tyre ka kryer tri (3) gjenocide në dekadën e fundme të shekullit XX?!

Tiradat apolitike dhe të pavërtetat e Vuçiqit :

1. “Së pari,  Osmani protestoi, se në dokumentin e përbashkët, që duhej të miratohej, nuk përmendej nocioni shtet (fjala është për Kosovën –M.H.). Pastaj e akuzoi Serbinë për idetë e ndryshimit të kufijve, që do të thotë shthurjen e pavarësisë së Kosovës”.

Kjo “vërejtje” e Vuçiqit nuk ka asnjë mbështetje të qëndrueshme as politike dhe as juridike, sepse Vjosa e ka pohuar të vërtetën e dëshmuar se,  Aleksandar Vuçiqi-Hashim Thaçi-Edi Rama kanë koketuar fshehurazi dhe haptazi, që t’ia ndryshojnë kufijtë Kosovës së Pavarur. Këtë të vërtetë e dinë të gjithë.

Mirëpo, këtë projektide e kanë penguar, që të mos realizohej në praktikë ish-kryeministri i qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, Angela Merkel (kancelarja e Gjermanisë), Britania e Madhe dhe Amerika etj.

2. Protesimit të Vjosës kundër nocionit (vend-country), “ Vuçiq i përgjigjet se Serbia nuk pajtohet, që t’iu quajmë  quajmë  country. –Ja,unë po ua them këtë, nëse të tjerëve u vjen turp, që t’ua thonë”.

Në këtë pikëvështrim, presidenti serb  “ka të drejtë”, që Kosovën nuk e quan “shtet”, sepse Serbia ende nuk e njeh Republikën e Kosovës, edhe pse kjo ishte koloni e saj, jo më pak se 100 vjet (1912-1999). Ky është problemi mes Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo, as Beogradi, as Prishtina, as BE-ja, as OKB-ja, Kosovën nuk e trajtojnë si problem kolonial!?

3.  “Sa i përket ndryshimit të kufijve, ju i keni ndryshuar, duke i shkëputur pjesët e territorit të shtetit sovran (fjala është për Serbinë )” !

Presidenti Vuçiq, edhe në këtë “përgjigje” Vjosës, sheshit  i gënjen dhe i manipulon të pranishmit dhe opinionin e gjerë, sepse Kosova  e njohur ndërkombëtarisht, më 17 shkurt 2008 nga më se 100 shtete të OKB-së, nuk ka shkëputur asnjë pjesë të territorit legal të Serbisë, por është njohur në kufijtë e saj sipas Kushtetutës së RSFJ-së së vitit 1974, si dhe sipas Kushtetutës së KSAK të vitit 1974.

Prandaj, Kosova nuk ka grabitur asnjë pëllëmbë territor nga Serbia, por Serbia është ajo, që ka kolonizuar dhe aneksuar Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, të cilat, ashtu sikurse Kosova janë territore autoktone të Shqipërisë Etnike. Ky është problemi i pazgjidhur , që nga viti (1878 – 2021), jo Vjosa Osmani që me të drejtë e ka kritikuar Serbinë për gjenocidin e fundit në Kosovë (1989-1999).

Mirëpo, nëse Serbia nuk e njeh Republikën e Kosovës, atëherë së shpejti do të ballafaqohet me kërkesën e Kosovës për dekolonizimin e Preshevës, të Buajnocit dhe të Medvegjës, mbase historikisht dhe etnikisht këto janë territore natyrale të Shqipërisë Etnike, kot le të “nxehet”,  duke u orvatur që ta minimizojë, ta vulgarizojë problemin gjenocidal serb ndaj shqiptarëve, Kosovës, Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, si dhe kot le të kërcënojë  dhe përçmojë Vjosa Osmanin, se kinse ajo “nuk është presidente e  shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, por institucioneve të përkohshme të Kosovës, sepse historikisht, etnikisht dhe ligjërisht kurrë nuk kanë qenë, dhe nuk janë  pjesë integrale të territorit të ligjshëm të Serbisë. Këtë e di shumë mirë, edhe Vuçiqi, edhe Serbia, por, po mundohen që gënjeshtrat e tyre t’i bëjnë të vërteta, duke i mashtruar dhe manipuluar BE-në, OKB-në, Amerikën, NATO-n etj.

4. Vuçi – Vjosës: “ Nuk jeni pranuar në OKB. Ne kemi kërkuar,  që të mos ndryshohen kufijtë, por të atyre shteteve, që janë të njohura juridikisht dhe ndërkombëtarisht. –Jo  të vlejë parimi, kur është në pyetje  copëtimi i Serbisë, atëherë është e mundur. Ndërkaq, kur dikush pyet, atëherë nuk është e mundur”.

-A. Vuçiq nuk ka pse të lavdërohet, që OKB-ja nuk e njeh Republikën e Kosovës, jo pse kjo është jashtëligjshme sikurse “Republika srpska”, që është krijuar me gjenocid ndaj boshnjakëve myslimanë, por Kosova nuk njihet nga OKB-ja, se padrejtësia dhe arroganca diplomatike e Moskës dhe e Pekinit e kanë bllokuar njohjen e saj, JO e drejta ndërkombëtare dhe Karta e Kombeve të Bashkuara.

Pra, pse Kosova nuk është e njohur nga OKB-ja, këtë edhe vremaçat e Jagodinës së Serbisë e dinë, sepse “majka Rusija” me VETO-n e saj ka bllokuar njohjen e Republikës së Kosovës, që është në kundërshtim flagrant me normat dhe me parimet e së drejtës ndërkombëtare, ngase Kosova ishte vetëm një koloni 100-vjeçare e Serbisë kolonialiste gjenocidale. Asgjë më pak e as më shumë.  Mirëpo, me gjasë, Rusia së shpejti do ta njohë Republikën e Kosovës, pasi të jetë dakorduar me Amerikën lidhur me disa  çështje të tjera vitale, që kanë të bëjnë me shtrirjen gjeopolitike dhe gjeostrategjike në Evropën Lindore, dhe më gjerë.

Gjithashtu, mosjohja e Republikës së Kosovës nga KS-ja e OKB-së, është në kundërshtim edhe Mendimin e kualifikuar juridik të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë së OKB-së në Hagë, e cila më 22 korrik 2010, PROVOI SE  shpallja e Republikës së Kosovës, është bërë në përputhje me parimet dhe me normat e së drejtës ndërkombëtare.

Pra, A. Vuçiq, duhet të dijë, se OKB-ja nuk do ta njohë Republikën e Kosovës, derisa të mbizotërojë padrejtësia dhe VETO-ja e njënashme e Rusisë në mbështetjen dhe në mbrojtjen e interesave kolonialiste,  militariste, gjeopolitike , gjeostrategjike dhe hegjemoniste të Serbisë.

5. “Osmani prapë  e paditë Serbinë për gjenocid ndaj shqiptarëve në Kosovë, gjatë konfliktit në Kosovë dhe të zgjerimit të ndikimit kancerogjen në Kosovë. Pastaj kërkon,  që të fillojë procesi për të pagjeturit. Ndërsa ,kjo nuk goxon as të thotë sesa familje serbe po kërkojnë drejtësi.”

Edhe në këtë pikëvështrim presidentja Vjosa Osmani ka plotësisht të drejtë të kërkojë llogari nga shteti i Serbisë, që të zbatojë të drejtën ndërkombëtare, duke denoncuar  të gjitha krimet e gjenocidit serb, të kryer ndaj shqiptarëve në Kosovë (mbi “11.800” të vrarë; mbi “1647” të zhdukur; mbi “22 mijë femra të dhunuara”, si dhe mbi “1 milion” shqiptarë të dëbuar nga Kosova në Evropë dhe në kontinente  të botës).

Për të gjitha këto krime të gjenocidit, si dhe për të gjitha dëmet, plaçkitjen  dhe shkatërrimet e tjera të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme, Serbia kolonialiste gjenocidale, ligjërisht duhet të penalizohet nga bashkësia ndërkombëtare,  jo të mbështet dhe të favorizohet si “faktor kryesor” në krye të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Pra,  pikësëpari, Serbia duhet të japë llogari për krimet e saj të gjenocidt ndaj shqiptarëve; t’i paguajë të gjitha reparacionet për dëmet e luftës, si dhe të dekolonizohet në bazë të Rezolutës 2105 (XX), të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme  e Kombeve të Bashkuara, më 1965, e cila i referohet Deklaratës së dekolonizimit të popujve dhe vendeve të kolonizuara.

Së fundi, duhet të bindet dhe, ta ketë të qartë qeveria e  Serbisë, se pa përmbushjen e kërkesave të parashtruara nga ana e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Bërdo afër Kranjit në Slloveni, më 17 maj 2021, ajo së bashku me presidentin Aleksandar Vuçiq vetëm mund të ëndërrojnë se do të mund të arrijnë ndonjë kompromis politik me palën shqiptare të Kosovës në Dialogun e Brukselit (2011-2021).

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".