Funksioni i drejtësisë nuk është vetëm ndëshkim

Funksioni i drejtësisë nuk është vetëm ndëshkim
Funksioni i drejtësisë nuk është vetëm ndëshkim

Ali Hertica

  • 27 May 2021 - 07:38

Shkruan: ANALISTI - Ali Hertica

Duhet të ndërpritet njëherë e përgjithmonë praktika që kur janë në pyetje njerëzit e korruptuar që kanë ndikim politik dhe klanor, ta nënshtrojnë drejtësinë duke dalë mbi ligjin dhe pamundësuar hetimin dhe gjykimin e tyre. Kjo po ndodh nderi më tani për faktin se “truri drejtues” i institucioneve të drejtësisë udhëhiqet nga njerëzit e dërguar pikërisht prej kastës politike. E njëjta gjendje është në të gjitha instancat dhe në të gjitha nivelet edhe në prokurori edhe në gjykata, institucione kompetente për rend dhe ligj, për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe për garantimin e sigurisë dhe të drejtës së qytetarëve.

Dihet mirëfilli se aty ku nuk ka ligj, nuk ka liri dhe as që mundë të flitet për shtet të së drejtës as për demokraci. Kur nuk zbatohet ligji dhe kur nuk dënohet krimi, shuhet në heshtje jeta dhe siguria njerëzore; perspektivat dhe lind despotizmi i një oligarkie e nomenklaturës së kriminelëve, të cilët luftojnë për pushtet, për të marrë në posedim pronat dhe jetën e individëve. Gjendjen e tillë të mjerueshme ka vite që po e vuan Kosova dhe kësaj duhet ti vije fundi sepse kjo është e kundërta e lirisë, që do të thotë mosbesim në institucionet që na udhëheqin. Ne i paguajmë këto institucione të drejtësisë me taksat tona sepse kemi besim se paratë do të vihen në shërbimin të drejtësisë dhe cilësinë tonë jetësore, për shtet ligjor që deri më tash nuk ka funksionuar akoma si duhet.

Në këtë rrafsh, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një problem politik dhe si e tillë, duhet tu adresohet organizmave të drejtësisë në të gjitha nivelet e shoqërisë dhe politikës. Funksioni i drejtësisë nuk është vetëm dënim e ndëshkim, është vlerë dhe kulturë e shtet ndërtimit. Ajo duhet të përhapë edhe besim, siguri, ndërgjegje, motivim. Drejtësia është ajo që e mban të gjallë shtetin dhe organizmat e tij. Mirëpo kur drejtësia nuk funksionon, korrupsioni dhe krimi lulëzojnë, duke kërcënuar pronën private, liritë e individëve dhe sipërmarrjet, tregun e konkurrencën, shkencën dhe kulturën, zhvillimin ekonomik, etj. Kështu, pak e nga pak, të gjithë i nënshtrohemi frikës dhe demokracia kthehet në një farsë.

Për pasojë të mos funksionimit sipas standardeve evropiane të shteti të së drejtës në Kosovë, në luftimin e dukurive negative, Kosova po ndëshkohet edhe nga BE-ja duke mbetur Akoma I vetmi vend I izoluar mes të Evropës, prandaj qytetarët e Kosovës ka vite duke pritur e qëndruar si në “tehun e shpatës” me ankth në pritjen e një përgjigje eventuale pozitive nga e BE-së për liberalizimin e vizave. Për shkak të kapjes së thellë të sistemit të drejtësisë nga krimi i organizuar, nga lanet dhe nga ndikimi i politikës, ky popull ka ngelur i vetmi, i mbyllur sikur në një geto pa lirinë e lëvizjes sepse Evropa po i jep notë negative pikërisht sundimit të ligjit. Qytetarët akoma po vazhdojnë të jenë sërish në ankth të pritjes vijuese për vendimin e BE-së në lidhje qëndrimin e vendeve të BE-së rreth liberalizimit të vizave, proces që po kushtëzohet nga shtetet më skeptike lidhur me vlerësimin negativ që kanë ato lidhur me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit nga sistemi i drejtësisë kosovare.

Tani që kemi një qeveri të re, e cila ka një fuqi absolute të vendimmarrjes më të fuqishme si mazhorancë edhe në ekzekutiv edhe në legjislativ , konsideroj se kur është në pyetje reformimi i sistemit të drejtësisë, hartimi i politikave të qarta që i detyrojnë organet ligj zbatuese të sillen konform ligjeve dhe kushtetutës, e ka shumë më lehtë se qeveritë e kaluara dhe duhet të vepron pa vonesë në këtë drejtim. Nuk bëhet fjalë për ushtrimin e ndikimit të politikës në sistem por vetëm për hartimin e legjislacionit adekuat obligativ që të zbatohet nga institucionet e pa varura të sundimit të ligjit, me mekanizmat e tyre vetë kontrollues dhe vetërregullues sipas standardeve të BE-së.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".