Zvarritja dy dekada e krijimit të Institutit për Krimet e Luftës nga ish qeveritarët, është krim i dyfishtë mbi krimet serbe kundër popullit të Kosovës

Zvarritja dy dekada e krijimit të Institutit për Krimet e Luftës nga ish qeveritarët, është krim i dyfishtë mbi krimet serbe kundër popullit të Kosovës

Gani Qarri

  • 09 June 2021 - 13:12

Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri

Mos funksionimi i një Instituti për Krimet e Luftës, tash e mbi 21 vite me radhë, përveç dhembjes së pafund të familjarëve dhe shkatërrimeve të paimagjinueshme materiale, ka lënë shumë paqartësi, dilema dhe pyetje të hapura, jo vetëm mbi përmasat e krimeve të luftës dhe gjenocidit të shkaktuar nga Serbia në Kosovë, djegiet, shkatërrimi i pronës etj.

- Në mungesë të një institucioni të tillë të hulumtimit dhe dokumentimit të krimeve serbe , lë shumë paqartësi mbi të gjitha aktet e njohura makabre të krimeve dhe gjenocidit serbe mbi shqiptarët e pafajshëm, por edhe për shkaqet dhe arsyet e mos dënimit të asnjë akti të vetëm kriminal serb, qoftë edhe në mungesë, për vrasjet, përdhunimet, kidnapimin e të vdekurve dhe shkapërderdhjen e trupave të të vrarëve, nëpër varrezat masive gjithandej Serbisë, eshtrat e të cilëve vazhdojnë të zhvarrosen në mënyrë sporadike edhe 22 vite pas lufte, pa kuptuar asnjëherë, mënyrën se si ata u vranë dhe as, se çfarë ka ndodhur me organet e tyre.

Kështu që nga vitit1999, e deri më tani, kanë kaluar mese 22 vite nga paslufta në Kosovë, por përveç pasojave të rënda të cilat kanë ndryshuar përgjithmonë gjendjen shpirtërore dhe kuptimin e jetës së familjarëve të prekur nga vrasjet e kidnapimet, djegiet, përdhunimet etj, plagët e luftës në Kosovë, mjerisht ende janë të gjalla, të pranishme dhe të freskëta, me të gjitha përmasat tragjike, njëjtë si në ditët e para të fillimit të saj. Madje dëmet që në 13 vitet e fundit, i kanë shkaktuar popullit dhe shtetit të Kosovës partitë e inkriminuara, me Thaçin, Mustafën, Haradinajn e Limajn në krye, jo vetëm që është i pallogaritshëm, por veprimet e tyre kundër vendit dhe qytetarëve të Kosovës, të cilat shkuan deri atje, sa ta shuanin edhe "Institutin për Krimet e Luftës", duhet hetuar urgjentisht dhe deri në detaje, në mënyrë që të gjithë të inkriminuarit të nxirren para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

Për aq më tepër, përveç skandaleve të panumërta që kjo mafi politike ka ditur ti bëjë Kosovës dhe qytetarëve të saj, skandal më vete dhe i llojit, më të trisht, që kanë prodhuar dhe ka mundur të ndodhë veçanërisht në dy mandatet e kaluara të qeverisjes së kriminalizuar të vendit, është akti se ato jo vetëm që kanë injoruar për vite me radhë të gjitha krimet e Serbisë në Kosovë, por edhe kanë shuar plotësisht me qëllim Institutin e formuar qysh më 2011, për Krimet e Luftës, i cili kishte për mision, mbledhjen, dokumentimin dhe dëshmimin e historisë së të gjitha krimeve që Serbia i ka shkaktuar në Kosovë.

Institut i cili me punën e tij, parashihej për ta mbështetur edhe gjyqësorin, institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare të drejtësisë për ushtrimin e padisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, kundër krimeve të luftës dhe gjenocidit të shkaktuar në Kosovë, nga Serbia okupatore. Për aq më tepër, Instituti për Krimet e Luftës, edhe pse ishte themeluar fillimisht në vitin 2011, si pjesë e Ministrisë së Drejtësisë, për mbledhjen dhe argumentimin e krimeve të luftës, të shkaktuara në vitet 1998-1999 nga Serbia ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Kosovë, ai shua pa asnjë shpjegim, nga po këto figura meskine dhe të krminalizuara, dhe nga atëherë e deri më sot, vetëm "Instituti për të Vërtetën, Drejtësinë dhe Paqen", ka arritur së fundi të bëjë botimin e një libri me titull, "Gjenocidi ndaj Shqiptarëve të Kosovës dhe Ndërhyrja Humanitare e NATO-së", ndërsa shteti i udhëhequr nga mafio politika me Thaçin, Mustafën, Haradinajn e Limajn në krye, kishin ndaluar të gjitha gjykatat vendore, të trajtonin edhe padit private të qytetarëve të Kosovës, për gjenocidin e shkaktuar nga Serbia në Kosovë gjatë viteve të luftës.

Kështu që, megjithëse kanë kaluar mese 22 vite, qysh kur ka përfunduar lufta në Kosovë, edhe sot e kësaj dite, shumë akte kanë mbetur të pazbuluara dhe mijëra pikëpyetje të hapura e pa asnjë përgjigje, sidomos sa u takon krimeve të luftës, dhjetëra mijëra përdhunimeve, qindra masakrave e varrezave masive, të vrarëve e të kidnapuarve të cilët që nga viti 1999 Serbia i mbanë peng edhe për së vdekuri, duke mos ua kthyer familjeve në Kosovë, si dhe shkatërrimit total të pronës dhe pasurisë së shqiptarëve. Ndaj qytetarëve të këtij vendi, nuk u ka mbetur rrugëdalje tjetër, përveçse ti mbështesin të gjitha shpresat te Qeveria e re, që vetëm kjo ta kompensojë, për aq sa të jetë e mundur, kohën e humbur për më tepër se dy dekada, nga partitë e krimit, për ri ngritjen e këtij instituti dhe ngritjen pa vonesë të padisë kundër Serbisë okupatore. Madje kryeministri i Kosovës Albin Kurti, duke marrë pjesë në takimin e parë të Grupit Punues për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës nga Serbia në Kosovë, deklaroi të hënën se instituti për krimet e kryera gjatë luftës mund të jetësohet vetëm me përkushtimin e të gjithëve dhe këtu nuk duhet bojkotuar as hezituar, por duhet bashkëpunuar për mbledhjen dhe dokumentimin e të gjitha fakteve ekzistues, një pjesë e të cilave, për shkak të mosveprimit të qeverive të kaluara dhe kohës së gjatë të kaluar, mjerisht edhe mund të jenë zhdukur e tjetërsuar. Pra ai me të drejtë deklaroi se nuk do të jetë e lehtë e madje do të jetë edhe e vështirë që pa bashkëpunimin e të gjitha segmenteve dhe institucioneve në vend, t’i adresojmë të gjitha krimet e kryera, ndaj dhe kërkoi angazhim sa më të madh të secilit dhe të gjithëve në këtë drejtim.

Krijimi i këtij institute ishte iniciuar edhe në mandatin e kaluar të Qeverisë Kurti, por mandati i saj u ndërpre nga kalkulimet politike të Hashim Thaçit e Isa Mustafës, pa mbushur dy muaj të plotë, më 2020, kurse tani në këtë mandatë të ri, ai tha se vetëm po vazhdohet, aty ku ka mbetur, nga Qeveria Kurti -1, me fazën e dytë që do të përgatisë koncept-dokumentin e krimeve të kryera gjatë luftës nga Serbia në Kosovë. Por siç theksoi edhe vet kryeministri Kurti, zvarritja e qëllimshme shumëvjeçare e kësaj çështjeje, nga qeveritë e kaluara, përderisa në pushtet ishin partitë e inkriminuara, ka krijuar vështirësi të shumta në adresimin e të gjitha krimeve te kryera, pasi që edhe familjarët e viktimave kanë humbur besimin te ish institucionet e kriminalizuara të shtetit, duke bërë që të mos mund ti ruajnë, për kohë kaq të gjatë mosveprimi të shtetit, të gjitha faktet, andaj tani duhet një angazhim më i madh në këtë drejtim sepse janë mbi 13 mijë persona të vrarë gjatë luftës, dhe dëme shumë të mëdha edhe ekonomike, si dhe aspekte tjera, kështu që padia kundër këtij shteti okupator, duhet të jetë shumë përmbajtjesore dhe tërësisht e kompletuar.

Ndërsa Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka qenë edhe më e drejtpërdrejtë duke deklaruar qartë se deri më tani ka munguar tërësisht vullneti politik, i partive të inkriminuara në adresimin e këtij problemi, duke shtuar se mbështetja e kësaj ministrie dhe Qeverisë së re të Kosovës nuk do mungojë asnjëherë, madje për aq më tepër, ka edhe një mobilizim të fuqishëm të të gjitha organizatave që punojnë me qytetarët për ti dëshmuar e argumentuar, sa më bindshëm dhe në mënyrë sa më të argumentuar me fakte autentike të gjitha krimet dhe gjenocidin e shkaktuar nga Serbia okupatore në Kosovë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".