Reformimi dhe ristrukturimi profesional i shërbimit diplomatik të Kosovës detyrë serioze e trashëguar nga degradimi i trashëguar i qeverisjeve të kaluara!

Reformimi dhe ristrukturimi profesional i shërbimit diplomatik të Kosovës detyrë serioze e trashëguar nga degradimi i trashëguar i qeverisjeve të kaluara!

Gani Qarri

  • 04 September 2021 - 09:02

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Si pasojë e përfaqësimit të dobët të Kosovës nga të ashtuquajturit diplomat, ambasador e konsuj gjysmanalfabet në vende të ndryshme të botës, si dhe rrjeti i dobët përcjellës në MPJ, Kosova që disa vite me radhë po ngec në njohje dhe anëtarësim në organizatat më të rëndësishme rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare.

-Ndaj gjendja e tillë karastrofale në diplomaci dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, e bënë të domosdoshëm jo vetëm një rishikim të thjeshtë por riformatimin e plotë dhe komplet të gjithë shërbimit diplomatik të Kosovës, madje për shkak të dështimit dhe degradimit të tërësishëm për tri mandatet e kaluara të qeverisjeve të inkriminuara të cilat shkatërruan edhe diplomacinë e vendit dhe denigruan deri në fund Ministrinë e Punëve të Jashtme, reformimi i thellë i këtyre sektorëve kaq të rëndësishëm të shtetit, bëhet nevojë urgjente për Qeverinë Kurti.

E gjendjen jashtëzakonisht të rëndë, veçanërisht në këto dy dikastere të rëndësishme e dëshmon edhe vetë ish ambasadorja e Kosovës në Itali, zonja Alma Lama , e cila zbulon pjesërisht edhe skandalet që kanë ndodhur gjatë kohës së qeverisjeve të inkriminuara, duke dëshmuar me fakte nivelin tepër të ulët të të emëruarve në përfaqësitë diplomatike të shtetit të Kosovës nga Qeveritë e kaluara, nivel i cili i afrohet paditurisë së skajshme dhe shkon deri afër analfabetizmit të turpshëm, për përfaqësitë e një shteti të pavarur. Ndaj duke pasur parasysh gjendjen denigruese në të cilën partitë e inkriminuara e kanë degjeneruar diplomacinë e shtetit të Kosovës, ambasadorja Alma Lama, me të drejtë ka kërkuar nga Qeveria Kurti që sa më parë, të bëjë një shqyrtim rrënjësor për mënyrën sesi kanë marrë grada ambasadorët e tillë të Kosovës.

Kërkesa e zonjës Lama bëhet edhe më obliguese për Qeverinë aktuale, pasi që siç shpjegon ajo, ka ambasadorë të Kosovës të cilët nuk dinë të shkruajnë as një E-mail dhe nuk njohin asnjë gjuhë të huaj, madje jo vetëm që nuk e njohin gjuhën e vendit ku ata shërbejnë, por as gjuhën angleze, si gjuhë botërore, që duhet të jetë kushti dhe standardi i parë për një diplomatë, e të mos flasim me këtë rast edhe për kulturën dhe njohuri tjera, që atyre u mungonin. Siç dëshmon zonja Alma Lama, në Kosovë për shumë vite, ka pasur shkelje masive të mënyrës se si janë dhënë gradat në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ndaj Qeveria e re e Kosovës do të duhej të fillonte menjëherë shqyrtimin e hollësishëm ligjor se si janë marr gradat dhe a kanë këta njerëz aftësi diplomatike për të përfaqësuar Kosovën si vend i pavarur, sepse diplomacia nuk është lojë, por është vet fytyra e shtetit”, ka shtuar z.Lama!

Pra është hera e parë që një ish diplomat i Kosovës flet kaq hapur, pa ekuivokë dhe pa asnjë paragjykim, për të metat dhe dallaveret që kanë bërë qeveritë kaluara, duke i dhënë të drejtë Qeverisë aktuale për masat që i ka ndërmarrë aktualisht, në përpjekje për vendosje të rendit dhe rregullit në emërimin e diplomatëve dhe sanimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës. Siç dihet edhe nga opinioni vendor, Alma Lama ishte ambasadore e Kosovës në Itali, por ajo nuk është lejuar ta qojë deri në fund mandatin e saj, madje pas prishjes së koalicionit LDK -PDK, dhe formimit të Qeverisë së re PDK-AAK-NISMA-AKR, ishte shkarkuar pa asnjë arsye dhe shpjegim nga pozita e ambasadores së vendit tonë në Itali.

Kështu që të gjitha këto akte kundërligjore të qeverive të kriminalizuara flasin qartë, se rindërtimi i rrjetit diplomatik të Kosovës dhe aktivizimi më i fuqishëm i politikës së jashtme, është dhe mbetet një nga sfidat më të mëdha të Qeverisë Kurti për ruajtjen dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të pavarur të Kosovës, si dhe fillimin e lobimit më të fuqishëm për njohje të reja dhe anëtarësim në mekanizmat me rëndësi ndërkombëtare, që shteti i Kosovës i ka më se të nevojshme.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".