Institucionet e dështuara të drejtësisë në panik, Prokuroria në aksion për mbushjen e normës statistikore

Institucionet e dështuara të drejtësisë në panik, Prokuroria në aksion për mbushjen e normës statistikore

Hajrullah Tërnava

  • 20 September 2021 - 06:43

Shkruan: ANALISTI-Hajrullah Tërnava

Duke parë që është ofruar koha për ndryshim dhe llogaridhënie, prokurorit e të gjitha niveleve, Komunale, e Prokuroria Shtetit dhe Speciale, janë në panik dhe po përpiqen që nëpërmes gjëja hetimit dhe ngritjes së aktakuzave për raste minore të veprave të zakonshme penale, të krijon mbulesë statistikore për mos hetim dhe dështim total në ndjekjen dhe parandalimin e grupeve të mëdha të krimit të organizuar, krimit dhe korrupsionit të jakave të bardha, aksione ato shumë të rralla të Prokurorisë Speciale që defilojnë një apo dy herë në vit nëpër media, por që dështojnë të materializohen dhe argumentohen në gjykime, për të përfunduar pastaj ose me humbje të rastit dhe dështime, që mbase mundë të jenë kurdisje të qëllimshme.

Shpresa e vetme për vendosjen e drejtësisë në binarët e shëndosh është pritja në realizimin e premtimeve të kësaj qeverie se do të ndërmerren masa të riorganizimit dhe reformimit të sistemit të drejtësisë, pastrimit të këtij sistemi duke e miratuar dhe filluar së zbatuari ligjin Vetting. Me këtë rast ka shpresa reale për pastrimin e institucioneve të drejtësisë, dhe instalimin e rregullit të përgjegjësisë dhe llogaridhënies në ato institucione, sidomos në gjyqësi, prokurori dhe polici, por edhe në mekanizmat tjerë vartës të sigurisë që ndërlidhen me punën e drejtësisë dhe të sigurisë.

Këto riorganizime duhet të bëhen pa tjetër, për shkak se qe mbi 21 vite të qeverisjes së këtij vendi, nga të gjitha partitë e deritashme, përpos të LVV-së që i ka fituar mbi 50% të votave nga qytetarët dhe po zotohet për rend dhe ligj, asnjë mandat i kaluar në dy dekadat që mbeten pas nuk e ka trajtuar me seriozitet fushën e drejtësisë, sepse drejtësia ka qenë në shërbim të politikës së infektuar nga krimi i organizuar. Qytetarët për 20 ato vite kanë përjetuar padrejtësi nga abuzuesit e ligjit

Prandaj nga zhgënjimi i madh u pozicionuan në shpresën për ndryshime duke i dhënë besimin në formë referendumi një subjekti të ri politik, një votë absolute në emër të sundimit të ligjit për VV-në. Sikur qe dihet se kemi një mal rastesh minore të aktakuzave të ngritura sa për improvizim e shënim statistikor për raportin e fund vitit, flet edhe njoftimi i fundit nga Prokuroria e Pejës i cili u bë me pompozitet duke njoftuar se ka ngre aktakuzë për 50 euro ryshfet, rast në të cilin akuzohen zyrtari doganor dhe një qytetar.

Një rast tjetër në Prishtinë, ku arrestohen katër persona nën akuzë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje ryshfeti e pranim të ryshfetit në sektorin privat. Vetëm gjatë këtyre javëve të fundit, pas pushimeve të verës, kemi dhjetëra komunikata të bëra publike Prokuroria e shtetit dhe nga PSRK-ja për aktakuza të reja të ngritura për krim të organizuar e korrupsion, për, abuzim të detyrës zyrtare, por pa transparencë dhe pa detaje të hollësishme, pra nuk kemi asnjë aktakuzë të vetme të publikuar për vjedhjet milionëshe të buxhetit të shtetit, për kurdisje të tenderëve dhe kontrata milionëshe me shkelje ligjore të konstatuar edhe nga Raportet e ZKA-s, dosjet e të cilave presin me vite dhe nuk shqyrtohet, mbeten në harresë dhe parashkruhen qëllimisht e amnistohen. Prandaj situata nëpër këto institucione të deritashme të sundimit të ligjit, ku këta zyrtar kanë marr paga të majme e pa bërë kurrfarë pune, është bërë alarmante dhe punohet ad-hoc.

Ata janë mësuar të luajnë role të dirigjuara nga ana e zyrtarëve bosa që i kontrollojnë ata, dhe duke iu ndjetë si të besueshëm shefave të tyre që i kanë emërua në ato poste. Mirëpo situata ka filluar të ndryshoj sepse me kalimin e kohës po perëndon epoka e tyre e kapjes së shtetit, prandaj për çdo çmim duan ti mbulojnë veprimet e tyre të kaluara qoftë edhe me ndonjë improvizim. Koha po punon për ndryshime edhe në sistemin ë drejtësisë, sepse fshesa e madhe e Vetting-ut është duke u përgatitur, prandaj prokuroritë e të gjitha niveleve po bëjnë gjithçka që të duken aktive, duke provuar që pajtueshëm të shkëputen nga ata shefat e tyre qe kanë sjellë sundimin e ligjit në këtë gjendje të mjerë, e kanë sjellë edhe këtë shtet në një situatë të tej kriminalizuar, ku të rinjve jua kanë humbur shpresën për të jetuar në Kosovë, dhe jo rastësisht tani të rinjtë ditë për ditë po provojnë të gjejnë rrugë që të migrojnë në shtetet perëndimore.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".