Krimi i fajdeve në Kosovë i lidhur ngushtë me politikën e inkriminuar të dy dekadave të kaluara

Krimi i fajdeve në Kosovë i lidhur ngushtë me politikën e inkriminuar të dy dekadave të kaluara

Hajrullah Tërnava

  • 21 September 2021 - 07:01

Shkruan: ANALISTI-Hajrullah Tërnava

Skema e fajdeve është një nga veprimet më të rrezikshme me të cilat akoma ballafaqohen dhe plaçkiten qytetarët e pa informuar, të cilët po vazhdojnë të bien viktima të grupeve të tilla të krimit të organizuar, prapa të cilave dyshohet me bazë se qëndrojnë grupe mafioze të lidhura me politikën që në forma të ndryshme të kundërligjshme që kanë krijuar pasuri marramendëse dhe operojnë me të në formë të dhënies, me fajde, përqindje e cila nuk mundë të kthehet në kohë e në shumë të kërkuar, dhe pastaj të njëjta grupe shkojnë me veprimet e tyre deri në kushtëzim të palëve edhe me konfiskim pasurie me forcë e me dhunë.

Institucionet e drejtësisë që prej pas luftës e deri më tani i kanë treguar mangësitë e tyre në luftimin e krimit dhe të gjitha të këqijave që po ndodhin në këtë shtet. Një prej arsyeve pse tani institucionet e drejtësisë gjenden në këtë situatë të palakueshme, është shkaku se në krye të shtetit, pas luftës u emëruan njerëz jo profesionist dhe pa një kulturë shtetërore, dhe në ato vende u postuan kryesisht familjar të të fortëve të shtetit, e të cilët dihet se e kishin për detyrë të bëjnë çmos që të jua ruajnë interesin atyre që i kanë emëruar në ato poste dhe në vepra të argumentojnë se janë besnik të tyre.

Me kalimin e kohës tani, kur krimi mori hovin e madh, e sidomos në ato krime merrnin pjesë edhe njerëz „eminent komandantë të luftës etj“ institucionet e drejtësisë i anashkalonin ato krime pa u dënuar fare apo i mbanin në procedura duke i prolonguar ato gjykime deri në vjetërsimin-parashkrimin e tyre, prandaj marrë në tërësi këto institucione të drejtësisë në ushtrimin e detyrave të tyre kanë dështua.

Institucionet kanë dështuar që ta ndjekin, zbulojnë dhe pamundësojnë veprimin e grupeve mafioze dhe kriminale të fajdexhive, të cilët për plot dy dekada po e plaçkitin qytetarin e Kosovës. Rastet e tilla të kapjes në flagrancë janë shumë të rralla, por edhe kur kapen zakonisht zbulohen individët që janë të lidhur ngushtë me Politiken, sikur që ishte rasti i fundit i raportuar nga policia e Kosovës, nga Njësiti i Hetimeve pranë Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, ku është arrestuar një person nën dyshimin për veprat penale fajde dhe detyrim, në flagrance, dhe i njëjti është identifikuar si ishte pjesëtar i luftës, figurë me ndikim por me të kaluar kriminale edhe në disa raste të mëhershme, të cilit i janë sekuestruar: 10.000 euro para të gatshme, një veturë. I përfshiri në këtë është bërë publik të jetë një nga ish-komandantët e UÇK- së, i Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”, në Zonën e Dukagjinit, Azem Veseli.

Sikur që është raportuar për të kaluarën e tij, thuhet se Azem Veseli në historikun e tij ndër vite del të ketë edhe disa vepra të tjera penale për të cilat edhe ishte dënuar. Më 16 shtator 2010, Gjykata e Qarkut në Pejë e kishte shpallur fajtorë dhe dënuar Azem Veselin, për veprën penale të detyrimit të kryer në bashkëkryerje me disa persona të tjerë, ku Veseli ishte dënuar me 2 vite burg. Raportohet se rasti kishte të bënte detyrim ndaj një biznesmeni të njohur ku të njëjtit e kishin detyruar biznesmenin që t’i paguaj një shumë prej 150.000 eurosh pas fitimit të tenderit për privatizimin e një hoteli nga ana e këtij të fundit, në fund të 2009-tës dhe fillim të vitit 2010. A flasin shembujt e tillë, sado që janë të pakët në raportimet për zbulim, se nëntoka e krimit të organizuar është tepër e fuqishme në Kosovë, që përbën një rrjet të organizuar mafioz.

Dhe ku drejtësia duhet të jetë shumë me e guximshme për tu fokusuar, hetuar e zbuluar, dhe pamundësuar veprimin e grupeve të tilla kriminale, duke konfiskuar pasurinë e tyre dhe kthimin në buxhetin e shtetit për investime për zhvillim. Duke marre parasysh këtë lloj të krimit të fajdexhive që llogaritet si më i rrezikshmi, si krim, sepse ata „mallëngjejnë që kanë nevojë për qëllimet e tyre me u futë në këtë krim“, si nevojli, ju duhen paratë, dhe duke llogaritur se shpejtë i paguajnë- i kthejnë, ato pare me kamata, dhe në këtë mënyrë futen në këtë krime dhe shumica nga ata kapitullojnë në aspektin financiar.

Nuk janë të rralla rastet kur nga presioni dhe detyrimi i fajdexhiut apo grupit të tillë njerëzit janë detyruar të bëjnë edhe vetëvrasje, sikur rasti i fundit qe ndodhi, prandaj institucionet e luftimit të krimeve duhet të bëjnë ç’mos dhe ti luftojnë këto krime tepër të rrezikshme për njerëzimin.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".