Hashim Thaçi që po “pushon” në Hagë, përgjegjës për tentim falje të krimeve të luftës shtetit serb

Hashim Thaçi që po “pushon” në Hagë, përgjegjës për tentim falje të krimeve të luftës shtetit serb

Gani Qarri

  • 21 September 2021 - 07:00

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Hapjen e arkivave të ushtrisë dhe policisë okupuese serbe, për zbulimin përfundimtar të fatit të mijëra shqiptarëve të kidnapuar, të cilët nga ushtria dhe policia pushtuese serbe, u morën të gjallë nga Kosova, por me gjithë kalimin e mbi dy dekadave të pasçlirimit dhe mese 11 vite të kaluara të bisedimeve maratonë, me këtë shtet okupator, çështja e të pagjeturve, kurrë nuk ka qenë temë për Hashim Thaçin dhe bashkëmendimtarët e tij renegat.

Përpjekjet e vazhdueshme dhe vendosmëria e Qeverisë aktuale së Kosovës po japin frytet e para dhe korrin sukseset e pritura, duke marrë edhe mbështetjen e fuqishme nga miqtë e Kosovës dhe mbarë faktori ndërkombëtar, të cilët dolën hapur në përkrahje të kërkesës së Kosovës që, temë e parë në dialog të jetë kushtëzimi i Serbisë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe kthimin e trupave të tyre në Kosovë.



Për aq më tepër, ky është vetëm hapi i parë iniciues, por një nga më të rëndësishmit dhe vendimtar, të qeverisë së re të Kosovës, për të vazhduar më tutje, me ngritjen e padisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, kundër Serbisë okupatore për krim e gjenocid të organizuar shtetëror ndaj shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë.

Është edhe një fakt më tepër, nga mijëra sosh, për të ngritur edhe faturën e shpagimit të krimit ekonomik, shkatërrimit masiv të shtëpive dhe pasurisë së shqiptarëve të cilat vetëm si dëme të shkaktuara gjatë viteve të luftës nga Serbia në Kosovë, llogariten të jenë mbi 22 miliardë euro.



Por, përkundër të gjithave, me gjithë kalimin e mbi një dekade të bisedimeve me Serbinë, përveç neglizhimit të personave të vrarë e të kidnapuar nga Serbia, as kompensimi për dëmet e luftës deri më tani nuk është ngritur as parashtruar kurrë si temë nga Thaçi me shokë, gjatë gjithë dialogut të zhvilluar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel, nga ky shtet mostrum okupator.

Madje tanimë edhe vet zëvendësndihmës Sekretari për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë deklaroi decidivisht se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presin që i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav  Lajçak, përfundimisht të arrijë synimin e dialogut të nisur tash e mbi dhjet vite më parë, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është “arritja e një zgjidhjeje” ndërmjet dy shteteve, ndërsa njëra ndër çështjet me prioritet që kërkon zgjidhje të menjëhershme, është ajo e personave të pagjetur.

Kështu që me insistimin e SHBA-ve, shtetit më të madh mik të Kosovës në botë, tema më urgjente, që do të lëvizte gjërat përpara, pas dështimit mbi dhjetëvjeçar në dialog me Serbinë, përfundimisht po bëhet çështja e personave të pagjetur, një temë humanitare e cila nuk guxon të bllokohet për asnjë ditë më tepër nga Serbia, për shkak të të ashtuquajturave "mosmarrëveshje" politike, që megjithëse ishte arsyetimi më i pakuptimtë, fal heshtjes së turpshme të Thaçit & Co, për gjithë këto vite është përdorur me shumë sukses, nga ky shtet okupator i Kosovës.



Madje pikërisht shkaku i mos hapjes fare të kësaj teme kaq të dhembshme nga kuislingu Hashim Thaçi & Co, mijëra familje kosovare vijojnë të presin me zemër të thyer, pa marrë asnjë lajm, tash e mbi dy dekada, për të kuptuar se çka në realitet ka ndodhur me më të dashurit të tyre.

Lidhur me këtë akt makabër edhe vet z. Gabriel Escobar, shprehet me habi dhe thjesht nuk e kupton se si ka mundësi, që as për një çështje humanitare e njerëzore si çështja e të pagjeturve, nuk është kërkuar asnjë sqarim nga Thaçi në dialogun e zhvilluar për më tepër se 10 vite me Serbinë.

Prandaj e gjitha kjo dëshmon më së miri se sa e papërgjegjshme dhe kundërnjerëzore ka qenë sjellja e qeverive të kaluara, sjellje e kundërligjshme që lirisht mund të konsiderohet edhe si vepër penale dhe shkelje e të drejtave të njeriut, për të cilën do duhej ngritur edhe padi kundër personave përgjegjës që nga Thaçi e Isa Mustafa deri të Ramush Haradinaj, lidhur me neglizhimin e kësaj çështjeje kaq të ndjeshme për të cilën vetëm tash po këmbëngulë Qeveria Kurti dhe për të njëjtën po merr edhe mbështetjen e nevojshme të miqve të Kosovës dhe gjithë faktorit ndërkombëtar.



Qëndrim i rëndë dhe i pashembullt antinjerëzor, si dhe “harresa” më e paprecedent e qëllimshme e gjenocidit dhe krimeve të luftës në dialogun e udhëhequr për mese një dekadë nën mandatin e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafë me Serbinë, të cilët tanimë po dëshmohet, se edhe çështjen e të pagjeturve, e paskan kthyer në pazar tepër të turpshëm, për interesa personale, të kuislingut Thaçi & Co, me shpresën se nga Serbia do të heshtën dosjet që ajo kishte ndaj Thaçit me shokë, për të kaluarën e tyre të dyshuar kriminale, të deponuar edhe në aktet e Gjykatës Speciale, me bindjen se gjykata në fjalë, mund ti arrestonte vetëm shokët dhe bashkëpunëtorët e Thaçit, por atë personalisht, do ta amnistonte, gjë që nuk i doli ashtu si e mendonte dhe tash e gati një vite ai mbahet edhe vet, bashkë me bashkëpunëtorë nën akuza për mbi 100 vrasje, i arrestuar në Hagë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".