Qeveritë e “komandantëve” e kapën shtetin për fyti

Qeveritë e “komandantëve” e kapën shtetin për fyti

Hajrullah Tërnava

  • 25 September 2021 - 09:08

Shkruan: ANALISTI-Hajrullah Tërnava

Punësimet më me vlera dhe priftabile në këto dy dekada ishin nëpër institucionet shtetërore por në ato vende të punës mundeshin të punësohen vetëm të afërmit familjarët e „komandantëve“ që e kapen shtetin për fyti dhe tani kemi mbërri në këtë situatë të tillë që çdo qytetari i ka humbur dëshira për të jetuar në Kosovë, me padrejtësitë të cilat iu kanë bërë këtij populli me dekada, prandaj po mbetet barrë e rëndë për Qeverinë e re të Kosovës ndërtimi më i shpejtë i perspektivës zhvillimore dhe krijimit të kushteve për angazhimin e fuqisë së re në tregun vendor të punës, për faktin se trendi i filluar i largimit të të rinjve jashtë vendit, dhe madje heqja dorë edhe nga shtetësia e Kosovës, po vazhdon të jetë në përmasa alarmante.

Situata në të cilën tani gjendet Kosova me papunësinë e popullatës së sajë është për tu dhimbsur, sepse vendi ditë e për ditë po zbrazet nga të rinjtë e këtij vendi. Qeveritarët e deritashëm që nga lufta e deri më tani nuk ishin largpamës, dhe nuk ndërmarrën diçka të rëndësishme për punësimin e të rinjve të këtij vendi, duke ju hapur vende të reja pune që të punësohen në vendin e tyre dhe të kontribuojnë për zhvillimin e vendit të tyre, por të gjithë qeveritarët deri me tani që ishin në pushtet, mendonin vetëm për pasurimin e tyre.

Si metodë e pasurimit hapen universitete dhe fakultete në të gjitha qendrat e qyteteve dhe të rinjtë u vërsulen dhe i regjistruan ato fakultete, por profesorët e vërtetë të punësuar nëpër ato fakultete ishin në numër të vogël. Prandaj edhe në ato fakultete u punësuan profesor pa kritere, por edhe kryerja e fakulteteve në shumë raste ishte si kriter nëse i kishin bërë pagesat e nevojshme fakultetit, dhe kryerja e fakultetit ishte kushte i pagave të tyre. Problemi ishte se për ato diploma të shumta nuk kishte vende pune, dhe të rinjtë punësoheshin edhe si kamerier për një rrogë të vogël sa për të pasur para për një ekzistencë edhe që ato rroga ishin shumë të ultë, dhe të rinjtë për një shkak të tillë po tentojnë që të shpërngulen në shtetet e BE-së, për një të ardhme më të mirë dhe rroga më dinjitoze që munden s’paku familjen e tyre t’iu dalin në ndihma për ekzistencë. Sipas statistikave më të reja zyrtare të MPB-së shumica e qytetarëve të cilët po sigurojnë leje afatgjatë punë jashtë Kosovës, po heqin dorë edhe nga shtetësia, dhe kështu kemi një trend të rrezikshëm të vazhdimit të zbrazjes së popullsisë nga shteti i tyre.

Sipas raportit më të fundit të MPB-së vetëm për 9 muaj të fundit janë regjistruar mbi 3 mijë e 500 kosovarë që pas punësimit të qëndrueshëm në vendet perëndimore kanë hequr dorë edhe nga shtetësia kosovare. Sikur që bëhet e ditur nga statistikat zyrtare të MPB-së, brenda 4 viteve të fundit, pasi sigurimit të punësimit të qëndrueshëm jashtë vendit, dorë nga shtetësia kanë hequr mbi 20 mijë persona, gjë që paraqet një rrezik serioz të varfërimit të tregut të punës në vend në profilet më të kërkuara të ngritjes profesionale për të tregun e punës në vitet në vijim dhe kështu paraqitet pengesë serioze edhe në zhvillim.

Një zbrazje e popullatës sikur që po ndodhë viteve të fundit, është për tu dhimbur, sepse këtë se ka pritur Kosova, por kështu ndodhë kur në krye të shtetit vijnë njerëzit që se kishin një kulturë shtetërore dhe aftësi për të udhëhequr me shtetin dhe interes e kishin pasurimin e tyre, e të cilët së pari është dashur të mendojnë për forcimin e shtetit, që mos të ballafaqohemi me këto pasoja si tani që po ballafaqohemi, ata mjerisht mendonin dhe vepronin si të pasurohen për veten e tyre sikur që ja arritën qëllimit, prandaj edhe investitor nga shtetet e ndryshme kur donin të investonin në Kosovë, të mëdhenjtë e shtetit iu kërkonin tallin-përfitimin e tyre, prandaj ata investitorë kur i dëgjonin këto kërkesa, u tërhiqeshin nga këto investime, prandaj s’është çudi tani që gjendemi në këtë situatë të pa shpresë. Nëse trendi i zbrazjes vazhdon tani sikur që po ndodhë, atëherë Kosova në një kohë jo të largët do të zbrazet dhe këtu do të mbesin vetëm moshat e pleqve, prandaj Serbia i ka të gjitha këto ndodhi parasysh dhe asaj kjo situatë i shkon për shtati.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".