Migrimi i qytetarëve të pashpresë, mjerim në shtetin e kapur nga mafia dhe krimi i organizuar!

Migrimi i qytetarëve të pashpresë, mjerim në shtetin e kapur nga mafia dhe krimi i organizuar!

Gani Qarri

  • 12 October 2021 - 13:46

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Vet ky akt i dhembshëm, flet më tepër se mjaftueshëm për humbjen e madhe të besimit të qytetarëve në shtetin tonë të brishtë, pasi që shkaktar i gjithë kësaj ndjenje dëshpëruese, mbetet mosbesimi në institucione dhe klasën e inkriminuar politike e cila për 20 vite me radhë, plaçkiti e përvetësoi çdo gjë, duke ia vrarë sistematikisht brezit të ri të gjitha shpresat dhe ndjenjën e perspektivës në atdheun e vetë.

Mjerisht kohëve e fundit po bëhet gjithnjë e më shqetësues dëshpërimi dhe trendi i disponimit negativ të të rinjve kosovarë me tendencën në rritje që ata të migrojnë sa më parë jashtë vendit, një trend alarmant që sipas shifrave të publikuara për aplikimet e reja, e rriti dhe forcoi edhe më tepër, hapja e terminit njëditor për viza në ambasadën e Gjermane. Madje ashtu siç edhe pritej, mbi 20.000 qytetar kryesisht të rinj kanë provuar për të zënë termine për viza pune në Gjermani, duke bllokuar kështu edhe funksionimin e sistemit për aplikim online.

Kjo dëshmon se kur një vend për 20 vjet me radhë, sundohet arbitrarisht nga drejtues kriminel të cilët i kanë kapur të gjitha institucionet e shtetit si meduzat dhe shumica prej personave të kriminalizuar, vijojnë edhe sot të mbajnë pozitat kyçe të shtetit duke ua bërë jetën ferr të rinjve pa mbështetje dhe përkrahje politike, dhe favorizuar vetëm fëmijët e të afërmit e vet dhe bijtë e bijat e biznesmenëve të lidhur me politikën e inkriminuar, që ua mbushin gushen me euro. Pra me një fjalë, të rinjtë e Kosovës, janë duke vuajtur barbarisht nga njerëz shpirt prishur të cilët me veprimet e tyre korruptive e kriminale të kapjes së shtetit, po e zbehin te rinia dhe qytetarët edhe atdhedashurinë dhe ndjenjën për liri, që e arritëm pas çlirimit nga NATO dhe SHBA.

Ndaj ky trend i trishtë dëshpërues po ndikon tepër shumë në rrezikun e zbrazjes së pa kontrolluar të shtetit nga inteligjenca dhe fuqia e shëndetshme për punë në planin afatmesëm dhe afatgjatë të shtetit tonë, kur shihet se përditë e më tepër, rritja marramendëse edhe zbrazja e rrezikshme e “trurit “ intelektual, derisa së fundi Bashkimi Evropian i ka dhënë dritën jeshile Kartës Blu, një strategji e mirë menduar për të tërhequr punëtorë sa më të kualifikuar nga vendet e treta, përfshi edhe vendin tonë.

Kështu që Këshilli i BE-së, sapo miratoi edhe direktivën që përcakton kushtet e hyrjes dhe qëndrimit për shtetasit e vendeve të treta, për seleksionuar përmes Kartës blu punëtorët me kualifikime sa më të larta, të cilët shkojnë për të jetuar dhe punuar në territorin e Bashkimit Evropian, sistem i ri ky, i vendeve të BE-së synojnë të furnizohen me punëtorë sa më të kualifikuar, veçanërisht në sektorët që përballen me mungesa të punëtorëve me aftësi të larta profesionale.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"