Hajnat e 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit dhe arkës 300 kilogramësh tash kanë emër!

Hajnat e 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit dhe arkës 300 kilogramësh tash kanë emër!
Hajnat e 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit dhe arkës 300 kilogramësh tash kanë emër!

Gani Qarri

  • 20 tetor 2021 - 07:34

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Siç dihet tanimë nga mbarë opinioni publik, më 21 tetor të vitit 2020, nga Labinot Gruda, zyrtar i Ministrisë së Financave të cilën e udhëhiqte Hikmete Bajrami nga LDK dhe Kadri Shala përfaqësues ligjor në Kompaninë LDA Group SHPK, kompani në të cilën edhe janë transferuar paratë nga Thesari, vetëm për 8 minuta, kanë kryer një nga vjedhjet më spektakolare e cila, aso kohe u cilësua edhe si vjedhja e vitit. Me këtë rast, nga Thesari i Shtetit, Labinot Gruda dhe Kadri Shala zhdukën më se 2 milion e 80 mijë euro, apo shprehur në shifra 2,077,995.90 euro, kurse shumën e cekur të parave të vjedhura, e ndanë në 4 transaksione dhe dërguan në llogarinë e operatorit ekonomik LDA Group SHPK, që i takonte vet Kadri Shalës.

Megjithëse të pandehurit Labinot Gruda dhe Kadri Shala, me vjedhjen e Thesarit të Shtetit, buxhetit të Republikës së Kosovës i kanë shkaktuar dëme në vlerë prej hiq më pak se dy milion e shtatëdhjetë e shtatë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e pesë euro e nëntëdhjetë cent, apo shprehur në numra 2,077,995.90 euro, edhe pse të dy autorët e vjedhjes janë kapur në flagrancë në vendin e punës, prokurorisë Speciale i është dashur, hiq më pak se më se një vit e më tepër, që ta zvarritë administrimin e provave dhe ngritjen e aktakuzës, kundër tyre. Vjedhja në fjalë është kryer përmes sistemit elektronik, të njohur si Sistemi për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin (SMFK), me ç ‘rast transferimi i parave, është bërë në llogarinë e kompanisë LDA Group" me bazë në Llapushnik të Drenasit dhe pronar Kadri Shalën, me 4 pagesa, në emër të tri projekteve rrugore, si: rruga Zhur – Dragash, rruga Prizren-Prevallë dhe ajo Prishtinë- Mitrovicë. Por sikur të mos mjaftonte as ky skandal, vetëm pak ditë më vonë, në objektin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në Fushë Kosovë, u vodh edhe Arka 300 kilogramëshe, për të cilën nuk di askush, nëse është ngritur aktakuzë apo jo deri më tani dhe kush ishin hajnat.

Ndërkaq sa i takon vjedhjes së Thesarit të Shtetit, përveç vonesës bilike, prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), vetëm falë mbajtjes, gjithnjë aktuale, të kësaj çështje të paprecedent, nga mediat dhe pas një presioni të madh të opinionit publik, njoftoi se përfundimisht ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër 2 të pandehurve të lartpërmendur, për shkak të plaçkitjes së arkës së shtetit para mese një viti, kur buxhetit të Kosovës i kanë shkaktuar dëm rreth 2 milionë e 80 mijë euro, por vendimi për aktakuzën është ndërmarr vetëm javën e kaluar. Dhe duke pasur parasysh faktin e kapjes së prokurorisë dhe gjyqësorit nga krimo-politika dhe rrjetet e nëntokës kriminale, ekziston rreziku që kjo çështje serish të zvarritet qëllimisht dhe të marr kohë të stërzgjatur edhe në procedurë gjyqësore, pasi që bëhet fjalë për një superskandal i cili ka ndodhur brenda vet institucionit më të rëndësishëm shtetëror, si menaxhimi i arkës së shtetit, ku përsëri lidhjet me mafio-politikën, përmes ndikimit që ende kanë, mundë ta pengojnë zhvillimin normal të procedimit gjyqësor.

Sipas komunikatës së PSRK-së, i pandehuri Labinot Gruda akuzohet për veprat penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ‘’Hyrja në sistemet kompjuterike’’, ‘’Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes’’, si dhe ‘’Shpëlarje e parasë’’, në bashkëkryerje me të pandehurin Kadri Shala. Ndërkaq, edhe ndaj të pandehurit Kadri Shala është ngritur aktakuza për shkak të veprave të njëjta apo të përafërta penale, si ‘’Shpëlarje e parasë’’, në bashkëveprim me të pandehurin Labinot Gruda dhe për veprën penale ‘’Ndihma’’ në ndërlidhje me veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK),vetëm pas një presioni të madh të opinionit publik, më në fund ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër 2 të pandehurve me rastin e plaçkitjes së arkës së shtetit vitin e kaluar. Kurse lidhur me këtë rast, prokuroria ka kërkuar edhe konfiskimin e katër veturave të cilat janë rrjedhojë e këtij aktiviteti kriminal si dhe shumën e të hollave të vjedhura, të cilat janë ngrirë me urdhër të gjykatës, të cilat buxhetit të Kosovës i kanë shkaktuar dëm mbi 2 milionë euro.

Prandaj habit fakti se siç u cek edhe më lartë, megjithëse vjedhësit e Thesarit të shtetit janë kapur në flagrancë në vendin e punës, prokurorisë Speciale i është dashur, hiq më pak se më se një vit, për ngritjen e aktakuzës, madje vendimi rreth këtij rasti, është ndërmarr vetëm javën e kaluar, kështu që mbajtja nën vëzhgim dhe monitorimi i vazhdueshëm e aktiv nga mediat dhe njohësit e kësaj fushe, ka rëndësi të veçantë edhe për Zhvillimin e procesit gjyqësor ndaj hajnave të milionave të shtetit, vjedhja e të cilave u zbulua mbase edhe rastësisht, kur dihet se shumë vjedhje të tjera mjeshtërore e spektakolare kanë përfunduar në harresë dhe nuk janë zbuluar kurrë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".