Qeveria dhe institucionet e drejtësisë e kanë situatën në dorë, të konfiskohet pasuria e grabitur nga ish- KOMANDANTËT UZURPATOR!

Qeveria dhe institucionet e drejtësisë e kanë situatën në dorë, të konfiskohet pasuria e grabitur nga ish- KOMANDANTËT UZURPATOR!

Gani Qarri

  • 12 November 2021 - 07:25

Shkruan:Gani Qarri

Deklarata e Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor sipas të cilit, pasurinë më të madhe të pronave të shtetit e kanë uzurpuar dhe përvetësuar të fortit e politikës, ish- komandantët dhe grupet e lidhura përreth tyre, është shumë alarmante dhe tepër serioze, sidomos kur kihet parasysh fakti se për më se dy dekada me radhë, prokuroria dhe gjyqësia e kapur dhe e korruptuar, nuk ka ndërmarrë asgjë kundër veprimeve të kundërligjshme të komandantëve uzurpatore!..

- Ndaj është koha e fundit që urgjentisht edhe në këtë vend të kapur të përdoret Ligji dhe të përfundimisht të bëhet Konfiskimi i pasurisë së grabitur në mënyrë të kundërligjshme, për kthimin e saj, shtetit të uzurpuar të Kosovës nga grupet kriminale të mafio-politikës së kryesuar nga komandantët. Madje për heshtjen dhe mosveprimin e ligjit dhe të drejtësisë kundër tyre, duhet të paditen edhe vet ish-kryeprokuroret e shtetit dhe prokurore e gjyqtare përgjegjës, të cilët përgjatë dy dekadave të kaluara, pa fije turpi, kanë mbajtur pozitat dhe marrë rrogat e majme nga taksapaguesit e Kosovës, por nuk kanë ndërmarrë asnjëherë asgjë kundër grabitjes dhe uzurpimit të pronave, duke lejuar me vetëdije, tjetërsimet dhe “privatizimet” e dhunshme e kundërligjore të kapësve të ligjit dhe të shtetit të brishtë të Kosovës.

Kështu që vetë ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka theksuar se shpronësimi është kthyer në problem të madh me të cilin, përfundimisht kërkohet të përballen institucionet e shtetit në Kosovë. Njëkohësisht duhet rregulluar sa më pare, me ligj edhe problemin e mungesës së një mekanizmi që do të bëjë vlerësimin e të gjitha pasurive të uzurpuara dhe atë të shpronësimit të pronave të grabitura nga ish- të fortit e politikës së inkriminuar në vend.

Dhe meqenëse pronat janë marrë dhe tjetërsuar kundërligjshëm “nga të fortët” të cilët deri më tani nuk kanë lejuar formimin e asnjë mekanizmi ligjor për vlerësimin e pasurive të grabitura dhe kthimin e tyre, është koha e fundit, që kjo të rregullohet sa më parë dhe të fillojë urgjentisht veprimi i organeve përkatëse për rievendosjen e rendit e të ligjit dhe kthimin e pronave të grabitura kundërligjshëm, shtetit të Kosovës.

Ndaj pikërisht për këtë arsye, është i domosdoshëm rishikimi i Ligjit për Planifikim Hapësinor, i cili po vlerësohet të jetë ambicioz në raport me përmbushjen e kërkesave ligjore nga ana e komunave dhe kapaciteteve të tyre sepse reforma e bërë në të kaluarën lë shumë për të dyshuar. Kjo për vet faktin se një kuazi reformë e tillë me të meta të para programuara qëllimshëm, ka mundur të bëhet vetëm nga grupe të dyshimta kriminale të interesit të lidhura me mafio politikën.

Madje ata që e kanë bërë reformën tek ne, kanë qenë të përfshirë persona të inkriminuar nga institucionet e kapura të shtetit, për aq më tepër edhe departamenti dhe vet instituti i shtetit, kanë qenë vetëm vëzhgues në këtë reformë. Kjo lë të nënkuptohet dhe është tejet e dyshimtë, akt që ka sjellë tek një vendim, pa asnjë hulumtim kredibil. Në fakt ne kemi gabuar rëndë atëherë, por sot nuk duhet të lejojmë, ta bëjmë përsëri atë gabim, ndaj dhe duhet ta bëjmë një hulumtim më serioz dhe tash problem kryesor e kemi shpronësimin.

Kështu që, ne sot nuk kemi prona komunale, ngase ato i kanë marrë të fortit, komandantët dhe problemi është qysh me e zgjidh këtë” problem, ndaj dhe duhet të fillojë menjëherë hetimi i prejardhjes së pasurive milionëshe nga politikanët e këtyre dy dekadave dhe biznesmenëve të lidhur me oligarkët e inkriminuar, të cilët kanë uzurpuar pronat publike dhe kanë tjetërsuar ato kundërligjshëm, ashtu siç e thekson dhe e zbulon në këtë rast edhe vetë ministri Liburn Aliu.

Prandaj ky është edhe një fakt tjetër në dorë të ndërkombëtarëve të cilët me të drejtë po kërkojnë fokusim më të përqendruar dhe serioz kundër krimit të organizuar, me fuqizimin e sundimit të ligjit, sikur kërkesa e fundit që ju bë në formë ultimative Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, nga Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë EULEX, z.Lars-Gunnar Vigemark- Vigemark në një takim të zhvilluar gjatë ditës e theksoi nevojën për kapacitete shtesë në punën hetimore për rastet e korrupsionit, terrorizmit si dhe për bashkëpunimin ndër-institucional ndërmjet Prokurorisë dhe Policisë dhe mekanizmave tjere ligjor , për ta avancuar punën e prokurorisë se kapur në hetimin serioz dhe zbulimin e krimit i cili ka metastazuar papengueshëm për këto dy dekada ne Republiken e kapur te Kosoves!.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".