Agjentura e SHIK-ut dhe opozita e inkriminuar në koalicion kundër qeverisë Kurti me skenarin për t’a minuar nga brenda dhe rrëzuar!

Agjentura e SHIK-ut dhe opozita e inkriminuar në koalicion kundër qeverisë Kurti me skenarin për  t’a minuar nga brenda dhe rrëzuar!

Gani Qarri

  • 18 December 2021 - 09:04

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Strukturat e nëntokës kriminale të partive të kriminalizuara opozitare në koordinim me organizatën e SHIK-ut, ilegal e para-institucional, nuk po lënë gurë pa lëvizur, duke mos kursyer as gënjeshtrat, shpifjet më makabre dhe metodat më abstrakte, për ta prishur me çdo kusht rendin e qetësine dhe stabilitetin në vend, vetëm për ta pamundësuar funksionimin normal të shtetit dhe të Qeverisë Kurti-2!

-Në tremujorin e këtij fund viti, vërehen publikisht përpjekjet e pareshtura dhe më serioze, të një mobilizimi tepër të shtuar misterioz dhe shumë më të madh e agresiv të tyre, për dezinformim në masë dhe spektër sa më të gjerë të opinionit, me akuza të pa bazuara në fakte, ndaj Qeverisë Kurti, duke ia ngarkuar atij edhe gabimet e qeverisjeve të kaluara, dhe dështimet për dy dekada me radhë, të ish udhëheqësve të kriminalizuar të partive të inkriminuara, nga vetë partnerët e tashëm të dështuar opozitar.

Për aq më tepër, forcat destruktive opozitare bashkë me SHIK-un ilegal, të cilat gjatë gjithë sundimit arbitrar të vendit, ishin vendosë mbi ligjin dhe shtetin dhe kishin kapur çdo pore të institucioneve më vitale në vend, tani nuk po lënë inskenim pa provuar dhe shpifje pa prodhuar, për ta dezorientuar opinionin dhe penguar qeverisjen stabile të Qeverisë Kurti.

Parti dhe individ të kriminalizuar që edhe qëndrimin në pushtet, për mbi 13 vite, e kanë siguruar duke përvetësuar kundërligjshëm çdo pasuri e shitur tokat tona edhe vendeve fqinjë, si dhe aranzhuar pazaret më të pista me Serbinë dhe Aleksandër Vuçiqin, për ndarjen e ri copëtimin e vendit dhe shuarjen e shtetit të Kosovës

Kurse tani ia janë sulur,çuditërisht si hienat edhe një Qeverie e cila për herë të parë që nga paslufta, është zgjedhur dhe legjitimuar në formë referendumiane nga populli i Kosovës, duke marrë mbi 50% të votave të elektoratit dhe siguruar mbështetjen maksimale të qytetarëve të vendit, e cila ende nuk ka mbush përvjetorin e parë të ardhjes në pushtet dhe megjithatë po jep çdo gjë nga vetja, për ta absolvuar me sukses testin, qysh në vitin e parë të qeverisjes, përkundër të gjitha të këqijave që i ka trashëguar, nga qeveritë e partive të kriminalizuara.

Prandaj, pas rrëzimit të Qeverisë Kurti-1, dhe sjelljes së një qeverie të kundërligjshme në pushtet me obstruksionet dhe manipulimet e treshes destruktive, “dylberit” Grenell, kuislingut Hashim Thaçi dhe renegatit të pështirë jugokomunist Isa Mustafa, të gjitha planet dhe projektet e reja destruktive është duke i kurdisur, serish SHIK-u ilegal, në përpjekje për ta çmontuar edhe Qeverinë Kurti-2,nga pushteti.

Po kjo organizatë e ngritur në mënyrë konspirative dhe ilegale, si organizatë jo legjitime dhe para institucionale, po shkon deri atje sa ta përçajë edhe nga brenda Qeverinë Kurti -2, prandaj për askënd më, nuk është kurrfarë rastësie që Qeveria aktuale, akuzohet nga SHIK-u dhe partitë e kriminalizuara edhe për fusnotën e trashëguar prej kuislingut Hashim Thaçi & Co.

Kurse në anën tjetër opozita destruktive në bashkëveprim me SHIK-un ilegal, nuk po reshtin duke nxitur edhe sindikatat e ngritura prej tyre, për të kërcënuar Qeverinë dhe qytetarët e Kosovës edhe me greva dhe protesta të vazhdueshme nga krye sindikalistët e orkestruar prej rrjeteve mafioze të nëntokës kriminale, siç nuk është e rastësishme as dukuria e ngritjes masive të çmimeve në treg me një hov kaq marramendës dhe fare të pa kontrolluar.

Dhe sikur mos të mjaftonin as të gjitha këto, në momentet që po kalojmë, nuk është kurrfarë rastësi as çrregullimi me energji elektrike dhe paralajmërimet e përsëritura në formë të kërcënimit të hapur, për rritjen e çmimit të rrymës, shpifjet e pareshtura deri në sulm, kinse për mosmiratimin e gazit "amerikan".

Të gjitha këto sabotime dhe presione të hatashme, vijnë në sinkronizim të plotë me opozitën e kriminalizuar, të orkestruara në mënyrë konspirative dhe në formë të pakos-agjenturore nga SHIK-u ilegal, i instaluar me imponim dhe gjysmë ilegalisht për dy dekada nga ish udhëheqësit e kriminalizuar shtetëror e partiak edhe në institucionet që tani po kërcënojnë publikisht me destabilizimin e situatës, në vend se të orientojnë të gjitha energjitë për mbrojtjen shtetit nga obstruksionet e vazhdueshme të Serbisë, akuzojnë padrejtësisht një njeri të vetëm, pra Albin Kurtin dhe Qeverinë e tij, vetëm pse ai nuk po i pranon pazaret e kuislingut Thaçi & Co për ndarjen e vendit, faljen e Veriut, Serbisë okupatore dhe shuarjen e shtetit të Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".