Prokurorët e papërgjegjshëm nuk po e parandalojnë, po e stimulojnë me vetëdije të plotë dhunën në familje

Prokurorët e papërgjegjshëm nuk po e parandalojnë, po e stimulojnë me vetëdije të plotë dhunën në familje

Hajrullah Tërnava

  • 26 January 2022 - 07:46

Shkruan: ANALISTI-Hajrullah Tërnava

Marr në tërësi, në institucionet e drejtësisë po shihet qartë se diçka po çalon, e sidomos në prokurori. Tani është duke u dëshmuar nga koha që si pasojë e kësaj sjellje të pa përgjegjshme prokurorët po e ndiejnë veten si më “të fortit” me që deri më tani askush nga prokurorët nuk ka dhënë përgjegjësi për neglizhencat e tyre në zbatimin e ligjit dhe të ndjekjes e parandalimit të krimit.

-Edhe pse para disa muajve patëm dilema se kujt i përgjigjet ky organ i prokurorisë, KPK-s e KGJK-së dhe indirekt Ministrisë së drejtësisë, sipas hapësirës ligjore, ata vetë u deklaruan që ne nuk i japim llogari Ministrisë së Drejtësisë, prandaj këtu po vërehet ai dyshimi i krijuar se diçka në këtë institucion nuk po funksionon, sepse edhe në këto raste të përdorimit të dhunës në familje, kryesisht dhunës së bashkëshortëve ndaj bashkëshorteve dhe fëmijëve të tyre, rastet janë duke u prolonguar për të reaguar në një e kohë tjetër dhe nuk po kemi veprime të shpejta e urgjente, ndaluese hetuese dhe gjykuese me prioritet.

Tani kjo lloj zvarritje po na jep me dyshua për këtë se po bëhet me qëllim. Ndryshe çfarë kuptimi ka kur ndodhë që vepër kryesit me u lëshua në shtëpi pa asnjë masë parandaluese ndëshkuese! Kjo është për tu habitur. Mundë të ndodhë një rast që nuk është përdorur dhuna fizike por vetëm të ketë pasur konflikt verbal, por me u përdorë dhuna dhe me u prolongua gjykimi kjo është e pakuptimtë sepse ato kohëra kanë kaluar kur burrat “janë kullë në shtëpitë e tyre”, prandaj edhe prokurorët duhen t’iu shmangen atyre adeteve të vjetra, dhe të ecin në hap me kohën dhe lëndët e kësaj natyre mos të vjetërsohen, e gjithsesi duke i dhënë mundësi ruajtjes së marrëdhënieve familjare te ato raste ku s’ka pasur përplasje të rënda me pasoja fizike e psikike. Mirëpo aty ku shihet qartë se ka tejkalime dhe shkelje flagrante të të drejtave familjare, përdorimi i dhunës së ashpër në familje, duhet të ndërmerren masa të shpejta ligjore e jo të vjen deri te vrasjet si pasojë e atij lëshimi që i bënë drejtësia, sikur që kemi pasur raste të tilla në të kaluarën.

Prandaj në krejt këtë situatë është duke u dyshuar se organi i akuzës-prokuroria, qëllimisht dhe me vetëdije të plotë, po luan me fatet dhe jetët e njerëzve të rrezikuar e të pa fajshëm, në pozitën e viktimave potenciale të dhunës dhe të krimit, pasi që pavarësisht rritjes së fenomenit të dhunës në familje, që në vitin e kaluar dhe këtë fillim viti ka kulmuar edhe me jetë të humbura të viktimave, aktorët e dhunës ekstreme nuk po izolohen për tu nxjerr para gjykatës, por lirohen për ndjekje në procedurë të rregullt. Gjatë gjithë javës që mbeti pas në raportimet zyrtare nga policia dhe prokuroria për denoncimet ditore të dhunës në familja, fraza e përmbylljes së raportit zyrtar ka qenë: Me urdhër të prokurorit, i dyshuari lirohet…tre burra që rrahën gratë lirohen në procedurë të rregullt! Sjelljet e tilla sikur në këto raste tregojnë një sjellje totale të pa përgjegjshme të prokurorëve të cilët po i zvarritin dhe neglizhojnë rastet në seriozitetin e rrezikut që paraqesin ato, pavarësisht manifestimeve me protesta nga qytetarët që i kanë përcjell rastet e fundit me fatalitet të viktimave të dhunës. Skandalet e kësaj natyre po raportohen nga vetë të dhënat zyrtare.

Prokuroria e Prishtinës dhe ajo e Mitrovicës i kanë liruar javën që shkoi në procedurë të rregullt tre burra që i kanë rrahur bashkëshortet e tyre. Njëri rast raportohet se ka ndodhur më 13 janar të këtij viti në Prishtinë. Gruaja ka raportuar në polici se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti, ku pas sulmit, viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërkaq me vendim të prokurorit, burri i saj është liruar në procedurë të rregullt. Po ashtu, në Prishtinë, viktima tjetër femër kosovare ka raportuar se ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar ditën e enjte, pas të cilit rast viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt. Një ditë tjetër të po kësaj jave, të mërkurën raportohet se Policia ka arrestuar të dyshuarin, i cili pas një mosmarrëveshjeje verbale, e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, por në konsultim me prokurorin, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. Ngjarja është raportuar në polici më 19.01.2022.

Se dhunuesit që përkëdhelen nga institucionet e pa drejtë të drejtësisë nuk ndalen, e dëshmon raporti tjetër sipas të cilit një grua tjetër që është rrahur nga bashkëshorti, është detyruar të largohet nga ai për të shkuar tek familja e saj, bashkë me fëmijët. Ky rast dhunë është raportuar nga Policia e komunës së Vushtrrisë për të cilin është thënë se pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kujdestar, edhe në këtë rast i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, edhe pse fëmijët dhe bashkëshortja kanë marr madje edhe trajtim mjekësor për shkak të plagëve nga pasojat e dhunës. Edhe këto raste flasin mjaft për praktikat e trajtimit tepër të butë, kalim thuaja të pa ndëshkuar të dhunës nga ana e institucioneve të drejtësisë, posaçërisht nga dembelia e trajtimit më serioz të rasteve nga prokurorët përgjegjës, në bazë të këtyre shpjegimeve, gjithsesi se duhet vazhduar me ashpërsimin e masave ligjore të përgjegjësisë për prokurorët dhe gjyqtarët, që janë bërë hallkë e dobët madje është stimulimi i rritjes së akteve të dhunës e të krimit, pavarësisht punës që e kryen policia në këto raste dhe e paraqet, dorëzon pranë organit të akuzës, prokurorit të shtetit.

Sikur të ishin personat zyrtar të institucioneve të drejtësisë-prokuroria në nivel të kryerjes së detyrave të tyre, e sidomos kur ato vendime të jenë në përputhshmëri me ligjet dhe situatat, ai dënim që do të duhej të shqiptohej në rastet e dhunës së meshkujve ndaj femrave, nuk do të duhej të përfundonin vetëm me një natë në burg, por me muaj e vite sipas ligjit. Vetëm duke shqiptuar dënime meritore sipas ligjit, autorët e dhunës do të vetëdijesohen dhe do ti shohin gabimet e tyre duke mos vepruar herëve tjera me atë agresivitet ndaj familjes së vetë. Secili rast i përdorimit të dhunës në familje duhet ndëshkuar me burg, sepse vetëm burgu në këtë rast do të jetë mësim praktik që mos të përsëriten ato veprime të dhunës në familje. Rezultati do të ishte shumë pozitiv nëse me këto veprime prokurorët do të ju shërbenin qytetarëve, por do të ishte edhe një preventivë që mos të përdoret dhunë në familje sepse aj veprim përveç ndëshkimit me ligj sjellë shkatërrimin e familjes.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".