Me zgjedhjen e kryeprokurorit të ri të shtetit duhet filluar ç’kapjen dhe pastrimin e thellë të drejtësisë nga krimi i organizuar

Me zgjedhjen e kryeprokurorit të ri të shtetit duhet filluar ç’kapjen dhe pastrimin e thellë të drejtësisë nga krimi i organizuar

Gani Qarri

  • 27 January 2022 - 07:39

Shkruan:  ANALISTI - Gani Qarri

Përderisa mandati i ish Kryeprokurorit të Klanit-Pronto, Aleksandër Lumezit, është në përfundim e sipër, ka ardhur koha që në vendin e tij, të vij një Kryeprokuror vërtetë me kredibilitet, integritet moral, e profesional, dhe me guxim veprimi, kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe jo të bëhet palë dhe bashkëjetoj gjatë gjithë mandatit 7 vjeçar me to.

Është momenti vendimtar, që me ikjen e tij nga ky post i pamerituar, të fillojë spastrimi i gjithë Prokurorisë së Shtetit, që nga KOKA, sidomos tani kur, serish po bëhen përpjekje për zgjedhjen e prokurorit të ri të shtetit, përsëri nga përbërja e vjetër ,ajo aktuale e KPK-së. Dhe pas kaosit 14 vjeçar që ka shkaktuar amulli totale në gjithë organin e akuzës, veçanërisht pas katapultimit të Lumezit në këtë post, është çasti vendimtar i sprovimit të madh për të filluar reformimin dhe ndryshimin thelbësor të drejtësisë së kalbur, si dhe hapur rrugën VETTING-ut, në procesin e monitorimit të afërt të ri kompozimit të kupolës së re drejtuese të Prokurorisë së shtetit.

Kjo duhet të bëhet, me prani të afërt gjatë gjithë procesit zgjedhor të kryeprokurorit nga Shoqëria civile, ambasadat e huaja dhe instancat më të larta të shtetit, si; Qeveria përmes Ministrisë së Drejtësisë, Kuvendi përmes komisionit të Ligjeve, e në finale edhe vet Presidenca me vendimin e Presidentes për ta dekretuar apo jo, kandidatin për kryeprokuror, varësisht nga personaliteti, performanca në profesion dhe cilësitë e punës, që do të nxirren në tavolinën e saj si i përzgjedhur, për këtë post, nga ana e KPK-së. Në mënyrë që, përfundimisht, në vendin e tij të vjen një Kryeprokuror me kredibilitet, integritet moral, e profesional, dhe me guxim veprimi antikrim, për ta përfunduar kaosin 14 vjeçar ligjor, që erdhi duke u trashur, sidomos pas katapultimit politik të Lumezit nga Klani Pronto në këtë post, duke shkaktuar amulli totale në gjithë organin e akuzës.

Për aq më keq, me Lumezin në krye, edhe vet prokuroria krijoi bashkëjetesë të përhershme dhe lidhje të pa shkëputura me politikën dhe krimin e organizuar, duke mos vepruar asnjëherë kundër peshqve të mëdhenj dhe kthyer në mbrojtës të tyre, për çka Lumezi menjëherë pas dorëzimit të detyrës, duhet të vendoset në bankën e të akuzuarve për mos veprim kundër krimit, shkeljen e ligjit dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare. Dhe sikur mos të mjaftonte kaosi i deritanishëm në prokurorinë e shtetit, shqetësimin për rrezikun e restaurimit të shtresës së njerëzve të lidhur me krimin në KPK e ka shtuar edhe më tepër, paraqitja e ish-prokurorit Elez Blakaj, nga Amerika ku gjendet i strehuar, i cili me anë të një statusi të gjatë në Facebook ka theksuar në mënyrë precize dhe shumë domethënëse, se Këshilli aktual Prokurorial i Kosovës është institucion që nuk ka aspak kredibilitet duke paralajmëruar serish për parregullsi, sidomos në përzgjedhjen e emrit për Kryeprokurorin e ri të Shtetit.

Prokurori Blakaj thotë se KPK vazhdon të përdoret nga disa persona, të cilët edhe pas ndryshimeve politike dhe rënies së partive të inkriminuara nga pushteti, luftojnë për “ruajtje me çdo kusht të monopolit dhe pushtetit për njërit tjetrin”, të njëjtit persona, që tash e sa kohë, i trajtojnë këto institucione si prona të veta private, akte që Qeveria dhe Ministria aktuale e Drejtësisë, nuk duhet ti tolerojë më, dhe as që guxon ti lejojë të përsëriten serish edhe në zgjedhjen e kryeprokurorit të ri. Z. Blakaj sqaron se të njëjtit persona, vitet e fundit kanë bredhur në vazhdimësi nga një zyre tek tjera, duke e ndihmuar dhe favorizuar njëri tjetrin në pozita të ndryshme nga Këshilli Prokurorial në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, si dhe në pozita tjera në cilësi të kryeprokuroreve dhe anasjelltas, me qëllim të ruajtjes se monopolit dhe pushtetit për njëri tjetrin, duke i trajtuar këto institucione si të ishin prona të trashëguara personale! Prandaj nëse nuk mbikëqyret procesi me kujdes nga Qeveria dhe Ministria e Drejtësisë, z.Blakaj paralajmëron se të njëjtën fotografi do ta shohim edhe me rastin e përzgjedhjes se Kryeprokurorit të ri të Shtetit, dhe këtë më së miri e dëshmon vet qasja e Këshillit Prokurorial, me sjelljet e veprimet plot skandale, dhe vendimet e kundërligjshme, konflikte të interesit, transferet e avancimet me standarde të dyfishta, që shpërfaqin përmasat e vërteta të mungesës totale të integritetit të këtij institucioni tërësisht të degjeneruar.

Madje, për disa nga problemet më drastike brenda këtij institucioni, që janë përsëritur ndër vite, kanë reaguar në raportet dhe opinionet e tyre edhe organizatat ndërkombëtare, si dhe partner e miq të shtetit të Kosovës, të cilët megjithëse kanë ndihmuar në vazhdimësi Këshillin Prokurorial, kapja nga politika, ka bërë që pothuajse asgjë të mos ndryshoj brenda këtij këshilli të kapur nga politika e inkriminuar. Kështu që duke pasur të gjitha këto parasysh, z.Blakaj ka kërkuar një monitorim shumë më të përqendruar nga Ministria e Drejtësisë dhe krejt mekanizmat e pa varur e profesional, si dhe të gjitha institucionet përgjegjëse ligjore e kushtetuese, sepse pozita e Kryeprokurorit të Shtetit është pozitë me interes të lartë publik.

Andaj edhe detyrat dhe përgjegjësit që ka Kryeprokurori janë drejtpërdrejtë të ndërlidhura me zbatimin e ligjit në vend dhe në shërbim të publikut, të cilat nuk guxojnë të mbeten në duar të grupit të personave të njëjtë, që serish po përgatiten, ta zyrtarizojnë vet emrin e personit i cili këmbëngulin të jetë pjesë e po këtij grupi të inkriminuar tash e mbi një dekadë, nga krimo-politika, gjë që nuk duhet lejuar të ndodhë, me asnjë çmim.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".