“Abuzuesit me fondin e Qeverisë në mërgim 3% dhe "Vendlindja Thërret" ende mbeten të pa ndëshkuar!”

“Abuzuesit me fondin e Qeverisë në mërgim 3% dhe
“Abuzuesit me fondin e Qeverisë në mërgim 3% dhe

Muhamet Kelmendi

  • 01 February 2022 - 07:53

Shkruan: ANALISTI - Muhamet Kelmendi

Populli duhet të dijë se sa mjete janë tubuar dhe ku shkuan ato mjete? Nuk mjafton vetëm të thuhet se u blenë armë apo medikamente apo se iu dhanë këtij e atij të deleguari. Këta përgjegjës jetojnë dhe ata duhet të japin raportim. I tregova disa rrethana dhe fakte që tregojnë se në vitet e 90-ta nga këto dy fonde janë tubuar mjete të shumta financiare. Mendohet se kalojnë shifrën e një miliardi DM. Kjo nuk duhet të kaloj thjeshtë. Ato janë mjete të mërgatës për Kosovën dhe çdo kush që i ka keqpërdorur duhet të ndëshkohet.

Kompetentët e këtyre dy fondeve ende po mbeten pa përgjegjësi adekuate të, përgjegjësi para ligjit të kompetentëve të këtyre fondeve. Dënimi para disa muajsh i z . Osmani dhe z. Gashi me dënime qesharake, për Fondin 3%, nuk i largon nga përgjegjësia kryesuesit e këtij fondi, përkatësisht dy persona, të cilët e kanë udhëhequr fondin e tillë. Këtu është çështja e përgjegjësisë së Bujar Bukoshit, si Kryeministër në Mërgim dhe të Isa Mustafës, si Ministër i Financave në Qeverinë Bukoshi. Ndërsa, përgjegjësi i Fondit "Vendlindja Thërret", Jashar Saliu nuk është në jetë. Mirëpo janë udhëheqësit e këtij fondi nëpër shtete dhe dy përgjegjësit në Tiranë, Xhavit Haliti dhe Azem Syla. Por të kthehem te analiza e "3%".

Në analizën e fundit të gjykatës mbi këtë fond u arrit që të kemi një tërheqja të përgjegjësisë mbi përgjegjësit kryesor të personave përgjegjës. Madje ata as që po hetohen. Dua të them se Fondi i "3%" është një Fond i formuar nga Qeveria në Mërgim dhe ka funksionuar shumë vite, deri në vitin 2000. Unë personalisht nuk kam qenë përfshirë në këtë fond. Mirëpo, nga infomacionet, dua t'i jepi disa të dhëna mbi këtë. Në vitin 1992 arrin në LPK kërkesa për të shkuar në takime të kësaj qeverie. Në takim ka marr pjesë Gafur Elshani. Takimi është udhëhequr nga Ministri i Mbrojtjes së Qeverisë Bukoshit, z.Tahiri. Vendoset që të tubohen nga 1 mijë DM ose Franka ose Dollar për një armë në Kosovë. Mjetet janë derdhur në Fondin e 3%". Mjetet kurrë nuk kanë shkuar për luftën në Kosovë. Ndaj edhe ne të LPK-së u larguam nga kjo marrëveshje. Natyrisht se ishte koha kur LPK kishte vendosur për të shkuar në kryengritje të armatosur dhe me që mjetet nuk shkonin për atë çështje u tërhoqëm. Dhe kështu në vitin 1994, formohet UÇK-ja dhe pak më vonë del edhe Fondi "Vendlindja Thërret".

Ku mbeti Fondi "3%"? Fondi tillë u ndërtua në çdo shtet. Çdo mërgimtar ishte i obliguar të paguante në këtë fond 3% nga të ardhurat e veta bruto. Kjo vazhdoj deri në vitin 2000 kur Bukoshi e Mustafa deklaruan se i kanë vetëm 120 milionë DM. Pas një kohe të shkurtër, duke ndërtuar disa shtëpi, ata dolën me deklaratën tjetër se mjetet e Fondit janë harxhuar dhe mbi atë dhanë një raport. Po theksoj disa të dhëna: 1. Në çdo shtet të Evropës dhe përtej oqeanit kanë qenë njerëzit kompetent për "3%". Ata janë ende në jetë dhe nga Isa Mustafa e Bujar Bukoshi njihen. Në fund të fundit me një thirrje të organeve të Kosovës ata paraqiten para organeve kompetente. 2. Ekzistojnë me siguri në Tiranë të dhëna mbi "Dardania Bank" që u formua nga Isa Mustafa e Bujar Bukoshi. Ku mbeti banka? Sa u ble? Ku shkuan mjetet? Këto të dhëna duhet të kërkohen nga organet në Tiranë dhe kompetentet e bankës dhe të Ministrit të Financave e të z . Bujar Bukoshit, si Kryeministër .3. Në çdo shtet të Evropës dhe përtej oqeanit janë njerëzit që kanë tubuar mjete dhe ata sigurisht i kanë dëftesat e mjeteve të tubuara. Kjo, sepse përveç bartjes së mjeteve në llogaritë e fondit, kanë mbledhur mjete me qindra e mijëra vetë te mërgimtarët. Dhe, për mjetet e tubuara, ata kanë lëshuar dëftesat adekuate. Çdo mërgimtar ka dëftesa! Kanë edhe mbledhësit e mjeteve dëftesa! 4. Qeveria e Bukoshit i ka ministrat që kanë punuar, këshilltarët dhe personelin tjetër që e kanë pasur të punësuar. Ata duhet të ftohen në llogari. Çdo ministri iu kanë ndarë mjetet buxhetore për çdo vit dhe këta njerëz njihen. Ata duhet të japi llogari për mjetet. 5. 120 milionët e vitit 2000 të deklaruara nga z. Mustafa ku mbetën? A shkuan të gjitha për 100 a më pak a më shumë shtëpi të ndërtuara!. Ku u ndërtuan ato? Për këto lypsen provat te Isa Mustafa e Bujar Bukoshi. 6. Thuhet se në vitet 1998/99 iu kanë dhënë Xhavit Haliti miliona DM? Kush i dha? Ku i dha? Ku shkuan? Etj. Xhavit Haliti jeton. Jeton edh e Anton Çuni që ka deklaruar në Kuvend për mjetet që iu kanë dhënë Xhavitit. Jeton dhe i dihet adresa. 6. Dëshmitarë ka mjaft.

Ata duhet të kërkohen dhe çdo njeri ka fakte e prova mbi mjetet e dhëna dhe të mbledhura. Nëpër terren kanë qenë me qindra veta. Ata janë gjallë dhe nëse kërkohen çdo njeri paraqitet vetë tek organet e Kosovës. Ata duhet kërkuar! Po kështu duhet kërkuar të dhëna edhe për Fondin " Vendlindja Thërret". Përveç heroit të kombit, Jashar Saliut, që nuk është në jetë, përgjegjësit tjerë jetojnë. Këtu nuk duhet humbur kohë. Populli duhet të dijë se sa mjete janë tubuar dhe ku shkuan ato mjete? Nuk mjafton vetëm të thuhet se u blenë armë apo medikamente apo se iu dhanë këtij e atij të deleguari. Këta përgjegjës jetojnë dhe ata duhet të japin raportim. I tregova disa rrethana dhe fakte që tregojnë se në vitet e 90-ta nga këto dy fonde janë tubuar mjete të shumta financiare. Mendohet se kalojnë shifrën e një miliardi DM. Kjo nuk duhet të kaloj thjeshtë. Ato janë mjete të mërgatës për Kosovën dhe çdo kush që i ka keqpërdorur duhet të ndëshkohet.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".