‘Është koha për të ndaluar zgjedhjen klandestine të Prokurorit të ri të shtetit, të deleguar nga SHIK-u dhe krimi i organizuar!’

‘Është koha për të ndaluar zgjedhjen klandestine të Prokurorit të ri të shtetit, të deleguar nga SHIK-u dhe krimi i organizuar!’

Gani Qarri

  • 09 February 2022 - 07:58

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Momenti aktual i zgjedhjes së kryeprokurorit të ri të shtetit, sa është kritik për ndarjen nga e kaluara kriminale, aq është edhe moment “historik” , për shkëputjen përfundimtare të KPK-së dhe gjithë përbërjes së prokurorëve, të të gjitha niveleve, nga personeli i dirigjuar për rreth dy dekada nga nëntoka e krimit të organizuar, qeveria ilegale nën hije e SHIK-ut dje, dhe satelitëve të tyre sot, në të gjitha partitë e inkriminuara politike, në vend.

Këshilli prokurorial i Kosovës, i gjetur nën presionin mediatik dhe kritikat e ashpra të opinionit publik, këto ditë i ka publikuar emrat e gjashtë kandidatëve të cilët në afatin 15 ditor pas shpalljes së konkursit, kanë aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Në Konkursin e shpallur më 17 janar 2022, të drejtën për aplikim e kanë shfrytëzuar 6 prokurorë, të cilët kanë dorëzuar dokumentet brenda afatit të përcaktuar me konkurs, emrat e të cilëve janë: Arben Ismajli, Prokuror në Prokurorinë e Apelit; 2.Armend Hamiti, Prokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës; 3.Blerim Isufaj, Kryeprokuror në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës; 4.Kujtim Munishi, Kryeprokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës; 5.Lulzim Sulejmani, Prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe 6. Shqipdon Fazliu, Prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Kurse dosja e konkurentëve do të kompletohet, vetëm pasi të jenë pranuar edhe aplikacionet e tjera eventuale, të cilat mund të arrijnë përmes Postës. Por për habi KPK , si gjithmonë, përsëri nuk ka hezituar ta bëjë shkeljen e marrëveshjeve me partnerët ndërkombëtar, duke shpallur serish konkursin, pa u konsultuar fare me përfaqësuesit përkatës, të vendeve mike, të cilat mbështesin sistemin e drejtësisë në Kosovë, akt ky, që ka shty Ambasadën e Britanisë të reagojë, ndërsa vetëm pas kësaj është deklaruar KPK, famoze.

Dhe për ta mbuluar shpalljen klandestine të konkursit për kryeprokuror, me arsyetimet që di ti gjejë vetëm KPK, ajo deklaroi se Këshilli Prokurorial i Kosovës, kinse për procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, u paska bërë ftesë partnerëve ndërkombëtarë dhe organizatave të shoqërisë civile, që ti përcjellin aktivitetet e sistemit prokurorial, ndërsa për të martën, më 8 shkurt 2022, i paska ftuar për të monitoruar edhe hapjen e aplikacioneve të prokurorëve që kanë konkurruar për këtë pozitë, gjë që dëshmon edhe njëherë më tepër, se dëshira dhe uria për veprime klandestine në KPK, para se të bëhet një Vetting i thellë edhe brenda për brenda saj, nuk e ka ndërmendtë të ndalet as të shuhet kurrë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".