Situata në drejtësi, tepër e kriminalizuar në shtetin e Kosovës!

Situata në drejtësi, tepër e kriminalizuar në shtetin e Kosovës!

Hajrullah Tërnava

  • 10 February 2022 - 07:43

Shkruan:  ANALISTI - Hajrullah Tërnava

Tani kur po përfundon koha e mandatit te Kryeprokurorit ne ikje, tani edhe ai vet po kërkon të balancohet dhe të ketë “mirëkuptim”, dhe mes rreshtave po pranohet se ka pasur gabime dhe lëshime serioze për këto shtatë vite që po ikin, si fakte është edhe situata tepër e kriminalizuar e në shtetin e Kosovës, gjë që duhet të ndërmerren masa të luftimit të krimit në përgjithësi, e që për këto veprime të luftimit serioz të krimit duhet një kohë e tërë disa vjeçare, për një spastrim serioz të situatës të tanishme nga krimet e tëra që iu kanë shkaktuar këtij vendi.

Secili qytetar tani më është i bindur se jo rastësisht tani jemi shteti më i izoluar në botë, por këtë haraç po e paguajnë vetë shtresa e ulët e rrezikuar, e shkelur dhe injoruar nga pushtetarët, për shkak të mos luftimit të krimit në përgjithësi, prandaj situata e krijuar tani e sa  është tepër e rëndë. Shikuar nga ky këndvështrim, është e ulët dhe e pa pranueshme heshtja 7 vjeçare e Kryeprokurorit të shtetit i cili e ka mbajtur atë pozitë, duke menaxhuar një institucion tërësisht të dështuar në betejën me krimin e organizuar, kurse vetëm tash në fund të mandatit kujtohet tërthorazi për ta pranuar se paska shumë gjëra që duhet të funksionojnë ndryshe, dhe duhet reformuar.

Tash kur i është “djegur” mandati 7 vjeçar, ai duke folur për pavarësinë institucionale, për pavarësinë sistemit të drejtësisë dhe me fokus në sistemin prokurorial ka theksuar se nuk është rastësi ndarja e pushteteve dhe se kjo ndarje duhet të respektohet nga të gjithë, megjithëse në vazhdimësi është sfiduar dhe po mbeten shumë gjëra për tu rishikuar dhe funksionalizuar. Ai tërthorazi ka thënë se nuk pretendon që  në prokurori nuk ka pasur edhe gabime e lëshime  mirëpo me gabimet dhe lëshimet e tyre duhet të merret vetë KPK-ja dhe jo dikush nga jashtë të ju tregon se çfarë  kanë realizuar dhe ku kanë gabuar. Kryeprokurori Lumezi ka thënë se  gabimet që kemi, duhet të adresohen vetëm nga institucionet e pavarura kushtetuese, përkatësisht nga pushteti gjyqësor. Andaj sipas tijë ekzekutivi dhe legjislativi mund të përmirësojnë punën e tyre , vetëm  duke i ndihmuar me përkrahje në buxhet, miratim të ligjeve dhe respektim të pavarësisë që kanë, si dhe me anë të fuqizimit të mekanizmave brenda vetë sistemit për të adresuar problemet dhe lëshimet e hasura deri më tani!  

Po ashtu Kryeprokurori  në ikje e sipër është deklaruar i gatshëm për të rritur bashkëpunimin dhe koordinimin me institucionet e tjera, mirëpo, siç ka thënë ai, vetëm në suaza të mosndërhyrjes në punët e njëri-tjetrit dhe duke respektuar pavarësisë institucionale dhe kushtetuese. Edhe këto të thëna dhe deklarime të Lumezit flasin mjaftueshëm e në mënyrë indirekte për problemet që i ka brenda për brenda KPK-ja dhe ato “gabimet” që ai i pranon, se ilaçi i vetëm i reformimit ringjalljes dhe funksionalizimit të pa varur e profesional, të pa ndikuar nga krimi i organizuar është bërja dhe fillimi sa më i shpejtë i Ligjit Vetting, i cili sipas dinamikës së paraparë pritet të futet në procedurë parlamentare jo më larg se në fund të tremujorit të parë të këtij viti, pas marrjes së këshillave dhe komenteve finale nga ana e Komisionit të Venedikut.

Mobilizimi i tërë i kësaj Prokurorie që do të zgjidhet ditëve në vijim, e që tani u pa puna e Prokurorisë në ikje mbas kësaj kohe shtatë vjeçare, është që përzgjedhja e re duhet të na jep shpresë se avancimi dhe e mbara do të ndodhë, sepse sikur që dihet e që është edhe qëndrim i BE-së, pa një luftim serioz të kokave të mëdha të krimit në Kosovë, nuk mundë të lëvizet për një anëtarësim në institucionet e BE-së apo së paku të fitohet Liberalizimi i vizave, me që tani  një angazhim  serioz i kësaj Qeverie  ka fillua  për luftimin e krimit në përgjithësi, për aq sa ka kompetenca dhe përgjegjësi, prandaj shpresat janë se edhe udhëheqësja e re e këtij institucioni, KPK-së,  do të vetëdijesohet, dhe ti shfrytëzoj kompetencat që ia garantojnë ligjet e Kosovës për luftimin e krimeve në thellësi, dhe sukseset në këtë drejtim do të kontribuojnë qe Kosova të lëvizë drejtë BE-së. 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".