Kosova duhet të merr shembull nga Ukraina, se si ndërtohet uniteti për shtetin

Kosova duhet të merr shembull nga Ukraina, se si ndërtohet uniteti për shtetin
Kosova duhet të merr shembull nga Ukraina, se si ndërtohet uniteti për shtetin

Dr. Hysni Aliu

  • 01 March 2022 - 08:03

Shkruan: ANALISTI-Dr. Hysni Aliu

Kosova dhe shqiptarët, nuk guxojnë që në asnjë mënyrë dhe me asgjë të hakmerret ose ta shfry mllefin e 20 viteve, sepse do ishte antinjerëzorë dhe kundër vlerave për të cilat i gjithë perëndimi po lufton sot dhe do të ishte gjëja që më së shumti e dëshiron Serbia në këtë kohë. Kosova duhet ta merr shembull unitetin në Ukrainë, ku edhe ish presidenti i cili ishte i akuzuar si pro rus e i korruptuar por edhe presidenti i tanishëm u veshën me rroba ushtrie, morën armët dhe po qëndrojnë dinjitetshëm prane popullit të vetë, në kryeqytetin e Ukrainës, në një lufte o vdekje o liri.

Po mendoja se si ta filloj dhe si ta mbaroj këtë shkrim, në një kohë kur secili njeri është i shqetësuar rëndë dhe dëshiron të di se çka do të ndodhë më tutje në luftën në Ukrainë . Një situatë e tillë lufte e bënë edhe më të vështirë qasjen ndaj kësaj teme, sepse çdo gjë që shkruhet e çdo gjë qw lexohet është një mesazh me peshë të madhe te secili individ. Si rrjedhojë, ne që merremi me analiza dhe parashikime, detyrimisht duhet të jemi të kujdesshëm, të mos përhapim këndvështrime apo opinione që shkaktojnë frikë, panik, apo nxisin urrejtje e dezorientim tek popullata civile. Edhe mediet, si kurrë më parë, duhet të ngrihen në nivelin e detyrës, dhe ta lënë mbrapa një të kaluar të errët, ku nuk dihej se a po i orientojnë vlerat dhe dashuria për atdheun apo paraja e pistë. Pra është koha që shteti i Kosovës, kombi shqiptar në përgjithësi, dhe ruajtja e aleancës me demokracitë perëndimore të jetë synimi dhe pika që na bashkon të gjithëve, pa marr parasysh orientimin politik, fetar, apo pozitën udhëheqëse, në pushtet apo opozitë.

Është koha që atdheu të jetë mbi të gjitha, dhe që çdo hap të merret në koordinim 100% me miqtë ndërkombëtar, sepse për fat të mirë perëndimi tani më ju ka kthyer vlerave të veta, dhe po lufton me vendosmërinë më të madhe të mundshme për mbrojtjen e demokracisë në botë, pa e shikuar çmimin që do ta paguaj dhe vuajtjet që do të ketë, sepse e dinë që e kundërta e kësaj do të ishte edhe më shkatërruese. Data e 24.2.2022, do të shënohet në historinë më të re botërore si një datë ku përfundimisht, ka përfunduar një epokë që paraja e pistë e oligarkëve Rus dhe armët bërthamore të shteteve të caktuara e përcaktonin rendin botërorë dhe vlerat me të cilat bota funksiononte.

Sikur çdo të keqe, edhe të keqes Ruso Serbe i vloj uji aq shumë sa që u derdh anash, shpërthej bomba e haramit, dhe si rrjedhojë i çmenduri Putin, vendosi që të pajtohet me atë që e ka ndje për 30 vite, së bashku me Vuçiqin e Dodikun, pra urrejtjen dhe robërimin e popujve dhe shteteve fqinjë. Pra, tek Putini, dominuan emocionet, dhe rrjedhimisht aty nuk mund të ketë vendime të mençura. Vuçiqi, ka llogarit për kohë të gjatë, pikërisht në këto emocione që i përdori Putin në momentin kur filloi sulmin ndaj Ukrainës, përndryshe nuk do të guxonte të thoshte që veriu është i okupuar, dhe që do hyn me ushtri në Kosovë. Pra Vuçiq, ka qenë dhe është po aq i sëmurë shpirtërorë sikur që është Putin, dhe për të do ishte e pranueshme një luftë në Ballkan, ku Rusia do ishte protektori i Serbisë dhe Republikës Serbe, pa marr parasysh çmimin që do të paguanin të pafajshmit në Bosnjë , dhe Kosovë e më gjerë.

Është fati më i madh i mundshëm, që ky plan i Vuçiqit se paku tani për tani dështoj, por perëndimi duhet ta din që e ka kancerin në zemër të Ballkanit dhe Evropës e aj është Vuçiq dhe shteti Serb. Po çka të bëjmë ne si Kosovë? Është fat i mirë që jemi në anën e duhur në jetë, në një fazë të rrezikshme për rendin e përgjithshëm botërorë, dhe që Kosovën e udhëheqin njerëzit me dinjitet, si rrjedhojë ne si popull nuk duhet të kemi frike se diçka do të shkoj keq si pasojë e gabimeve të tyre. Pikë të dobët fatkeqësisht e kemi ministrinë e punëve të jashtme, andaj SHBA dhe Gjermania, duhet të merren me këtë çështje, sepse z. Kurti nuk mundet i vetëm ta bëj ndryshime në këtë ministri. Në këtë ministri, minimumi që duhet të bëhet është emërimi i një zëvendësministri që është i nivelit botërorë sa i përket përvojës dhe aftësive profesionale. Çështja e dytë është uniteti pozitë opozitë. Kosova nuk guxon që në këtë kohë të ketë skena në parlamentin e saj si ajo në mes Ramushit e Albinit para dy ditë, është e turpshme dhe e papërgjegjshme për kohën që po jetojmë.

Çështja e tretë, Kosova duhet të përgatitet shumë mirë për çdo skenar të mundshëm, A,B,C,D. dhe për secilin nga këto skenarë të ketë përgjigjen e gatshme. Kosova, nuk guxon të rrah gjoks, sikur tani ne jemi të FORTË, sepse Rusia është e zënë me luftë, në këtë aspekt, bërja publike e vizitës së zonjës Osmani në Turqi në fabrikën e dronëve turk, është shenjë e dobësisë, naivitetit dhe shkurtpamësisë së presidencës, ose shenjë e asaj që ajo si individ ashtu siç e kemi ne shqiptarët zakon dëshirën me rrah gjoks që ja kush jam unë, kam shkuar për të blerë dron në Turqi. Vjosa, me ka dëshpëruar me këtë veprim!! Duhet të merr mësim nga presidenti Ukrainas, fjalë pak e punë shumë, e dinjitet pafund, dhe shteti e populli para vetvetes, e jo e kundërta.

Çështja tjetër, unë besoj shumë që ministria e mbrojtjes, duhet ti mbledh të gjithë gjeneralët që janë të arsimuar dhe që janë të dinjitetshëm, e që e kanë treguar veten për pastërti në luftë dhe paqe, duke filluar nga gjeneral Naim Maloku, që të hartojnë strategjinë e mbrojtjes së Kosovës, nga ndonjë invazion i mundshëm ruso serb. Ne nuk guxojmë të bëjmë gabimet e viteve 1990-1999 , ku Kosova ishte nda në dy taborre, ajo që lirinë e shihte vetëm nëpërmes rezistencës pasive dhe ana tjetër që lirinë e shihte nëpërmes luftës çlirimtare, sepse ajo na ka kushtuar shumë si popull dhe komb. Ajo politikë ka hëngër fatkeqësisht shumë koka shqiptarësh dhe pasojat po i vuajmë edhe sot.

Çështja tjetër, bashkëpunimi dhe koordinimi i ngushtë me Shqipërinë si më i miri vëllai me vëllamin. Çështja tjetër është që mos të vrapojmë për të marr meritat e për të rrahur gjoks, duke thënë unë e bëra këtë në Bërnjak e këtë në veri, apo diku tjetër sepse ato vetëm qojnë ujë në mullirin e Vuçiqit. Tendenca për marrjen e meritave ka qenë edhe njëra ndër arsyet e ndarjeve të viteve 90-99 që na kushtuan shumë. Kosova, si asnjëherë më parë, duhet të shton kujdesin për pakicën serbe në Kosovë, në çdo komunë në çdo vend, dhe të fillon kontakte të afërta me ta, në veri në jug, sepse ata munden me qenë të frikësuar, tani kur kështjella Serbo Ruse ka filluar të bien, dhe së bashku me ta edhe lista Serbe, që i ka dhunuar çdo dit. Serbët frikësohen në mënyrë të natyrshme sepse e dinë që strukturat e tyre paralele, më shumë të ardhura nga Serbia nuk e kanë lan Kosovën të merr frymë për 20 vite, por ne duhet të ua zgjasim dorën e pajtimit, dhe duhet të ju tregojmë që Kosova është edhe shteti i tyre. Kurrë s’ ka qenë rasti më ideal për të filluar kontaktin njerëzor me ta, dhe këtë duhet ta bëjnë institucionet e shtetit. Kosova dhe shqiptarët, nuk guxojnë që në asnjë mënyrë dhe me asgjë të hakmerret ose ta shfry mllefin e 20 viteve, sepse do ishte antinjerëzorë dhe kundër vlerave për të cilat i gjithë perëndimi po lufton sot dhe do të ishte gjëja që më së shumti e dëshiron Serbia në këtë kohë. Kosova duhet ta merr shembull unitetin në Ukrainë, ku edhe ish presidenti i cili ishte i akuzuar si pro rus e i korruptuar por edhe presidenti i tanishëm u veshën me rroba ushtrie, morën armët dhe po qëndrojnë dinjitetshëm pran popullit të vetë, në kryeqytetin e Ukrainës, në një lufte o vdekje o liri.

Veprimet e ministrave të qeverisë së Ukrainës, të deputetëve të parlamentit Ukrainas, të figurave të rëndësishme publike si vëllezërit Kliçko, duhet të na shërbejnë edhe neve si një shembull më i mirë i mundshëm, se si duhet të jemi një për të gjithë dhe të gjithë për një me këtë betejë që nuk është vetëm betejë për Ukrainën, por është betejë në mes demokracisë dhe diktaturës, në mes robërisë e skllavërisë dhe lirisë e prosperitetit. Pas 24 shkurtit 2022, bota ose do të ju shërbej diktatorëve dhe oligarkëve ose do të udhëhiqet nga demokracia dhe njerëzit e dinjitetshëm. Unë jam i sigurt ne këtë të fundit, por nuk e di çmimin që do ta paguan bota demokratike për këtë betejë që do ta fiton herët a vonë. Kjo që ka filluar, nuk mund të ndalet edhe nëse dikush dëshiron, nuk kthehet ma fëmija n barkun e nënës pasi që ka lind, edhe për këtë jam i sigurt.

Jam i sigurt që drejtësia, demokracia, liria, dhe vlerat perëndimore do të fitojnë, ndërsa sa do të duhet kohë dhe sa do të kërkoj energji e sakrifikim kjo fitore, do të varet nga vet Rusët dhe Serbët, udhëheqësit e të cilëve e filluan këtë luftë. Një shembje e Putinit dhe e Vuçiqit me Dodikun nga brenda do ti shpëtonte këta popuj nga shkuarja mbrapa për 50 vite, edhe pse nuk e meritojnë, sepse vet i votuan dhe i ngritën, dhe e kundërta, mosreagimi i popullit do te jetë vetë shkatërrues për ta në rendë të parë e fatkeqësisht do të kërkon edhe flijim nga ata që po luftojnë në anën e drejtësisë dhe për mbrojtjen e vlerave demokratike dhe rendit botërore.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".