Kosova drejtë dhe shpejtë në rrugëtimin për anëtarësim në NATO!

Kosova drejtë dhe shpejtë në rrugëtimin për anëtarësim në NATO!

Gani Qarri

  • 29 April 2022 - 07:35

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Tani është koha e fundit, që spektri i përçarë politik i Kosovës, përfundimisht të vetëdijesohet dhe të dalë me një qëndrim unik, për mbrojtjen e përbashkët të interesave të shtetit të Kosovës, duke vepruar i bashkuar dhe i përcaktuar me një platformë unike, pa lejuar edhe më tej kompromise si Thaçi & Co, të cilat shkojnë në dëm të shtetit, përkundër presionit të shtuar ndërkombëtar, që të vazhdohet dialogu me Serbinë.

-Kosova përkundër ballafaqimit me presion të vazhdueshëm ndërkombëtar, duke pasur parasysh agresionin kriminal që po ndodhë mbi Ukrainë nga Rusia okupatore e Vladimir Putinit, prioritet mbi të gjitha prioritetet e veta, duhet ta vendosë anëtarësimin e saj në NATO, akt me të cilin, vendit tonë do ti garantohej siguria shtetërore, trasohet rruga për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, hapen dyert e integrimit evropian dhe paraprinte anëtarësimit të Kosovës, si shtet i pavarur me të drejta të plota në OKB.

Në anën tjetër, nëse edhe në këtë gjendje, ndërkombëtarët kërkojnë intensifikimin e dialogut me Serbinë dhe gjetjen e modalitetit për arritjen e marrëveshjes dhe presionit që nën ndikimin e agresionit rus në Ukrainë, tani vjen edhe nga zonja Von Cramon, Kosova dialogut nuk duhet ti thotë një jo të prerë, por Qeveria e vendit dhe i gjithë spektri politik, duhet të përgatiten sa më mirë, për ballafaqimin me sukses të të gjitha situatave dhe menaxhimin me kujdes maksimal të obligimeve që kemi si shtet i pavarur, ndaj faktorit vendimmarrës dhe miqve tanë ndërkombëtar, pa rrezikuar interesat e vendit.

Dialogu me Serbinë si temë, ka qenë pikë diskutimi edhe në takimin e përbashkët që pati kryeministri Kurti dhe kabineti i tij i ngushtë, me ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, takim ku morën pjesë edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ambasadori i Gjermanisë, Jörn Rohde, i ngarkuari me punë në ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, Jacob Vebber, ambasadorja e Francës, Marie-Christine Butel dhe ambasadori i Italisë, Antonello De Riu.

Në njoftimin e kabinetit Kurti thuhet se në takim u diskutua për zhvillimet politike në vend dhe situatën politike në rajon, ndërlidhur me zhvillimet aktuale në Ukrainë, kurse sa i përket Kosovës, temë e këtij takimi ishte dialogu me Serbinë, për të cilin u fol gjatë takimit, si proces që pritet të vijojë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Por Qeveria e Republikës së Kosovës, sa i takon dialogut, është e angazhuar që dialogu të jetë parimor dhe i balancuar për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me njohjen reciproke në qendër”, thuhet edhe në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Tani është koha e fundit, që spektri i përçarë politik i Kosovës, përfundimisht të vetëdijesohet dhe të dalë me një qëndrim unik, për mbrojtjen e përbashkët të interesave të shtetit të Kosovës, duke vepruar i bashkuar dhe i përcaktuar me një platformë unike, pa lejuar edhe më tej kompromise si Thaçi & Co, të cilat shkojnë në dëm të shtetit, përkundër presionit të shtuar ndërkombëtar, që të vazhdohet dialogu me Serbinë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".