Sulmet e policisë së Kosovës nga serbët në veri alarm që kërkon mobilizim

Sulmet e policisë së Kosovës nga serbët në veri alarm që kërkon mobilizim
Sulmet e policisë së Kosovës nga serbët në veri alarm që kërkon mobilizim

Skender Mulliqi

  • 29 April 2022 - 07:47

Shkruan: ANALISTI - Skënder Mulliqi

Kjo çka po ndodh tash, me sulme kundër policisë tonë në këtë kohë kur kemi luftën në Ukrainë, dhe kërcënimet për luftë të Putinit dhe Vuçiqit , janë tregues se duhet një mobilizim maksimal i organeve tona për mbrojtur shtetin, si dhe të gjithë faktorëve relevant, që mos të lejojmë ndonjë aventurë të rrezikshme të Beogradit.

-Edhe pse tashmë kanë kaluar më shumë së 20 vite nga dëbimi i Serbisë nga Kosova, minoriteti serb edhe pse ka më shumë të drejta se çdo minoritet tjetër në botën demokratike, është bërë instrument në dorë të Beogradit zyrtar, e nuk po integrohet. Pushtetet tona të deritashme bartin mëkate të mëdha mbi supe, se kurrë nuk e ushtruan sa duhet sovranitetin në veri të vendit. Sikur të ishte bërë kjo gjë me kohë, do të kishim një situatë më ndryshe sot. Për shumë vite mbi lumin Ibër, vepruan kriminelët Rojat e Urës të cilët bënë ligjin sipas kutit të tyre , duke e ndarë Mitrovicën në dysh, dhe shpesh rrahën dhe maltretuan shqiptarët.

E në anën tjetër nuk u shuan as strukturat paralele kriminale serbe, të cilat së bashku me shërbimet sekrete të tyre, shkaktuan shumë incidente dhe shpërthime me bomba për ta destabilizuar Kosovës. Çdo tentim i organeve tona për të vu rendin dhe ligjin u përcollën me rebelime të minoritetit serb, të cilët me akte të dhunës tentuan t’i pengojnë organet tona në ushtrimin e detyrës. Kjo çka po ndodh tash, me sulme kundër policisë tonë në këtë kohë kur kemi luftën në Ukrainë, dhe kërcënimet për luftë të Putinit dhe Vuçiqit , janë tregues se duhet një mobilizim maksimal i organeve tona për mbrojtur shtetin, si dhe të gjithë faktorëve relevant, që mos të lejojmë ndonjë aventurë të rrezikshme të Beogradit. Sulmet kundër policisë së Kosovës në veri janë shpeshtuar së fundi, për dy ditë radhazi në kufi është sulmuar policia në krye të detyrës, me bomba dhe me armë të tjera.

Dihet se këto nuk janë provokime të lehta, se Serbia po synon që të bënë faktike Asociacionin, me kompetenca ekzekutive,të papranishëm për Kosovën. Veriu i vendit moti është bërë qendër e krimit të organizuar dhe kontrabandës, të cilat ka ardhur koha të ndalen. Sikur na çudit pak fakti se si struktura e KFOR-it e cila është kompetente për mbrojtjen e kufirit të Kosovës nuk po vepron, ndaj këtyre akteve destabilizuese, e që ishte dashur të jenë shumë më aktiv, për të mos lejuar ndonjë eskalim të rëndë të situatës, jo vetëm në veri të vendit. Veprimet e tilla kriminale janë të patolerueshme për secilin shtet sovran dhe demokratik. Qeveria duhet të koordinon punët si brenda me të gjitha partitë politike në Kuvend, gjithashtu t’i koordinon qëndrimet e saj politike edhe me miqtë tanë amerikan dhe të Evropës, duke ia bërë të ditur Vuçiqit, se nuk do të tolerohen ne pa kufij dhuna.

Edhe kjo Serbi dhe presidenti Vuçiq, njëjtë si Millosheviqi, njohin vetëm gjuhën e forcës. Serbia edhe mund të krijon situata destabilizuese në veri, por mos të harron se kurrë më nuk ka, mundësi për të pushtuar Kosovën. Shqiptarët janë shumë më të fortë se në vitet e 90-ta, të shekullit të kaluar. Serbia atëherë e humbi luftën, dhe do ta humbë sërish. Ne kemi brenda NATO-në, ushtrinë dhe policinë tonë, e para se gjithash kemi popullin tonë, që ka krijuar tashmë një përvojë edhe kur bëhet fjalë për luftën. Ne, kemi qenë dhe jemi gjithmonë për paqe, por nëse na imponohet lufta dimë të mbrojmë çdo pëllëmbë të Kosovës. Sulmet e ditëve të fundit në veri të Kosovës, u dënuan nga Ambasada amerikane në Prishtinë, Bashkimi Evropian dhe NATO.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".